Na ndiqni edhe në

Arkiv

Mesila Doda, ose Anita Bryant shqiptare

Mesila Doda, ose Anita Bryant shqiptare
Nga Kristi Pinderi

Anita Bryant, është ish Miss Oklahoma në Shtetet e Bashkuara. Pas pjesëmarrjes në konkursin e bukurisë, ajo pati një karrierë në muzikë në vitet 50-të dhe 60-të derisa u rekrutua për të punuar si imazh i një kompanie që prodhonte lëng portokalli.

Por, as të qënit miss, e as karriera në muzikë e madje as rroga e majme në kompaninë e lëngjeve nuk e bëri atë të famshme. Arsyeja pse edhe karriera e saj në muzikë, edhe angazhimi në biznesin e portokalleve i dështoi kishte të bënte me një dramë thellësisht personale të Anitës, një dramë që ka brenda jo vetëm elemente njerëzorë, por mbi të gjitha fakte historike nga ato që do të na duhet ti studiojmë mirë, në mënyrë që njerëz si Anita, të mos pësojnë dramën që ajo pësoi…

Në kulmin e suksesit të saj, Anita u bë zëdhënësja e treçerekut të opinionit publik amerikan, kur në fund të viteve 70-të nisi publikisht të kundërshtonte të drejtat e komunitetit LGBT ne SHBA.

Udhëtonte shtet më shtet dhe duartrokitej nga të gjithë.

Në emër të “Zotit”, apo “familjes së shëndoshë” apo “të drejtës së fëmijëve për tu rritur në një shoqëri pa gej e lezbike”, ajo u hidhte benzinë mendjeve të frikësuara të vendit të vet dhe njëkohësisht duke marrë flamurin e “moralit” kundër LGBT ndihmonte që në shoqëri dhuna ndaj këtij komuniteti të rritej e të rritej në mënyrë të frikshme.

Ato ishin vite kur njerëzit mësoheshin se vlerë është të mashtrosh e të fshihesh, e të bësh atë që kërkon “Anita” e që e kërkon edhe treçereku apo më shumë i popullsisë; për të rinjtë e të rejat LGBT jeta ishte një ferr që do duhej të jetohej ose brenda një guacke mashtruese sigurie te gënjeshtert, ose do duhej jetuar duke u arratisur.

Anita pati shumë suksese!

Sa ishte e re mundi të shikonte se si falë vullnetit dhe këmbënguljes arrinte të stoponte çdo nismë ligjore në çdo shtet të SHBA që synonte të ndalonte diskriminimin për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor.

Derisa një ditë, ndodhi ajo që Anita nuk e kishte menduar kurrë në jetë: Komuniteti LGBT, familjarët e tyre, miqtë dhe kushdo tjetër që nuk mendonte si ajo dhe si treçereku i frikësuar dhe pa informacion i shoqërisë, nisën të organizoheshin.

“What comes around goes around”, thonë amerikanët, një shprehje që ne shqiptarët e kemi me autentike përmes metaforës bujqësore të tipit: “Cfarë do mbjellësh do korrësh”…

Kompania e lëngjeve të portakalleve i ndërpreu kontratën pasi kuptoi që njerëzit që ajo po persekutonte, edhe pse nuk ishin të dukshëm, ishim mjaftueshëm në numër sa të bojkotonin produktet e tyre; martesa me bashkëshortin i dështoi në të njëjtën kohë dhe ajo kërkoi divorcin se nuk po ia dilte dot ta përballonte edhe pse ai, si një besimtar i devotshëm nuk linte gazetar pa i thënë se në sytë e Zotit martesa nuk çbëhet e se ata ishin sërish burrë e grua…

Edhe sot e kësaj dite ish burri i saj vazhdon të mendojë se fajin e divorcit të tyre nuk e kishte ai vete, por e kishin gejtë e lezbiket “që i shkatërruan asaj karrierën”…

“Ëhat comes around goes around, right?” – Grupet fondamentaliste fetare që e mbështesnin Anitën, befas i kthyen asaj kurrizin në momentin kur ajo u divorcua (mëkat i madh ky sipas tyre).

Në 1990 Anita u martua me një burrë tjetër dhe ky e ndihmoi të ringjallte karrierën e saj të vdekur muzikore, mirëpo nuk kaluan shumë vjet kur të dy falimentuan dhe lanë pas gjithë ato fatura dhe njerëz të papaguar!

