Zgjerohet fronti opozitar: Edi Rama shqetësohet nga sulmi i gazetarit Barabamo
Dritare.net
Pas kësaj Barabamo morri vendimin që të bëhet armik i betuar i Ramës dhe të sulmojë këtë në çdo drejtim.
Kështu që sot Barabamoja kishte bërë një shkrim të thellë sociologjik ku shpjegonte sesi Ramës i kishte ardhur fundi dhe i ishte çarë diga; se studentët nuk do ndaleshin derisa ta rrëzonin dhe se në këtë pikë nuk e shpëtonte dot askush.
Shkrimi i Barabamos pati jehonë të thellë në portale që shquhen për nivelin e tyre të lartë intelektual dhe lexuesin e përzgjedhur.
Pas kësaj pritet që ditët e Ramës të jenë të numëruara. Kjo nisur edhe nga fakti se shkrimet e Barabamos përbëjnë trend në shtypin shqiptar, pavarësisht se shpesh harron t’ia lexojë edhe gruaja.
I trembur nga ndikimi që mund të ketë shkrimi i Barabamos në Gjirokastër dhe veçanërisht në lagjen Palorto, kryeministri Rama mori në telefon punëdhënësin e Barabamos dhe i tha që ti lutej për ta hequr shkrimin. Pas gjysëm ore bisede, ku Rama po i shpjegonte punëdhënësit të Barabamos, se kush ishte Barabamoja dhe çfarë emisioni bënte, ai i tha që mos ta vriste mendjen se emisionin e tij nuk e shikonte edhe ai vetë, por ia linte se i kishte mbetur në dorë dhe i vinte gjynah ta hiqte, pasi sa herë matej, Barabamoja i vinte duke qarë në zyrë dhe i thoshte se kishte halle e nuk kishte para as për të blerë këpucë
Pas kësaj, priten aksione të tjera të Barabamos, si pjesë e frontit opozitar për rrëzimin e Ramës. Nuk mungojnë as ofertat nga partitë opozitare për Barabamon, por ai është shprehur se për momentin është i dashuruar me profesionin e tij. Gjithsesi do ta mendojë. Edhe ne si dritare.net e kemi në detyrë t’iu informojmë në të ardhmen mbi ecurinë e shkrimeve dhe jetës së Barabamos si pasuri intelektuale e vendit./dritare.net