5 seriale feministe, që duhet t’i shohësh patjetër tani!

Nga Xheni Hatillari

U bë ca kohë që një fjalim i Reese Witherspoon, më bëri ta shikoj çdo film e serial me një sy tjetër. I keni parasysh ato momentet në filma kur personazhi grua/vajzë (zakonisht është gjithmonë dytësore) kthehet nga protagonisti dhe i drejton pyetjen vetëvrasëse “Hey, si do t’ia bëjmë tani?”. Nuk e di nëse në jetën reale ju keni parë diçka të tillë të ndodhë, por as Reese, as unë s’na kujtohen rastet, kur një grua i jep drejtim situatës kështu. Epo, kështu kam nisur edhe unë t’i filtroj serialet që shoh, bazuar në pozitën që i japin figurës së gruas dhe më besoni, nuk është fare e lehtë.
Nga ana tjetër, kur vjen kjo periudha vjeshtë- dimër, më thoni që s’jam e vetmja që përgatis lista të tëra me gjërat që dua të bëj e sigurisht gjysmat humbasin rrugës (sesi nuk shkova kurrë në palestër këtë vit dhe sa e penduar jam për këtë, rëndon më tepër nga të tjerat në ndërgjegjen time).
Po e dini çfarë? Si e fiksuar që jam pas serialeve e humbas gjithmonë atë orarin “e duhur” për palestër me ndonjë seri të re. Këto serialet që tanimë na kanë ngujuar nga pjesa tjetër e botës, që na kanë shpëtuar nga ndarjet e këqija dhe kanë qenë justifikimi perfekt për të shtunat, që i lamë shoqet vetëm.
Duke ditur sa e vështirë është të harxhosh kohë e ta lësh në gjysmë një serial, sepse s’të pëlqeu, ja pse këto seriale duhet patjetër t’i shihni!

1- GIRLBOSS (1 sezon, 13 episode, 26 minuta secili)

Një prodhim i Prillit 2017, do ta adhuroni sepse është kaq limonadë dhe kaq kuptimplotë në të njëjtën kohë. Në qendër vendoset rrugëtimi i një vajze (bazuar në historinë e Sophia Amoruso, mos më thuaj që s’ke bërë edhe ti kërkim për NastyGal në internet?),  e cila njësoj si ti dhe unë kishte një fiksim të tmerrshëm për veshjet dhe që ndryshe nga ne, e ktheu në biznes. A ia doli? Sigurisht që s’do ta them, ama gjatë 13 episodeve do të qeshësh, do të qash nëse ke zemër pak më të dobët  dhe dot  frymëzohesh shumë, sesi mund t’ia dalësh pavarësisht çdo gjëje. Çfarë ilaçi për këto ditët me shi kur motivohesh vetëm për të përshkuar rrugën drejt frigoriferit!

2- The Bold Type (2 sezone, 20 episode, 45 minuta secili)

Për të gjitha fanset e Sex & the City, ja ku erdhi dita jonë më në fund! Si skeptike që jam, serinë e parë e pashë gjithë hundë e buzë, meqë po përpiqeshin të më zëvendësonin ikonat e mia të SatC. Pooooor ëndrrat bëhen realitet! Xhejn, Kat dhe Sutton më magjepsën direkt që në minutat e para dhe janë kaq, por kaq 2018 sa të gjitha ne. Përpos faktit që do të qeshni sepse do t’ju kujtojnë shoqen e ngushtë, seritë e serialit prekin dhe evidentojnë shumë nga problematikat e kohës që po jetojmë (aq sa edhe ne që jetojmë në Shqipëri, në një moment ndihemi globalë). Dhe po, sigurisht ka sex, flitet pa ndrojë për  seksualitetin, sepse EDHE VAJZAVE JU PELQEN SEX-i sigurisht. Por mbi të gjitha është një serial shumë feminist e që synon të forcojë pozitat e gruas në shoqëri. Nuk duhet ta humbni sepse është i freskët fare (Seria e fundit: Gusht 2018) dhe 1 sezon tjetër po përgatitet për transmetim. Urraaa!

