Zhduken aktivistët që po hetonin fabrikat e Ivanka Trump
Dritare.net
Associated Press raporton se njëri prej aktivistëve që po merrej me hetimin e kësaj fabrike është arrestuar dhe dy të tjerë janë raportuar të zhdukur. Tre burrat po hetonin kushtet e punës në fabrikën Ganzhou Huajian International Shoe City Co., në juglindje të Kinës, e cila prodhon këpucë të markës Ivanka Trump.
Ata po përgatiteshin të botonin një raport në bashkëpunim me China Labor Watch, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Nju Jork, pas dokumentimeve që vërtetonin se punonjësit paguheshin me paga të ulëta dhe detyroheshin të punonin me orare të tejzgjatura.
Sipas AP, një prej burrave, Hua Haifeng, u arrestua dhe u akuzua për mbikëqyrje të paligjshme të fabrikës. Dy burrat e tjerë, Li Zhao dhe Su Heng, janë zhdukur, sipas China Labor Watch, e cili thotë se ata kanë humbur kontaktin me dy burra që nga fundjava.
Komiteti Demokratik Kombëtar ka lëshuar një deklaratë për AP duke bërë thirrje që administrata Trump të ballafaqojë Kinën për abuzimet e saj për të drejtat e njeriut.
“Ne thellësisht shpresojmë që këta punonjës të të drejtave të njeriut të ndaluar ose të zhdukur të jenë të mië dhe të mund të ribashkohen me familjet e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur. Për vite të tëra, Ivanka Trump ka injoruar raportet publike për kushtet e tmerrshme të punës në një fabrikë që prodhon këpucët e saj. Tani, ajo duhet të vendosë nëse mund të injorojë përpjekjet e dukshme të qeverisë kineze për të heshtur një hetim mbi abuzimet e punonjësve”.
Ky është një rast në të cilin interesat e biznesit të familjes Trump janë në një konflikt interesi me interesat e SHBA-ve. Firma Ivanka Trump prodhon pjesën më të madhe të mallrave të saj në Kinë dhe ka një treg të gjerë atje, gjithashtu bashkëshorti i saj, Jared Kushner dhe babai saj, Presidenti Trump, kanë lidhje të ngushta me Kinën për shkak të bizneseve të shumta. A mund ta mbajë SHBA-ja pozitën e saj udhëheqëse në luftën e të drejtave të njeriut në mbarë botën, kur Familja e Parë përfiton drejtpërsëdrejti prej tyre?!
Shtëpia e Bardhë dhe zyra e shtypit të firmës Ivanka Trump nuk kanë pranuar të komentojnë për Associated Press./dritare.net