Mandatet që mund të djegin PD!

Nga Dritan Hila

Ka disa kohë që në opinion përflitet djegia e mandateve nga ana e PD-së.

Një pjesë e militantëve të saj të sinqertë e shohin si një shenjë radikalizmi të liderit të saj, e cila do të sjellë rrëzimin e qeverisë ose të paktën squlljen e saj. Të tjerë janë prej atyre këshilltarëve që nuk iu bën përshtypje fati i një partie me të cilën nuk i lidh asgjë. Është pastaj edhe pjesa e politikës, sidomos kundërshtarëve të PS-së që presin të zënë vakumin që do të krijojë dalja e PD-së nga skena politike aktive.

Ashtu sikurse ka një pjesë të opinionit që frikësohet se dalja e PD-së nga Parlamenti do të radikalizojë situatën dhe sjellë trazira. Kini parasysh se, nëse PD-ja djeg mandatet, nuk i bëhet vonë asnjërit jashtë këtyre segmenteve të popullsisë që janë edhe më aktivët politikisht, por zënë një fetë shumë të vogël te votuesit. Ata që do të dëmtohen realisht do të jenë PD-ja dhe limfa vitale e saj, militantët. Të tjerët, ose do të nxitojnë të kafshojnë pjesë nga karkasa e një partie e cila dënon veten me vetëvrasje, ose do të gjejnë temë tjetër bisede në kafene.

Mos e harroni se dy vjet përpara Lulzim Basha u detyrua të futej në zgjedhje sepse ndërkombëtarët ia bënë të qartë që nëse dilte jashtë sistemit, askujt nuk do t’i bëhej vonë. Ky është një sistem i ngritur për të zhvilluar aktivitet në parlament. Aty bëhen debatet, denoncimet dhe lufta politike. Për të qenë aty janë votuar dhe marrin rrogat. Nëse duan të bëjnë luftë konsistente duhet të ndryshojnë sistemin dhe kodin elektoral. PD-ja është një parti, e cila të vetmen shpresë për fitore ka shkërmoqjen e PS-së, dhe kjo vjen nga dalja e forcave te reja politike që do ta gërryejnë partinë, e cila ka probleme me administrimin e pushtetit. Ky është edhe i vetmi tregues që Basha nuk ka ndonjë pazar me Ramën. Në të kundërt ky sistem është sklerotizuar dhe do të favorizojë pikërisht PS-në. Një 75-vjeçar si Berisha dhe personazh pa nuhatje politike si Basha, nuk e rrëzojnë dot Ramën. Është e mira t’i bëjnë këtë shërbim vendit.

LEXO DHE :  Tritol në shtyllën e tensionit të lartë, Ministria e Brendshme: Akt terrorist

Nëse kanë vendosur të djegin mandatet me idenë se do të trembin Ramën, duhet të kenë llogaritur që pastaj të marrin pushkët. Kjo është alternativa tjetër, të cilën sigurisht që nuk kanë kohë, moshë dhe as kushte ta bëjnë. Përndryshe, ca të papunë më shumë që  vijnë vërdallë rrugëve të Tiranës, nuk do t’i bëjnë përshtypje askujt./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.