Video/ Blloku i ri i Tiranës së të pasurve!
Dritare.net
Larg Tiranës së zhurmshme, larg pallateve shumëkatëshe dhe larg trafikut të rënduar, prej kohësh po merr formë, një Tiranë e re, Tirana e vilave dy-tre katëshe, e qetësisë dhe lulishteve, e rrugicave të vogla e të bukura.
Sapo kalon Saukun, dhe merr rrugën për Petrelë, gjithkujt i bien në sy rezidencat luksozë që janë të shtrira në faqe kodrash në të dy anët e rrugës.
Dritare.net sjell sot pamjet nga jashtë , sepse hyrja në shumicën prej tyre është e ndaluar për persona të jashtëm, dhe ndalohet filmimi. Por nëse shikoni videot tona, do njiheni me "Bllokun e Ri" që ka zëvendësuar prej kohesh atë të vjetrin e ish Byrosë.
Tani që ish Byroja e Enver Hoxhës jeton në Laprakë dhe pret t'i nxjerrin nga shtëpia, për shkak te ndërtimit te Unazës së Re, të kamurit e rinj të këtij vendi po ndërtojnë Bllokun e Ri, në kodrat e Tiranës së vjetër.
Në vendin ku rrugët janë ende të pashtruara mirë, por një qetësi e mahnitshme i rrethon këto zona.
Përreth 10 kilometra rruge, vilat lukzose të stilit perëndimor po lulëzojnë dita ditës, dhe nuk ka përfunduar e gjitha, edhe më shumë po bëhen, dhe duket qartë se biznesi i vilave të vogla po përjeton kulmin në këto kohë kur vendi është përfshirë në debate të ashpra publike, në debate që kanë zgjatur për 30 vite me radhë, për pronat, për legalizimet, për shpronësimet dhe për kompensimet.
Tirana jashtë qendrës, po ndërtohet, pa shumë zhurmë e bujë, të pasurit e vendit po i ikin rrëmujës, dhe po zhvendosen në periferi.
Vila e hapësira të mirëorganizuara, të distancuara nga njëra tjera, me lulishte, me roje private që kontrollojnë 24 orë. E nuk të lënë t'u afrohesh, poqese nuk banon aty, apo nuk të pret dikush. Si dikur në Bllok./ dritare.net