Albanian Stories
Ajo ishte një vilë në shitje, me 12 bashkëpronarë, derisa e pa njëri nga ata të katërt. Sonila, Edjoni, Renisi dhe Qëndrimi, kishin mbaruar bashkë Universitetin Polis, për arkitekturë. Në pritje për projektin, që s’vjen kurrë, kur je i ri, pa mbështetje dhe sidomos kur jeton në Shqipëri, i vunë syrin asaj vile për të realizuar bashkë projektin e tyre të parë.
Dy muaj, për të takuar çdo pronar, që ëndërronte të merrte disa hyrje, në pallatin në pritje, të ndërtohej një ditë, në vend të vilës së bukur me stil italian, projektuar nga një shqiptar në vitin 1938. Kishte qenë vila e një mjeku, i cili doli prej saj, kur shteti i ’45, i konfiskoi shtëpinë, që e përdori kryesisht për gjeneralët. Shumë histori, derisa pronarët e rimorën pas ’90-ës, dhe e lanë në braktisjen e pritjes.
Derisa erdhën katër të rinjtë që ia dolën t’i mbushin mendjen secilit prej tyre, se vila do të merrte vlerë më shumë, nëse risistemohej. – “Artan Godo, na ndihmoi më shumë nga të gjithë. Na besoi”,- tregon Sonila. Jeni të rinj dhe do bëni gjëra të bukura, iu tha doktori i zemrës dhe ata i morën çelësat një ditë me premtimin se pas 5 vjetësh do e rikthenin vilën. Deri atëherë, qira dhe gati për projektin e rilindjes së një vile të trishtuar që i hante paratë, por sidomos kishte etje për ide, nga ato që e shndërrojnë një thjesht vilë, në Vilën Destil.
Më e bukura e zonës, ku zbresin studentët, Rrugës së Elbasanit. Aty përballë Institutit të Higjienës, tani Vila Destil, është drita e një lagjeje me pallate të komunizmit, ku duket sikur koha ka ngecur në rrobat e nderura të ballkoneve të vjetër. “Jo, jo, kështu është bukur”, - thotë Renisi, kur e pyes, pse nuk mbjellin pemë, që ta mbulojnë pamjen e trishtuar nga dritaret e vilës. Është një realitet tjetër, përballë. Është përplasja e realiteteve që krijon një atmosferë, të cilën edhe të doje, nuk do mund ta projektoje më të bukur.
E tillë është dhe Vila Destil, pas një punë muajsh pa gjumë dhe gjithë ankth. Një de stil, një stil më vetë, një shumësi thjeshtësie dhe elegance, një oaz Berlini dhe Londre, në një lagje Tirane. E gjen menjëherë. Ato pemë të vjetra, lule të reja, bordurë dheu, mbjellë me erëza, karrige druri, bërë me dorë, një për një, ajo ish depo farmaceutike e mjekut të ’38, mbuluar me plastmasë, mbushur me banka shkolle dhe stola të gjatë, ai bar i katit të parë, me erë Starbucks-i, ai bodrumi me vizatime, ato shkallë mermeri të paprekura nga dhjetëra vitet, ata djem dhe vajza të shpërndarë dhe bashkë, që të gëzojnë sytë, kur i sheh si një copë Evropë, në mes të orientit të kafeneve ngjitur.
Dhe qetësi, secili në punë të vet, kompjuterë, projekte mbi tavolina, vizatime të shpërndara, kafe dhe sanduiçe, të qeshura në ballkon, libra mbi tavolinë. 200 vetë çdo ditë, vijnë e ikin, në Vilën Destil. Që hapet dhe nuk mbyllet asnjëherë. Kryesisht të rinj të arkitekturës, që janë familjarizuar me njëri-tjetrin dhe e shijojnë socializimin, me një vend që nuk është vetëm kafe. Projektojnë bashkë, bashkëpunojnë dhe studiojnë. “Kjo ishte ideja”,- thotë Edjoni, - “ne vijmë nga arkitektura dhe e dimë sa e vështirë, është të studiosh në shtëpi. Është e pamundur. Por, nuk ke tjetër. Kjo është punë në grup, duhet të konsultohesh, të debatosh, të shkëmbesh. Ndaj menduam të krijojmë një hapësirë studimi, shpengimi dhe shoqërimi, për ata si ne, për ne”.
