Universiteti s’ka nevojë për pakt, por për reformim!

Nga Dosti Banushi
Të bësh pakt do të thotë të bësh kompromise. Arsimi universitar në Shqipëri s’ka nevojë për kompromise, sepse ato e kanë shndërruar kështu siç është.
Universiteti ka nevojë për reformim substancial, reformim që do të marrë kohë, por që të marrë kohë, duhet të fillojë njëherë. E që reformimi të fillojë, duhen ndërtuar mekanizma ligjorë. Duhet një ligj i ri për arsimin e lartë, sepse ai i vjetri e vërtetoi cilësinë e vet, që kur nxorri në rrugë mijëra studentë shqiptar. Universiteti ka ngelur në kohë për shkak është abuzuar dhe askush s’ka pasur si qëllim të merret seriozisht me të. Lek ka, por s’ka mirëmenaxhim. Zgjidhje ka plot, por s’ka vullnet për t’i realizuar.
Sot universiteti s’ka infrastrukturë studentore.
Sot universitetet nuk kanë të bashkëlidhur as shtypshkronjë ku mund të botohen punët kërkimore të studentëve dhe pedagogëve. Çdo iniciativë për të zhvilluar ndonjë punë kërkimore ka kosto shumë të larta që akademikët vet zor se i mbulojnë, prandaj rrjeti akademik shqiptar nuk ka veprimtari akademike. Si t’i thuash një elektriçisti të instalojë një rrjet elektrik, pa tela. Universitete pa mendim akademik.
Cilësia e pedagogjisë matet me produktin shkencor që një pedagog jep. Mirëpo përsa kohë produkt s’ka, nuk mund të kontrollosh vlerat akademike të një pedagogu. Mungesa e këtij mekanizmi kontrolli, ka futur në universitetet shqiptare ato qënie, të cilët sillen si akademikë, por që ne studentët me të drejtë i quajmë “upupudemikë”.
Universitetet, që të rrisin financat, për sa kohë nuk gëzojnë asete të tjera (pra as godinë, as shtypshkronjë, as asgjë) detyrohen të rrisin kuotat e pranimit, në mënyrë që të vinë sa më shumë studentë, e të fitojnë duke i tarifuar ato. Rritja e kuotave, ul mesataren e pranimit. Kjo dëmton rëndë cilësinë e mendimit në universitet. Por jo vetëm. Shoqëria dëmtohet gjithashtu, sepse nëse pranon më shumë studentë, rritet numri i të diplomuarëve, e duke u rritur numri i të diplomuarëve, ulet vlera e diplomës. Nëse ulet vlera e diplomës, atëherë tregu i punës, bëhet akoma më kaotik seç është. Fjala që vjen, çfarë do bëjnë rreth 100 filozofë që nxjerr në vit Universiteti i Tiranës? Çfarë i dallon ata nga njëri-tjetri? Çfarë mundësish punësimi kanë ata në tregun shqiptar? Po mungesat që janë krijuar në qarqet profesionale si hidraulik, mekanikë etj?
Moslidhja e universitetit me tregun e punës krijon pasiguri të madhe ndër studentë. Ne madje jemi të detyruar të punojmë kotazi. Nuk ka asgjë të keqe të punosh, çdo student duhet të punojë. Por është e kotë ama, të studiosh inxhinieri telekomunikacioni ditën dhe të punosh në call-center natën. Shumica e studentëve e fillojnë karrierën e punësimit që në fillim jashtë profilit të tyre dhe ashtu e vazhdojnë.
Universitetet s’kanë asnjë marrëdhënie me bizneset, pranë të cilit studentët mund të punojnë apo të kryejnë intership të paguar. Biles universitetet s’kishin marrëdhënie të tilla as me qeverinë, derisa ne studentët dolëm në protestë.
Universiteti është i organizuar në mënyrë primitive, çdo gjë ose është tmerrësisht burokratike, ose çudi e spontanitetit. Për shembull duhen mbi 5 ditë, nëse je me fat, të marrësh një vërtetim që je student. Ose ato konferencat e mendimit akademik, që kur zhvillohen, fotografohen nga NASA, se konsiderohen njësoj si ato ngjarjet e rralla astronomike që ndodhin njëherë ndër shekuj.
Megjithatë ky kaos dhe çmenduri është kuptuar nga të rinjtë. Ne e kemi kuptuar që në fakt, pavarësisht mundit që japim në studime, gjasat janë që e ardhmja ka për të qenë e padëshirueshme. Kombinuar kjo dhe me pamundësitë e tjera të të jetuarit në Shqipëri dhe krahasimin që i bëjmë vetes me moshatarët tanë në Evropë, ne të rinjtë ndihemi të pasigurt, të mërzitur, të pakënaqur, të irrituar. Problemi më i madh është se nuk na shpëton më as diploma! Prandaj dhe ikim!
Unë e di që këto kohë Shqipëria po vuan nga kriza të rrezikshme të prodhuara si gjithmonë nga politikanët shqiptar, por ama nuk duhet të vonojmë për të diskutuar në publik çështjen e arsimit shqiptar dhe mekanizmat që duhen ndërtuar për të shpëtuar universitetin nga moçali ku është zhytur. Të rritet financimi i universiteteve dhe të krijohen mundësitë për vetfinancimim, që ato të zhvillohen. Të largohen abuzuesit dhe korruptuesit, të mirëfunksionojë veprimtaria akademike, të lejohet krijimi i organizimeve studentore, siç janë Këshillat Studentorë, të nxiten mekanizmat e kontrollit. Kaq e vështirë është?
Nëse nuk disktuojmë publikisht dhe nëse nuk shohim asnjë projekt nëpërmjet të cilit po shtrohet ndonjë rrugë reformimi, me siguri që ne studentët do revoltohemi sërish rrugëve. Ama: Një herë faji jot, dy herë, faji im! Po u ngritëm për herë të dytë, vetëm në bëftë ndonjë mrekulli Perëndia, se ata që e kanë lënë universitetin të kalbet, zor se shpëtojnë më. I vetmi që do shpëtojë është Universiteti, që s’do i qeshet më në fytyrë me një pakt që nuk zgjidh asgjë, por do i thuhet faleminderit nëpërmjet një reformimi rrënjësor./ Dritare.net
LEXO DHE :  Kapiteni Hysaj: Ta harrojmë ndeshjen me Andorrën, Franca nuk bën dhurata

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.