Tërmetet, si t'i njohim dhe mbrohemi prej tyre!
Dritare.net
Them se ja vlen të them diçka nisur nga zhurma që pasoi tërmetin e të shtunës që kaloi, zhurmë që më bën të ndjehem edhe me turp por edhe me përgjegjësi qytetare për nivelin e ulët të njohurive që ka shoqëria mbi fenomene natyrore që dikur mësoheshin në klasën e pestë.
E për këtë shkak, mendoj se gjithçka ndodhi dhe u diskutua në ambientet tona të gjithë niveleve, përmblidhet në disa pyetje e përgjigje të thjeshta:
1- Çfarë është tërmeti?
Duket si pyetje për fëmijë, por rasti që kaluam tregoi se edhe të rriturit kur janë të paditur janë të papërgjegjshëm dhe mund të sillen si fëmijë, ndaj po shpjegoj me dy fjalë. Tërmeti është dukuri natyrore e përmasave të mëdha, e për pasoje, klasifikohet në fuqitë madhore, të cilat nuk marrin parasysh as dëshirat dhe as ligjet tona. Ca me tepër janë jashtë fuqive tona, ndaj dhe konsiderohet madhore.
Ai është një dukuri natyrore që shkaktohet nga zhvendosja e masave të mëdha shkëmbore në thellësi të planetit tonë, zhvendosje mjaft e vogël kjo, por që për shkak të volumeve të mëdha të shkëmbit që lëviz, mbart energji te jashtëzakonshme, e cila kur transmetohet nga thellësia deri në sipërfaqe të tokës, shkakton katastrofa të rënda.
2- A mund të parashikohet një termet dhe sa është saktësia maksimale e parashikimit te tij ?
Tërmeti tashmë është një dukuri që vëzhgohet dhe studiohet me anë të teknologjive të larta, por megjithatë ai nuk mund te parashikohet me saktësi. Dhe mungesa e saktësisë në përcaktimin e kohës kur mund të ndodhë, vjen thjesht për shkakun se arsyeja qe e shkakton atë, pra lëvizja e masave shkëmbore (Pllakave tektonike) në thellësi disa kilometra nga sipërfaqja e tokës, është shumë e vogël dhe krejt e çrregullt, e për pasojë, maksimumi i parashikimit arrin vetëm tek përcaktimi i të ashtuquajturve cikle të përsëritjes së tërmetit në një zonë të caktuar, term ky mjaft relativ nga pikëpamja kohore.
Sa për ilustrim, po sjell rastin e një zone mjaft të njohur për aktivitetin e saj sizmik, siç është ajo përreth thyerjes tektonike të Shën Andrea-s në Kaliforni, një vijë rreth 1200 kilometra e gjatë përgjatë bregut perëndimor amerikan, përgjegjëse për një sërë tërmetesh shkatërrues në atë zone.
Për shkak të aktivitetit të theksuar sizmik, aty janë përqendruar mjaft stacione sizmologjike amerikane që mbajnë nën vëzhgim gjithë aktivitetin tektonik. Sipas vëzhgimeve në të paktën 150 vitet e fundit, në qytezën Parkfield të ndodhur përgjatë thyerjes së famshme, bien tërmete të fuqisë 6 përafërsisht një herë në 22 vjet, një mesatare kjo thjesht aritmetike, pasi koha nga një tërmet tek tjetri luhatet nga 10 vjet deri ne 30 vjet. Grupi i sizmologëve që e vëzhgonin fenomenin sizmik prej vitesh, përcaktuan se pas tërmetit të vitit 1966, tërmeti i radhës do të ndodhte në vitin 1993, ndërkohë që ai ndodhi në vitin 2004, pra 11 vjet pas parashikimit të tyre. E kur gabuan me 11 vjet shkencëtaret amerikanë që llogarisin me saktësi milimetrike trajektoret e kometave, dhe me saktësi prej sekondash eklipset, kuptohet qartë se sa e vështirë është të parashikohet koha e ndodhjes së një tërmeti në Shqipëri.
3- Për çfarë shërben paralajmërimi i një tërmeti ?
Për asgjë tjetër veçse ngritjen e gatishmërisë së strukturave përgjegjëse ne raste katastrofash natyrore, si dhe përhapjen e panikut mes popullatës. E nëse njoftimi i strukturave përgjegjëse është një detyrë, njoftimi i popullatës është një krim. (Ne ende nuk ja kemi falur ish-kryeministrit Ylli Bufi lajmin që ai dha kur ishte në detyrë, se Shqipëria kishte vetëm tre ditë buke, megjithëse Shqipëria kishte vërtet tre dite buke në depot e grurit. Pikërisht ngaqë burrave të shtetit nuk u lejohet përhapja e panikut, edhe përmes lajmeve të vërteta.)
4- Çfarë duhet të bëjmë kur mendojmë tërmetin e radhës ?
Të kërkojmë zbatimin rigoroz në të gjithë ndërtimet, të normave të projektimit qe marrin parasysh aktivitetin sizmik të zonës ku ndërtohet.
Dhe në momentin e tërmetit t`i ruhemi panikut e ta presim me qetësi atë që do ndodhë. Tek e fundit, ky është planeti ynë hëpërhë dhe një tjetër me të mire nuk kemi ku ta gjejmë./dritare.net
*autori është inxhinier nafte