Vajza që ndërton varka: Ka gjëra që dora e një femre mund t’i bëjë shumë mirë
Dritare.net
[caption id="attachment_537052" align="alignleft" width="300"] Genta Ahmeti[/caption]
Po, unë kam përfunduar Universitetin Bujqësor, Degën e Përpunim Drurit në Fakultetin e Shkencave Pyjore. Babai im është inxhinier dhe unë jam rritur duke luajtur me drurin. Për mua druri përbente një emocion të veçantë, prandaj kjo bëri dhe zgjedhjen time. Dëshiroja që një ditë edhe unë të mund të krijoja art me drurin
-Domethënë e paskeni pasur rrugën të diktuar nga familja, në një farë mënyrë?
Gjërat nisen duke luajtur, të ngulësh një gozhdë, të hapësh një vrime apo të pastrosh një sipërfaqe. Duke luajtur t’i ndien aromën e drurit dhe pa e kuptuar fokusohesh te ajo dizenjo karakteristike për çdo lloj druri dhe për çdo copë. Në moshën 8-9 vjeç ndërkohë që babai im në një pjesë të oborrit tonë ndërtonte shtëpinë prej druri, unë isha ndihmësja e tij. Ndërkohë që shtëpia merrte formë dhe ngrihej para syve të mi për mua ishte sikur të kisha ndërtuar një kështjellë edhe pse isha thjesht një fëmijë që po ndihmonte. Kjo ndikoj te profesioni që për mua është më shumë pasion dhe në atë orientimin tim e të bërit art dhe gjera sa më të bukura me dru.
-Kam pas gjithmonë përshtypjen se të punosh me drurin është antistres, si është për ty, marrëdhënia me drurin?
Druri është vërtet antistres. Për mua është të merresh me diçka të gjallë. Druri ka ngjyrë, shije dhe aromë natyrale në çdo moment por mbi të gjitha druri merr frymë. Për mua çdo copë druri në bazë të formës që ka me lë të kuptoj se çfarë objekti apo orendi do të jetë. Edhe pse tashmë jam e rritur, me drurin unë vazhdoj të luaj.
-Nuk kisha dëgjuar më parë për një vajzë që ndërton varka. Duket më shumë punë për burra. Si e përballoni?
Në fakt është e vërtet të ndërtosh mendohet gjithnjë si punë që mund t’i bëjnë vetë burrat, por ka gjëra që edhe dora e një femre mund t’i bëj shumë mirë. Ndërtimi i një varke është punë aq sa fizike edhe mendore. Procesi i punës është i ndarë në 3 faza të cilat një femër me kujdesin që tregon mund t’i bëj shumë mirë. Në fillim është projekti që lexohet dhe zbërthehet në çdo detaj, më pas është krijimi i maketit dhe shablloneve. Faza përfundimtare është ndërtimi i varkës në përmasat e sakta me materiali e përcaktuar. Duke qenë se puna është e ndarë në detaje të vogla dhe duhet shumë kujdes, për mua është diçka që vërtet bëhet me kënaqësi. Ajo që mendoj është se kur gjërat bëhen me kënaqësi dhe plot pasion nuk ndihen lodhje apo vështirësi.
-Që të ndërtosh anije besoj duhet të kesh informacione shtesë rreth mënyrës së si funksion, cila është marrëdhënia juaj me këtë mjet?
Jo vetëm për të bërë varka e anije prej druri por unë do të thosha që në çdo profesion duhet të jesh gjithnjë duke mësuar. Për mua studimi nuk ishte thjesht të përfundoja studime e përpunoja diplomën, por është në vazhdimësi. Për të qenë gjithnjë sa më e përgatitur në çdo hap më duhet të studioj thuajse çdo ditë. Tashmë varkat janë bërë pjesë e imja.
-Sa të mëdha janë varkat që ndërtoni?
