Tjetër shkarkim në administratë për përfshirje në fushatë
Dritare.net
Mësohet se së fundmi, Marisa Kaçori, Drejtoresha e Shërbimit Kombëtar të Punësimit është shkarkuar për përfshirje në fushatë.
“Në kuadër të masave të marra për parandalimin e angazhimit të punonjësve të administratës publike në aktivite elektorale, brenda orarit zyrtar të punës, Ministrja e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Znj. Xhulieta Kërtusha ka firmosur sot propozimin për largim nga puna të drejtoreshës rajonale të Shërbimit Kombëtar të punësimit, Tiranë.
Ministrja Kërtusha i ka propozuar z. Artur Mickaj, drejtor i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, largimin nga puna të znj. Marisa Kaçori me arsyetimin se për këtë të fundit ka fakte që vërtetojnë pjesëmarrjen në fushatën elektorale të Partisë Socialiste.
Kjo masë vjen në kuadër të përpjekjeve për të garantuar mospërdorimin e administratës publike në fushatën zgjedhore si një kusht për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Propozimi i Ministres Kërtusha bazohet në urdhërin e Kryeministrit nr. 65 datë 12.05.2017 “ Për marrjen e masave për ndalimin e vënies në përdorim për subjektet zgjedhore të mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme, pronë e administratës publike, si dhe të burimeve njerëzore të institucioneve të administratës publike, të çdo niveli, për zgjedhjet e Kuvendit.
Rekomandim për institucionet në varësi të ministrisë
Ndërkohë Ministrja e Kërtusha i ka rekomanduar të gjitha institucioneve në varësi që të krijojnë një regjistër të posaçëm për monitorimin e prezencës në punë të punonjësve. Gjithashtu kërkohet pezullimi nga puna deri në përfundim procesit zgjedhor, i atyre punonjësve të administratës të cilët kandidojnë në këto zgjedhje parlamentare.
Për të garantuar një zbatim të plotë të kuadrit ligjor në fuqi dhe urdhërit të Kryeministrit, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë bën me dije se është duke verifikuar të gjitha rastet e denoncuara për pjesëmarrjen e punonjësve të administratës në aktivitetet e fushatës elektorale.” thuhet në deklaratën e MMSRS./dritare.net