Video/ Këngëtari i famshëm grek, George Dalaras, ndez Amfiteatrin te Liqeni
Dritare.net
Mbrëmjen e së mërkurës në kodrat e liqenit u dëgjuan tingujt e muzikës greke nga i famshmi George Dalaras. Shkallët e Amfiteatrit të Tiranës ishin plot, por edhe nga përtej kangjellave rrethuese kishte publik i cili s'kishte mundur të siguronte biletën. Dalaras, një nga këngëtarët grekë më të famshëm edhe jashtë kufijve të Greqisë, megjithëse 70-vjeçar, ngriti peshë zëmrat e spektatorëve duke kënduar "live" më shumë se 2 orë. Atmosfera arrinte kulmin kur herë pas here Dalaras ulte zërin dhe linte të këndonte publikun e Tiranës, i cili ia njihte pothuaj krejt repertorin.
Diku nga mesi i koncertit artisti grek prezantoi bandën e tij prej 9 instrumentistesh dhe 1 back vocal dhe surpriza ishte se në fizarmonikë luante një shqiptar. Dasho Kurti nga Elbasani. Pikërisht Dasho ishte arsyeja që Dalaras të interpretonte edhe disa këngë shqiptare. Këto ishin momente vërtet emocionuese por më prekësi ishte kur instrumentisti shqiptar këndoi një këngë të kompozuar prej tij dhe që ia dedikonte nënës së tij, e cila kishte ardhur enkas nga Elbasani për të parë koncertin.
Në shkallët e amfiteatrit gjendej edhe kryepeshkopi Anastas Janullatos si dhe plot gazetarë e emra të njohur të jetës kulturore të qytetit.
Dalas është nga të paktet këngëtarë grekë që kanë një famë ndërkombëtare. Ai vlerësohet për bashkëpunimet e tij të suksesshme me Mikis Theodorakis, Sting, Bruce Sprengstin etj/dritare.net