Veliaj: Gjykatësja që ka marrë vendimin për 17 katëshin, ka prenotuar shtëpi dhe garazh
Dritare.net
Bashkia e Tiranës ka denoncuar gjyqtarët që do të gjykojnë këtë çështje.
“Në media kanë qarkulluar fakte dhe informacione që vërtetojnë se kjo trupë gjyqtarësh, e përbërë nga Arjan Qafa, Enkelejda Metaliaj (Softa) dhe Alkelina Gazidede, është në konflikt interesi me këtë çështje dhe e ka humbur parimin e paanshmërisë. Tashmë, është fakt se gjyqtarja Enkelejda Metaliaj (Softa) ka lidhje familjare me aksionerin e kompanisë “Gener 2”, Artan Metaliaj, dhe si e tillë nuk mund të jetë pjesë e trupës që gjykon çështjen e pallateve të Diga e Liqenit për konflikt të pastër interesi. Gjyqtarja Alkelina Gazidede prej më shumë se një jave ka dhënë dorëheqjen nga gjykimi i kësaj çështjeje, e megjithatë dorëheqja e saj është refuzuar nga kryetari i gjykatës për arsye që nuk i dimë. Pra, znj. Gazidede “detyrohet” të gjykojë një çështje “jashtë vullnetit të saj”, thuhet në njoftimin e Bashkisë.
Më tej, Bashkia rendit dyshimet mbi gjyqtarin Arjan Qafa.
Z. Qafa është dekretuar Gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit më datë 15 mars 2016. Në datën 31 Mars 2014, Qafa është kallëzuar në Prokurori nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, për fshehje pasurie dhe deklarim të rremë të pasurisë. Gjyqtari i dekretuar nga Presidenti Nishani është kallëzuar asokohe, në cilësinë e ish-Inspektorit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, pra të njeriut, të ngarkuar me ligj, për kontrollin e punës dhe integritetit të gjyqtarëve. Për rastin në fjalë, ILDKP ka njoftuar zyrtarisht KLD dhe Pastrimin e Parave.
Z. Qafa është akuzuar për fshehje të Depozitës, fshehje të llogarisë rrjedhëse, deklarim të rremë si dhuratë në shumë 37.000 Euro, të cilat i ka disponuar kesh dhe më pas i ka përdorur për blerje Apartamenti, deklarim të rremë dhe mungesë e burimit ligjor të shumës 70.000 Euro kesh “nga bashkëshortja” në vitin 2008, deklarim të rremë dhe mungesë e burimit ligjor, “para të dhëna hua” nga bashkëshortja 5.000.000 lekë të reja etj.
Qafa gjithashtu është në konflikt interesi pasi më datë 11 Mars 2010 ka lidhur një kontratë porosi për shtëpi dhe garazh me kompaninë “Gener 2”.
“Bashkia e Tiranës denoncon para opinionit publik gjithë këtë aferë se gjyqi që do të zhvillohet nesër është i montuar sepse dy kushërinj dhe partner të kompanisë “Gener 2” do të vendosin për shkatërrimin e Liqenit të Tiranës. Bashkia e Tiranës siguron qytetarët e saj se nuk do ta lejojë ndërtimin e kompleksit me 5 pallate 17 katëshe, pavarësisht turpit të përmasave të këtij skandali të pashoq” – mbyllet deklarata.