Që nga kohët e vjetra të Greqisë antike, drama ka ngjallur një kërshëri te të gjithë ata që duan ta kuptojnë. Sepse drama, në vetvete, është si një ortek që të merr përpara dhe ti nuk je në gjëndje ta ndalosh derisa orteku të ketë gjetur pikën e vet fundore.

Kështu edhe për Anitën! Kur telashet dukej se kishin sosur, asaj i erdhi goditja përfundimtare: SHBA përmes një vendimi historik të Gjykatës Supreme lejoi martesat mes së njëjtës gjini duke kurorëzuar kështu një betejë të gjatë të komunitetit LGBTI atje…

Ndodhi ne një ditë të nxehtë vere kur 9 anetare te asaj gjykate votuan: 5 pro dhe 4 kunder…

Gjatë asaj dite u mbyll përfundimisht një kapitull i gjatë në historinë e atij vendi e njëkohësisht, po atë ditë të nxehtë qershori edhe orteku në jetën e Anitës, më në fund u ndal, duke fundosur përfundimisht jo vetëm shpresat e shumë mëndjembyllurve që frymëzoheshin nga parime përjashtuese, por duke marrë poshtë vetes një vepër të tërë të një personazhi dramatik nga i cili duhet të mësojmë shumë: vepren se ciles i kishte kushtuar jeten Anita…

Sot, rreth 40 vjet më vonë, në anën tjetër të botës, kam frikë se e shikoj Anita Bryant te një tjetër personazh: te Mesila Doda.

Dy gra që nuk i kanë folur kurrë ndonjëherë njëra tjetrës, bashkohen si me një forcë magjike e tragjike, sikur të ishin lindur e rritur në të njëjtin vend, në të njëjtën kulturë e në të njëjtën situate!

Ajo çfarë i bashkon, në fakt, nuk është as konteksti historik gjatë së cilit kanë bërë e bëjnë pjesë, ndoshta as edhe vetëm argumentat publikë e fetarë e moraliste që përdorin, më shumë se i bashkon fataliteti kapriçoz që historia ta bën sebep kur historinë nuk e njeh, nuk do ta njohësh e kur refuzon të mësosh prej saj.

Në vitet që vijojnë znj. Doda do të mund t’u gëzohet edhe disa betejave që, – ndoshta, – do të mund të fitojë, në një vend ku të bëjnë deputet nëse kërcënon të tjerët; në një vend ku të lyejnë me lavdërime kur i mëson fëmijët të urrejnë ata që janë ndryshe; në një vend ku të paguajnë shtrenjtë kur prostituohesh politikisht nën petkun e moralit; në një vend kur të trajtojnë si të shenjtë kur u kërkon qytetarëve të urrejnë në emër të Perëndisë; në një vend ku, hë për hë, shumë vetëve u intereson si buka që hanë ti mashtrosh e tu thuash se arsyeja e problemeve madhore që kalojnë në jetë nuk eshte sistemi qe durojne, por janë njerëzit që vishen ndryshe, mendojnë ndryshe, sillen ndryshe e dashurojnë atë që dashurojnë!

Ndërsa në fund të viteve 70-të, arsyeja pse Anita amerikane nisi të përjetojë rënien e saj kishte të bënte me faktin që komuniteti LGBT nisi të organizohej, kam frikë se dita kur Anita shqiptare do fillojë të përjetojë rënien e vet do të jetë dita kur jo vetëm komuniteti LGBTI në Shqipëri të nisë të organizohet më mirë, por kur vetë vendi me të gjithë qytetarët pavarësisht në janë gej a jo, do të fillojë të kuptojë se njerëz si Mesila & co janë pjesë e një sistemi imoral, të korruptuar, e të destinuar të dështojë.

Nuk ka rëndësi nëse na quajnë legena të vegjël, as nëse na tregojnë se mund të na përdhosin edhe kujtimin e të vdekurve, as nëse na thonë sharlatanë, apo kokëpalarë, as nëse na akuzojnë se po shkatërrojmë familjet (në po këtë vend ku të dhunon me papunësi e mungesë shprese e për rrjedhojë të përcudnon planet për të rritur me dinjitet familjen); as nëse na i mbyllin shtigjet për të punuar, jetuar e për t’u arsimuar; as nëse na mbysin me gjoba; as nëse na fusin në burg pse duam të ndriçohemi a pse duam të ushqehemi me punë të ndershme; as nëse na rrahin; as nëse na vjedhin.

Këto nuk kanë rëndësi, përsa kohë që Anitat e këtij sistemi refuzojnë të mësojnë nga historia…

E kur refuzon të mësosh nga historia, herët ose vonë ajo do përsëritet. Në formë dramatike./Historia Ime