Turizmi, jo politika, mund të ndryshojë Shqipërinë!
Dritare.net
Nga Dritare.net
Shqipëria nuk është një vend i varfër, të paktën jo për nga pasuritë natyrore dhe destinacionet turistike. Një vend më strategji gjeografike për t’u pasur zili, ku kemi mundësinë të ofrojmë turizëm në çdo stinë të vitit.
Edhe pse qëndroi për më shumë se 20 vjet, një vend i paprekshëm për të huajt, sot edhe Shqipëria është një zgjedhje për të kaluar pushime. Sezoni turistik është shumë pranë hapjes së tij dhe dritare.net do t’iu ofrojë shumë shkrime lidhur me turizmin shqiptar, sepse është ky që ndryshon Shqipërinë dhe jo rrëmuja politike në të cilën ndodhemi.
Dritare.net kontaktoi me një prej agjencive turistike më të vjetra në vend, Albtours D e cila është në treg që prej vitit 1994. Enver Mehmeti, Drejtor ekzekutiv Vas Group, thotë për dritare.net se të gjithë duhet t’i kushtojnë më tepër rëndësi turizmit, pasi Shqipëria për këtë ka nevojë.
Dritare.net- Çfarë ofron agjencia juaj për turizmin shqiptar ndër vite dhe si njihet Shqipëria?
Enver Mehmeti- Në fillim kemi nisur thjesht si një agjensi udhëtimi dhe ne njihemi me emrin AlbTours D, gërma D simbolizon qytetin e Durrësit. Misioni ynë ishte të përfaqësoheshim në cilësinë e shërbimit dhe të ishim direkt shitës në tregun e turizmit për pushuesit shqiptar në dimensione të ndryshme. Më pas, pjesëmarrja në panaire të ndryshme në botë, na ka dhënë një vlerë të madhe njohëse.
Pas vitit 1998, filluam të prezantoheshim si një tur operator incoming, ku të huajt vijnë në Shqipëri. Në këtë moment kanë nisur prurjet e para të të huajve në vendin tonë, kryesisht vinin me grupe. Ato vite kanë qenë shumë të vështira, Shqipëria ishte me shumë probleme, ndërkohë në Kosovë kishte nisur lufta dhe nuk dihej në kishte siguri.
Në ditët e sotme ne kemi krjuar një kompani menaxhimi për destinacione, e cila është e shtrirë në të gjithë tregun, jo vetëm në Shqipëri. Por, organizimin e pushuesëve të huaj edhe në Kosovë e Maqedoni, në rajon njihemi me Vas Tour, ndërkohë këtu në Shqipëri me emrin Albtours D. Edhe sot, misioni ynë është kualiteti i shërbimit dhe ofrimi i produkteve për operatorë të ndryshëm, të cilët duan e kërkojnë të zbulojnë Ballkanin, edhe pse baza është Shqipëri, Kosova dhe Maqedonia.
Sot Vas Tour përveç Shqipërisë, ka zyrat e veta në Kosovë, Maqedoni, Austri dhe Meksikë, gjithashtu ka shumë zyra në botë që punojnë nëpërmjet platformës tonë. Vas Group në vetvete përmban disa marka dhe kompani të cilat integrohen në drejtime të ndryshme, por të gjitha të drejtuara në fushën e turizmit.
Në vite gjërat kanë ndryshuar shumë dhe sot mund të them që kemi arritur standartet më të larta, duke e bërë Shqipërinë një vend të preferuar për shumë turist. Të cilët vlerësojnë thesaret tona, ushqimin tradicional, vendet historike, apo destinacionet malore ose bregdetare.
Dritare.net- Krahasuar me vendet e tjera të rajonit si është turizmi shqiptar, ku pozicionohemi ne?
Shqipëria tanimë është futur në tregun e turizmit botëror, shumë prej shteteve kryesore e kanë futur vendin tonë në katalogun e tyre të destinacioneve. Turistët janë nga të gjitha vendet, që nga Amerika, Tajlanda, Koreja, Kina, pa diskutim edhe nga vendet evropiane.
Ne jemi një pikë e konsoliduar tashmë në hartën demografike, për këtë arsye pothuajse çdo tur i Ballkanit nuk kalon pa Shqipërinë. Më tepër vijnë grupe turistësh, por edhe kërkesa të individëve për të ardhur në Shqipëri janë shtuar shumë.
Dritare.net- Turizmi është një prej burimeve kryesore të arkës së shtetit, por sa rëndësi i jepet kësaj fushe nga aktorët politikë?
Turizmi është i vetmi faktor ndikues në rritjen e cilësisë dhe ekonomisë së një vendi. Cilado forcë politike të jetë në pushtet e di që turizmi është shtylla kryesore për rritjen e ekonomisë.
Shqipëria është fat, ka diell, male, det. Një vlerë e shtuar është se shumë prej vendeve tona, janë të ruajtura nga UNESCO. Kemi një gastronomi të shkëlqyer dhe traditë të veçantë.
Në një sipërfaqe shumë të vogël i ka të gjitha dhe sot është krim nëse nuk e trajton këtë vend ashtu siç duhet. Pavarësisht tranzicionit, unë kam bindjen që nëse ekziston dëshira e mirë edhe nga agjensitë turistike, shërbimi i turizmit mund të përmirësohet më tepër.
Dritare.net- Po politika e ka dëshirën e mirë?
Asnjë biznes në çdo vend të botës nuk bëhet pa një politikë mbështetëse, prandaj duam apo nuk duam, tavolina do të mbajë aktorë të biznesit por edhe të politikës. Këtë bashkëpunim unë e quaj vlerë kur ai kuptohet nga të dyja palët, mendoj se kontribuoj sado pak që ndaj me politikën nevojën që ata duhet të ndikojnë në turizëm. Por, përsëri sektori privat është më ambicioz dhe është një hap para, për sa i përket turizmit.
Dritare.net- Qeveria bëri uljen e TVSH-së nga 20% në 6%, sa do të ndikojë kjo në ofertat që bëjnë agjensitë turistike?
Heqja e TVSH-së nga 20% në 6% ende nuk është në fletoren zyrtare, por jemi duke pritur. Kjo ishte një kërkesë që në agjensitë e udhëtimit ia kemi bërë vazhdimisht qeverive që kanë qenë në pushtet, kjo pasi do të sillte shumë lehtësi për ne, në përmirësimin e shërbimeve dhe uljen e çmimeve për klientët.
Dritare.net- Sa prezente janë investimet e huaja në vend, a ofron politika një terren mbështetës?
Shqipëria nuk ka akoma një rrjet të investimeve të huaja, kryesisht janë investime shqiptare. Kjo është gjë negative, pasi ne duhet të hapim mundësitë që investitorët e huaj të vijnë këtu. Kemi resurse të jashtëzakonshme, pse jo të investojnë në Shqipëri, në këtë mënyrë rritet edhe ardhja e turistëve, por bëhet edhe marketingu indirekt, për të cilin kemi shumë nevojë. Shqipëria shihet si një vend me siguri të pakët dhe me interesa të ulëta të fitimit. Prandaj, duhet të krijohen politika ndihmuese që investitorët e huaj të vijnë dhe të hedhin kapitalet e tyre këtu./dritare.net