“Kjo ishte ideja që kishim, kur e morëm. Nuk kishim dyshim që këtu do të vinin të gjithë miqtë tanë, miqtë e miqve tanë. Është i vetmi vend studimi në Tiranë. Këtu njeh, zhvillon, ndryshon. Të ishim prindër, këtu do të donim të sillnim fëmijët tanë. E dinim, që do të kishim 200 e më shumë studentë, ish studentë, kryesisht arkitektë, por edhe të tjerë. Ajo që nuk dinim, ishte si do të nxirrnim qiranë. Me kafe dhe sanduiçë, pa paguar asnjë lek për vendin, nuk bëhen lekë. Atëherë menduam që katin e dytë, ta bënim hostel. Për paratë dhe mundësitë që krijon një i tillë”.
Aty do vinin të huaj, ata sjellin shpengimin në komunikim, një mënyrë ndryshe të të parit të gjërave të njëjta. Klientët e hostelit janë tipologji më vetë, nuk janë të uritur, janë të etur për njohje, për udhëtim, për ngjarje. Kur erdhi i pari që kërkoi dhomë, Sonila qau. “Në fakt ky nuk është lajm, se Sonila qan gjithmonë”,- thotë daja i saj, që ulet dhe i bashkohet grupit Destil. Sonila qesh dhe tregon se emocionohet nga çdo sukses i vogël dhe jo më, kur pa të parin që hyri dhe donte të flinte në një nga katër dhomat, me 7 deri 9 shtretër, secila. Pastaj erdhi i dyti, pastaj erdhi dita që 25 shtretërit u zunë, sepse erdhi vera dhe hosteli u bë shtëpia e një koreaneje që ndenji katër muaj dhe bëri një film, një australianeje, që ndenji tre muaj, derisa dhomat e thjeshta me krevate marinari dhe komodina (që në verë, shërbejnë si tavolina bari në oborr), u kthyen në shtëpinë e dhjetëra vajzave dhe djemve të rinj, nga gjithë bota, që shënojnë vetëm “shkëlqyer” në përshtypjet e tyre. Tani në dimër, ka 5-6 vetë në natë, ka njerëz që këtu njihen, që ndahen, që pyesin, që ikin dhe premtojnë të kthehen, sepse Vila Destil, është gjëja më e veçantë, që të ndodh të njohësh në një qytet kaosi si Tirana, ku vilat si ajo shihen si tokë për shumëkatësh. Por ata të katërt bashkë, me para borxh, që ende, ia dalin të paguajnë vetëm qiranë dhe nga një rrogë të vogël për secilin prej tyre dhe ata pak punonjës që shërbejnë 24 orë, mundën ta shpëtojnë vilkën e bukur të “Mustafa Matohiti”. Ta shpëtojnë nga lakmia për të ndërtuar një tjetër pallat nga ata që mbushin tarracat me depozita uji dhe dritaret me antena satelitore. Ata të katërt, bashkë, krijuan një mundësi të vetme, unike në kryeqytet, për kë beson se ia vlen të duash, të provosh, të sfidosh, të mos ikësh, por të krijosh oazin tënd në këtë shkretëtirë besimi. Sepse mbase edhe ia del, që si Sonila, Edjoni, Renisi nga Tirana dhe Qëndrimi nga Rahoveci, të qëndrosh, për të ndërtuar projektin tënd, edhe kur askush nuk të bën pjesë të projektit të vet. Edhe kur nuk të japin asnjë mundësi, asnjë grant, asnjë kredi, të mundesh të bëhesh shtëpia e bukur e studentëve, klubi i beqarëve, festa e baby shower, festivali i rokut, oborri i inovacionit, ekspozita e vlerave të një brezi që nuk ka humbur dhe nuk do na lërë të humbasim.