Videoreportazh/ Në Leskovik, verën dhe rakinë e gjen te Theodhori!
Dritare.net
Keni dëgjuar për Leskovikun, për natyrën e bukur të tij, për këngët, mikpritjen, apo për vajzat e bukura.
Dritare.net do t'ju tregojë akoma më shumë për këtë qytet. Në mënyrë të veçantë, për verën e rakinë e cila përgatitet në mënyrë tradicionale.
Për gati pesë orë nga kryeqyteti i zhurmshëm i derdhur mes natyrës dhe qetësisë që e karakterizon, ndodhet qyteti i Leskovikut.
Ky dekor pasurohet me gryka të thepisura malesh, pllaja luginash dhe vreshtat e rrushit që prodhojnë verën cilësore, e cila në këtë qytet është një ndër veprimtaritë kryesore.
Theodhor Bregu është një banor i Leskovikut.
Ai së bashku me familjen e tij kanë ndërtuar një kantinë të vogël për verën, por edhe për rakinë.
E për të shfrytëzuar traditën e Leskovikut dhe emrin e mirë që ata kanë anembanë vendit, Theodhori tregon hap pas hapi për dritare.net, metodat tradicionale për procesin e përgatitjes së verës.
Prej gati 20 vjetësh në treg, ai na tregon edhe sekretin se përse vera që Theodhori prodhon, është më e mira.
Bregu ka punuar prej 17 vjetësh si mësues fizike. Por nisur nga tradita shumë vjeçare e zonës për prodhimin e verës dhe rakisë, ai vendosi të hapë një kantinë.
Theodhor Bregu për dritare.net:
“Që në fillim unë pata parasysh që me ngritjen e kantinës, të merrja si lëndë të parë rrushin vendas, që është shumë cilësor, dhe të ruaja traditën e vjetër të prodhimit të verës dhe rakisë, duke përdorur një teknologji që është përdorur me qindra vjet.
Po bëj gati 20 vjet në treg dhe klientët gjithmonë kanë mbetur të kënaqur. Kjo kantinë, nuk prodhon sasi të mëdha, por ruan cilësinë.
Prodhojmë zakonisht 3 lloje verërash: Kabërnet, Merlot dhe Pino Gri.
Lëndën e parë e marr te vreshtat e mi, ndërsa një pjesë tjetër e marr te fermerët e zonës së Leskovikut dhe Përmetit”.
Leskoviku mburret me vreshtat e veta, me rakinë dhe verën e famshme.
Janë të dëgjuara vreshtat e Postenanit, Radovës, Çarçovës etj.
E këto janë të mbledhura së bashku në kantinën e Theodhor Bregut, të përpunuara në mënyrën artizanale me një profesionalizëm të jashtëzakonshëm.
Kjo sepse për dashamirësit e verës, Leskoviku është parajsë.
Nëse të bie rruga përgjatë fundjavës, dritare.net të sygjeron të shëtisësh ndër vreshtat dhe të admironi pamjet mahnitëse natyrore të këtij rajoni të paprekur shqiptar.
Sepse Theodhor Bregu të pret te kantina, për të provuar verën e tij më të mirë!/dritare.net
https://m.youtube.com/watch?feature=youtu.be&v=JzYQqEoUUDE