Në disponojmë rreth 6 projekte që janë të varkave me përmasa të ndryshme. Aktualisht është filluar puna me 3 modele. 2 nga modelet e varkave janë sportive të përmasave 2m-2,40m. Një model është varkë sportive me vela kurse tjetra është me velë ose motor të jashtëm. Modeli i 3-të që është në proces pune është varkë peshkimi me motor të jashtëm por është me velë i përmasave 5,60 m. Ajo që synojmë në projektet tona është të kemi një kthim në traditë, por edhe të jemi sa më ekologjik.
-Ju përveç se ndërtoni, lundroni me varkë?
Për momentin unë po i ndërtoj, ende nuk kam mësuar që t’i drejtoj unë varkat me vela, por lundroj sa herë më jepet rasti me miq të mi. Dëshira për të qenë edhe vetë drejtuesja e një prej këtyre varkave është e madhe. Së shpejti mendoj të filloj edhe kursin për drejtimin e varkave me vela. Do të jetë një hap më shumë drejt zhvillimit tim profesional.
-E kujtoni punën e parë në këtë drejtim, si jeni ndjerë?
Në fakt unë prej vitesh kam punuar me mobilierin dhe ndërkohë studioja për të ngritur një varkë. Puna e parë ka filluar vjet në qershor së bashku me babain tim. Ishte aq sa emocionuese sa edhe diçka që konsiderohej absurde. Një varkë që po ndërtohej në periferi të kryeqytetit dhe jo pranë detit. Për të qenë më konkrete këto varka kanë filluar të ngrihen për kënaqësinë tonë. Por besoj se së shpejti do të jenë pjesë e projektit të plotë, për krijimin e një muzeu naval në Shqipëri.
-Si është dita e një inxhiniere druri si ju?
Dita për mua fillon në orën 08:00 në punishten tonë në Prush së bashku me babain. Në ditë të përcaktuara më duhet të jem në Tiranë rreth mesditës për t’u marrë me pjesën e detyrimeve shtetërore. Kryesisht dita e punës në punishte vazhdon deri në orën 15:00. Pas kësaj ore për mua është gjithnjë kohë studimi apo përpunimi të projektit të muzeut e cila vazhdon deri në orën 20:00. Me miqtë e mi jashtë Shqipërisë të cilët janë dhe pjesë e ekipit tim mbështetës kemi çdo 2 ditë kohën e konsultave. Duke qenë se ata janë specialistë të muzeologjisë, arkeologë dhe arkeologë detar kemi konsultat për informacione historike. Duke qenë se projekti ime është jo vetëm kthimi në traditën e ndërtimit të varkave por edhe ajo e të paturit një muze të detarisë tonin. Prandaj puna në këtë periudhë është shumë intensive në mënyrë që të mund te japim sa më shumë informacion. Dita ime normale e punës përfundon në orën 23:00.
-Ju keni vite që merreni me këtë punë, çfarë keni mësuar prej këtij profesioni?
Kam mësuar shumë por dhe kam ende për të mësuar shumë nga kjo punë. Duke qenë se ka gjithnjë detaje për të përmirësuar apo informacione historike për të mësuar, studimi është çdo ditë.
-A ju është “kalitur” durimi?
Durimi është një pjesë, është kalitur ndër vite. Tashmë të merresh me varkat ka durimin tim maksimal. Kjo është një gjë që edhe të relakson në të njëjtën kohë.
-Mesa kuptuam jeni shumë persona në familje që merreni me këtë punë…
Në familje ne jemi 4 inxhinierë. I pari është babai që është inxhinier përpunim druri, pastaj jam unë që kam ndjekur hapat dhe pasionin e tij për varkat. Motra ime edhe ajo inxhinier druri si dhe kunati dhe miku im njëkohësisht. Mund të thuhet se kjo punë është një traditë e familjes.
-Genta, jeni e kënaqur me këtë punë dhe cilat janë ambiciet e tua në këtë drejtim?
Kënaqësia me këtë gjë nuk ka përshkrim, por dëshira dhe qëllimi im është që të mund të prezantoj edhe historinë tonë të detarisë me një muze naval në Shqipëri. Dua që t’i jepet mundësia publikut jo vetëm t’i shoh se si prodhohen, por dhe kush jemi./dita.al- Nga Entela Resuli