LEXO DHE :  Foto/ Aksidenti në Qafë-Thanë, dëshmitari: Nxënësit u hodhën nga dritarja

3- VIKINGS (5 sezone, 90 episode, 44 minuta secili)


Vikings sigurisht nuk ka në qendër të tij një grua, ama ca gra të forta i lëvizin ujërat sa kaq mjafton që të nxisë secilën nga ne ta shohë. Do të doja t’ju flisja gjatë për Lagertha-n, gruan e personazhit kryesor, por mjafton që të dini se, është jo gruaja e zakonshme që qëndron pas një burri të suksesshëm. Se dreqi ta hajë, gratë e suksesshme s’qëndrojnë pas burrave të suksesshëm, por edhe i tejkalojnë ata. Historia e vikingëve me Lagertha-n në qendër na mësuan ca principe që duket sikur ne, shoqëritë e emancipuara i humbëm rrugës: gra që divorcohen, të lira që të zgjedhin e zgjidhen, të udhëheqin, të vendosin për jetën e tyre e të luftojnë barabar me burra. Ka shumë për të mësuar nga ky serial ndaj nisjani që sot

 

4- The Handmaid’s Tale (2 sezon, 23 episode, 49 minuta)

Një serial i freskët dhe ky, por ndofta më i diskutuari ndër ata më sipër për shkak të kritikave të shumta të bëra për të. Me një fabul që të mbërthen që në serinë e parë dhe të konfuzon me realitetet disutopike, ky serial ngjalli polemika të mëdha nëse ishte apo jo feminist. Unë nuk e mbaj veten për kritike të mirëfilltë të kinematografisë, por besomëni kur ju them se në fund të tij, jo vetëm që brenda jush do të ngrejë krye një frymë feministe, por do t’iu bëjë të mendoni gjatë sesi një vepër e shkruar gati 33 vjet më parë është kaq aktuale për periudhën që bota jonë po kalon sot. Një histori e ‘handsmaid’ apo shërbyeseve të atyre që quhen Komandantët, në një sistem totalitar që i kategorizon gratë në bazë të aftësive të tyre riprodhuese, June apo Offred që është personazhi kryesor e në të njëjtën kohë rrëfyesja e ngjarjeve do t’ju mbajë zgjuar për ta përfunduar brenda një dite serialin. Kini parasysh diçka: këtu edhe më të stërviturit me serialet nuk parashikojnë dot çfarë do të ndodhë. Dhe jeni me fat, sepse keni kohë deri në Maj 2019 për t’i parë 2 sezone dhe të prisni të tretin bashkë me mua. 

5- Jessica Jones (2 sezone, 26 episode, 56 minuta)
Jessica Jones apo heroina jo tipike, duket në pamje të parë si një histori e zakonshme aksion që fundja s’ka asgjë tjetër veçse një superheroinë, që bën namin në qytet e në çdo seri zgjidh një rast të ri, duke na lënë gojëhapur. Epo jo, ky nuk është rasti. Jessica është një joheroinë, që përpos disa superfuqive, ka njësoj si ne dilemat dhe luftërat me të shkuarën, me të cilat duhet të mbyllë hesapet. Ndryshe nga se ndodh në të tilla seriale, Jessica nuk është e sjellshme dhe altruiste, shpeshherë është e patakt dhe bën humor të zi: yey, gjetëm një shoqe!  Ka vetëm një linjë kryesore, e cila lidhet sigurisht edhe me dramën që ka kaluar personazhi kryesor, e cila duket sikur bëhet një himn i fuqishëm për të gjitha vajzat që kanë qenë pre e abuzimeve dhe dhunës së burrave apo djemve. Fiks një serial që duhet parë në mijëvjeçarin e #TimeisNow apo #MeToo, si për të na kujtuar protestën që duhet mbajtur për të drejtat e liritë tona si gra e vajza./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.