
Blogerja britanike si Liza në botën e çudirave shqiptare
Dritare.net

Imagjinoni për një moment sikur ju jeni një nënshtetas i huaj dhe vizitoni për herë të parë Shqipërinë. Do të vendosnit të jetoni në Tiranë për një periudhë kohe të pacaktuar?
Ja pra që një britanike e ka marrë guximin dhe ka vendosur brenda 3 orëve të transferohet këtu, ka marrë macet dhe bagazhet nga Malta, për t’u shndërruar në një banore tipike metropoli tiranas, me shtëpi në Bllok.
Alice Taylor u bë edhe më e njohur pasi vetëm pas gjashtë muajve arriti të shkruajë një listë me veset tipike të shqiptarëve, artikull i cili u botua edhe në mediet e huaja.
Dritare.net e takoi Alice në një nga baret e saj të preferuar, në Tiranë.
Tashmë ajo ka një të dashur shqiptar, di të gatuajë tavë kosi dhe sidomos promovon bukuritë e Shqipërisë nëpërmjet blogut të saj “The Balkanista”, madje di edhe t’i kthejë kusurin e saktë një kamarieri.
Në lidhje me blogun e saj “The Balkanista”, ajo shprehet se ka vendosur ta përdorë për të përcjell një frymë pozitiviste, nuk do të merret me politikën apo problematikat e Shqipërisë pasi për këtë flasin 24 orë gazetat & televizionet shqiptare.
“Shqiptarët janë populli më nacionalist që kam njohur. Rreth 70 % e meshkujve shqiptarë kanë një shqiponjë tatuazh, por pjesa më e madhe do të shfrytëzonin mundësinë e parë që do u jepej për të ikur nga këtu”.
Biondja aventuriere nuk di të thotë për sa kohë do të qëndrojë ende në Shqipëri, ama e sigurt mbetet se ajo është një ambasadore perfekte në promovimin e dëshirës për zhvillim, energjisë dhe shpresës së këtij vendi.
Ashtu siç thotë edhe një shprehje tek “Alice in Wonderland”: “ E dashur ne këtu duhet të vrapojmë sa më shpejt të mundemi, për të qëndruar në vend. Nëse do të arrish diku tjetër, duhet të vraposh dyfishin e asaj shpejtësie”.
Ndërsa për Dritare.net “Alice in Albania” na përcjell këto videomesazhe! Mos i humbisni:

















