Zbardhet e plotë tragjedia, 21 vjeçari e vrau babanë për një karroc llaç
Dritare.net
Prokuroria ka zbardhur të plotë ngjarjen, pasi ka pyetur edhe autorin e ngjarjes. Shtetasi Mirald Metallari, ndër të tjera ka deklaruar se:
Më datë 24.07.2017 rreth orës 06:00 të mëngjesit, ka ndihmuar të atin (Miftarin) për të bërë disa punime në oborrin e shtëpisë së tyre dhe kur ka qenë duke punuar, rreth orës 11:00, në një moment i është derdhur karroca e mbushur me llaç në tokë. I ati e ka gjuajtur me grusht në pjesën e buzës dhe pas këtij veprimi, Mirald-i ka hyrë në banesë, ku aty kanë qenë 2 (dy) motrat e tij, të cilat kanë dal jashtë dhe ky ka shkuar te dhoma e të atit.
Aty ka marrë armën e shërbimit të babait dhe pasi ka dal me armë në dorë te dera, ka vërejtur të ëmën shtetasen Nurie Metallari, e cila ka tentuar ta ndaloj dhe në këtë moment ai e ka shkrepur armën me drejtim nga dyshemeja. Nëna e tij ka dashur përsëri ta ndaloj, por Miraldi ka qëlluar me armën e zjarri në drejtim të saj në një distancë prej 3 (tre) metrash. Ndërkohë, i ati, Miftari, ishte duke ardhur në drejtim të Mirald-it, ky i fundit ka hapur zjarr edhe ndaj tij duke mbaruar të gjithë fishekët që kishte në karikatorin e pistoletës. Më pas Mirald-i thekson se ka shkuar te e ëma, e cila ishte shtrirë përtokë në verandën e shtëpisë, e ka marrë atë dhe e ka futur në makinën e tij, me qëllim për ta dërguar në spital.
Me vete ka patur edhe armën e zjarrit që kishte kryer ngjarjen. Ai është nisur për në Spitalin e Traumës Laprakë, kur ka qenë në hyrje të rrugës për te spitali e ka ndaluar një patrullë policie, dhe e ka shoqëruar atë në mjetin e policisë, ndërsa të ëmën e kanë dërguar në Spitalin e Traumës Tiranë. Në deklarimin e tij ky shtetas thekson se armën ua ka dorëzuar vet punonjësve të policisë. Në shpjegimet e tij ky person sqaron se nuk ka patur konflikte të mëparshme me të atin.