Unë dhe bashkëshorti im vendosëm të mos jetojmë me të, duke qenë tip i vështirë dhe për të shmangur keqkuptimet. Ajo i telefonon tim shoqi shpesh, edhe gjatë darkës dhe pretendon se është sëmurë dhe mund t’i ndodhë diçka e keqe. Na kërkon që fëmijët t’i lëmë tek ajo çdo fundjavë, kur fundjava është e vetmja kohë që ne mund ta kalojmë bashkë. Edhe kur i lëmë ndonjëherë, iu flet keq për mua dhe iu kërkon ta mbajnë sekret. Vjen orar pa orar te ne dhe mundohet të ndikojë në zgjedhjet tona, në rritjen e fëmijëve, etj. Nuk ndiej respekt prej saj, nuk respekton zgjedhjet, dëshirat apo hapësirën time. Në sy të të tjerëve sillet mirë me mua dhe tregohet e ëmbël, por kur jemi vetëm, duket si një njeri tjetër. Dukem si idiote nëse i ankohem dikujt që e njeh. Vetëm me mamanë time mund të flas. Edhe im shoq e kupton që ajo sillet çuditshëm, por më thotë se s’mund të bëjë asgjë për ta ndryshuar.
Sofi përgjigjet:
Si fillim qetësohu!
Fatkeqësisht këto janë gjëra që ndodhin në shumë martesa, nuk je ti e vetmja. Me kurajë dhe kontroll mund ta kalosh këtë situatë. Mendo për një aktivitet që të relakson dhe të heq frustrimin që ti ndien, në mënyrë që mos të ndikojë në marrëdhënien tënde me bashkëshortin. Mundohu të mos i marrësh sjelljet e vjehrrës tënde shumë seriozisht dhe mos i merr kritikat e saj shumë personale. Nëse kritikat janë të vërteta, përdori për t’u përmirësuar, në të kundërt prano që vjehrra jote është e tillë dhe se ajo duhet të pranojë pasojat e veprimeve të saj.
Fol me bashkëshortin dhe tregoji që po ndikon në mirëqenien tënde dhe se çfarë mund të bëni për ta përmirësuar situatën. Ai nuk mund të mbyllë sytë, kur mamaja e tij shan nënën e fëmijëve të tij. Në rastet kur ajo telefonon për të thënë se është sëmurë, ai mund ta qetësojë nga telefoni duke bërë dallimin mes situatave urgjente dhe atyre false. Në rastet kur konflikti mes jush nuk mund të shmanget, atëherë thuaja hapur se çfarë mendon për veprimet e saj dhe se kërkon më shumë respekt, pa u treguar e pasjellshme. Thuaji se kur të kesh nevojë për këshillat e saj, do t’ia kërkosh patjetër. Herën tjetër që sillet ndryshe me ty kur jeni vetëm, vërja në dukje se nuk të pëlqen kjo mënyrë. Tregoji se nuk të pëlqen shtirja dhe se duhet të sillet me ty njësoj, si me apo pa njerëz rrotull. Mbaj mend, që asnjeri nuk është njëqind për qind i keq. Te çdokush mund të gjesh një anë pozitive. Mundohu t’i njohësh anët e saj pozitive dhe t’ia vësh në dukje. Çdokujt i pëlqejnë komplimentet. Në momentet që e sheh që konflikti është i paevitueshëm, mundohu ta injorosh atëherë kur ke mundësi, bëje për tët shoq dhe fëmijët e tu. Tek e fundit, ajo është nëna dhe gjyshja e tyre./dritare.net
Ke një problem? Ke një sekret? Ke një pyetje? Më dërgo mesazh privat në Instagram @dritare_net ose në Facebook dritare.net. Për rubrikën Rrëfehu te Sofi. Do kesh përgjigje në faqe, brenda javës.