Urimi 2016, për sipërmarrësit shqiptarë

rudina_xhunga11 Janar 2016

-Albanian Stories

Alfredi i Rapsodisë u nderua me çmimin “Bleta e Artë”, vitin që shkoi. Një çmim simbolik nuk është asgjë për të vlerësuar rapsodinë e shijeve të një djali duarartë, që e ka kthyer restorantin e tij në Shëngjin në ndalesën e ushqimit të bukur. Nëse dua ta njoh dikë me gatimin e një shqiptari, e çoj te “Rapsodia” dhe ndihem e lumtur, kur e prezantoj me pjatat e pazakonta, gjithë ngjyra dhe erë të mirë të mjeshtrit.

Alfredi është njeriu që dua t’i uroj këtë fillim viti, një restorant plot dhe mijëra si unë që e çmojnë dhe marrin kënaqësi, prej tij dhe ideve që e shndërruan, nga njëri prej atyre që emigruan, në mjeshtrin e padytë të ushqimit.

 

Luca është një mik që unë nuk di kush s’e ka mik, në këtë qytet. Ai që nuk ka provuar pjatat e peshkut të Rozafës, ka privuar veten nga ca ndjesi aq të mira, sa tregohen me fjalë. Nëse ke njerëz për darkë dhe nuk telefonon Rozafën të të sjellë darkën gati, nuk di ç’ke humbur. Nëse do të hash një drekë familjare, dhe do të shkosh diku, ku ndihesh në shtëpi, shko te Rozafa, përballë ish-Zërit të Popullit, afër ish-stacionit të trenit. Koha, gjërat i bën ish, por Rozafa ishte dhe është, siç ishte Ndrek Luca dhe është i biri, Gjergji.

 

Ndërsa, po nuk do të hash në restorant, por në shtëpi, nuk besoj se ka gjë që të mungon dhe nuk e gjen te Neranxi. Ata të dy, burrë e grua e provuan, si shumëkush, ta lënë këtë vend. Po ky vend nuk të lë.  E nisën me piper. Tani janë piperi i çdo tavoline, janë sheqeri i çdo ëmbëlsire, janë spirulinë, nëse të duhet.

 

Kur mendoj për shtëpinë, shtëpia për mua është Ardeno. Është tavolina ku mbledh miqtë dhe familjen, janë karriget e bukura, divani i madh, gjithçka me dru dhe pasion, që ka emrin e Toninit dhe së shoqes, atij çifti, që kush po më lexon dhe i njeh, e di mirë se nuk shtoj asgjë, kur tregoj për duart e mençura dhe zemrën e bardhë të tyre.

 

E për të mos ikur nga shtëpia,  nuk ke shtëpinë e ëndrrës, po qe se nuk hyn Gëzimi në shtëpinë tënde. Artisti i hekurit, një shtëpie të zakonshme, i shton ca shkallë, këmbë tryeze, mbajtëse çelësash, këmbë pasqyre, krevate dhe ca çudira të vogla, që e bëjnë të madhe shtëpinë tënde dhe pastaj, kur ai ikën, ke nevoje për hudhër në shtëpi.

 

Hudhrat bliji ku të duash, por gjitha të tjerat, që i duhen frigoriferit dhe stomakut tënd, bliji te EHW. Sepse nuk ka ushqim, pa besim. Nuk ka biznes, pa besuar. Dhe kush e njeh Luanin e kupton, pse duhet blerë EHW.

 

Këta njerëz dhe të tjerë si ata, si Neli dhe Beni i këmishave të shkëlqyera, Genti i Kodrës së Diellit e Ullinjve, Jonida e Farmës Sotira, Marku i Valbonës, Meti i parajsës buzëdetit, ne Sarandë, Diella e Vainit,  Gazi i Beratit, Paulini i Thethit,  Frani i verës “Arbër”, e sa të tjerë që njoh dhe s’njoh, janë Blej Shqip, bërë në Shqipëri, janë marka, vula jonë e prodhimit shqiptar. Që një zot e di sa të vështirë e ka t’ia dalë në një vend ku njeriu nuk i gëzohen tjetrit.

 

Me probleme, pa plan, pa ide, me llafe e llogje në blogje, me ligësi burokratike,  pamundësi, gjoba,  sipërmarrësit shqiptarë, ata që nuk marrin kredi për të blerë të kaluarën, por të ardhmen, janë njerëzit më të bekuar të këtij vendi, janë mundësia jonë e vetme, për t’u zhvilluar. Janë ata qe dua t’u them gëzuar në fillim vit, paçi një vi të mbare, se mbarë për ju, mbarë për të gjithë. Pa ta nuk do ketë Shqipëri të re.  Është pa zemër, kujt nuk i vjen keq për Shqipërinë e vjetër,  të çuar dëm, për mundin e mijëra njerëzve, që panë t’u shembej, brenda ditës; Azotiku, Metalurgjiku, Fabrika e Llambave, Kombinati Tekstil, vetëm pse çmenduria kolektive besoi te çeku i bardhë. E pra , koha tregoi që çek të bardhë nuk pati. 25 vjet ikën si ikën. Që 25 të tjerë, të mos ikin kot, që të bëhet  ky vend, që ta mbajmë dhe të na mbajë, të parët,  lokomotiva, qofshin sipërmarrësit tanë,  prodhimi ynë, shqiptarët që provuan  të prodhojnë Made in Albania.

 

U shtofshin dhe përmirësofshin! Ky është  urimi im 2016.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.