Një ditë përpara, në një takim farsë, kryetari i bashkisë simuloi një takim me shoqërinë civile. Nuk mungonte entuziazmi i shprehur në rrjetet sociale i kryetares së FRESSH-it Joleza Koka, e famshme së fundmi për sjelljen e saj në publik. Asnjë problem për organizatorin që pjesëmarrësit në sallë, ishin vetëm disa manekinë.
Të dielën, për të sfumuar protestën e shoqërisë civile, në të njëjtën orë që ata kishin caktuar protestën, Veliaj kishte organizuar shfaqje me fëmijët, ku demonizonte dhe provokonte kundërshtarët e betonimit të parkut. Shfaqje kjo e shëmtuar e përdorimit për të disatën herë që ju bën fëmijëve.
Kjo këmbëngulje e tij, nuk do të kishte vazhduar kaq gjatë nëse shefi i qeverisë nuk do të kishte shfaqur mbështetjen e hapur dhe të fshehtë të tij për beniaminin.
Ndërkohë PD, pasi e ndohti këtë protestë të dielën dhe të hënën e shkuar, rri e bën sehir.
Në çdo shoqëri normale demokratike, reagimi qoftë edhe një segmenti të vogël të shoqërisë do ti kishte bërë për t'u menduar dy herë iniciatorët e këtij shkatërrimi. Edhe në vendet perëndimore, ekologjistët janë një fraksion i vogël i elektoratit, por asnjëherë nuk trajtohen me mospërfilljen që ndodh në Shqipëri. Por në Shqipëri klasa qeverisëse, duke shfrytëzuar brishtësinë e këtij segmenti të politikës dhe apatinë e shqiptarëve që ende e quajnë normale hedhjen e plehrave nga ballkoni, mospërfillja shkon në ekstrem. Asnjë justifikim nuk ka pse duhet shkatërruar gjelbërimi dhe lëndinat e parkut, ndërkohë që vetëm 100 metra më tej, është një tokë djerrë. Por mesa duket ky është edhe qëllimi i politikës shqiptare. Ndërsa vëmendja është drejtuar mbi betonizimin e një sipërfaqeje prej 4000 m2, po aty, planifikohen të jepen leje ndërtimi të cilat para pesë vjetësh u anulluan për shkak të prishjes së pazarit mes Berishës dhe Ramës. E ndërkohë në krahun tjetër të parkut, përballë Fakultetit Ekonomik, është kafshuar një pjesë e parkut të liqenit, dhe vazhdon ndërtimi i një monstre betoni tjetër, e financuar nga biznesmenë të lidhur me të dy krahët e politikës.
E gjithë kjo histori, po përfundon në mënyrën më të shëmtuar të mundshme, ku zhgënjimi i parë, është kryeministri, të cilit nuk i bën fare përshtypje cilësia e jetës së nënshtetasve të tij, përballë interesave politike dhe financiare. Të dytët që zhgënjejnë, janë PD-ja e cila për fare pak gjë, tregon se është e kapur njësoj dhe nga të gjitha krahët si para tre vjetëve. Është rraca e politikanëve të Veliajt dhe Jolezës, që lënë pak shpresë se ky vend po sjell një brez të ri politikanësh që kanë cipë. Dhe e fundit që është edhe më shqetësuesja prej të gjithave, është gadishmëria e shqiptarëve që për hir të politizimit, të futen në llogore dhe venë në punë fantazinë për të justifikuar kampet respektive dhe kanibalizuar ata që mendojnë ndryshe. Pa u menduar gjatë që e zeza që po ju bie mbi kokë, është para së gjithash për ta. Kur të kujtohen pas 20 vjetësh, atëhere nuk do të ketë më vlerë. Gjithsesi, i kanë të gatëshme manualet që të shajnë një sistem dhe njerëzit që më përpara i kanë duartrokitur dhe ngritur në piedestale./dritare.net