Unë jam një femër. Jetoj sipas një mesatareje sociale që mendësia e një populli të vuajtur e të pashpresë ka vendosur për mua. Nuk më lejohet të gëzohem, të dal për qejfin tim, të vishem si të dua, të njoh një mashkull që unë gjykoj se është i duhuri për mua,të shkollohem sipas aftësive të mia në të nxënë, apo më vonë, të pretendoj për një karrierë të mirë, a nje post drejtues, se sipas “popullit” , këto janë pretendime të përdalash.
Unë jam një femër dhe më kanë mësuar që në jetë duhet të jem e përulura, e destinuar për t’i shërbyer tim shoqi, kushdo qoftë ai, qoftë pijnec, bixhozli, xheloz që nuk do lejonte as diellin të më prekë trupin. Jam femër e destinuar për të qënë një shtëpiake e mirë, punëtore e arave pronë të familjes, shërbëtore e familjes, fajtore e vetme për cdo gabim të fëmijëve të mi, e heshtur gjithmonë, se si femër që jam, nuk di të vendos e as të gjykoj mbi problemet familjare, gjë të cilën e bëjnë burrat zakonisht.
Jam femër e si e tillë nuk më falet gabimi, edhe pse njihet botërisht që asnjë qënie njerëzore nuk është e përsosur, unë duhet të sillem si e tillë. Njerëzit duhet të flasin mirë për mua, se vetëm kështu ruaj nderin e familjes. Nëse gaboj, dënohem rënde. Çdo dënim do ishte lehtësisht i përballueshëm për mua, përveç vdekjes, asaj s’do di t’i bëj ballë.
Unë jam një femër e vuaj për fatin tim, po nuk lëshoj zë, mund të më qëllojnë, shpesh edhe pa e kuptuar arsyen pse, po nuk bëj zë, nuk dua të bëhem viktima e radhës që mbush televizionet me lajme, apo faqet e gazetave. Nuk dua të bëhem kujtim i hidhur për fëmijët e mi. Hesht që të jetoj. Më është imponuar kjo mënyrë jetese, ama nuk më është imponuar mendimi se kjo është e duhura për mua. Edhe pse nuk kam ku të ngre zë,nuk kam ku te mbështetem, unë e di se meritoj më shumë. E di se meritoj barazi, e askush nuk ka lindur më i madh a më i vogël, padron apo skllav, njeri për të qënë i nënshtruar ndaj një qënie tjetër njerëzore, kundër dëshirës së tij. Megjithatë hesht se nuk zgjidh dot asgjë.
Sa shumë që duhet të paguajmë vetëm për të marrë frymë! Të mjerat ne!/dritare.net