Telefoni i zi i Kozetës ishte portali, Facebooku i ’90-ës.
Është një banjë , ku kemi thënë e lënë sekrete, se sekretet aty thuhen e shuhen.
Te Kozeta është një tavolinë gjithmonë plot. Lavamani nuk mbetet kurrë pa enë për t'u larë dhe shtëpia kurrë pa njerëz në tryezë. Te Kozera është një ballkon nga ku gjithë ballkonet të duken të vogla. Ballkoni te Kozeta është mes hekurave e rrobave të ndera të dritareve të Myslym Shyrit, po kur ulesh te ajo kolovajza, të ngjan se poshtë është Sena, apo Tamizi. ( Pa pirë asgjë, lëre pastaj të pish).
Te Kozeta s'ka të fshehta. Të gjithë i thonë të gjitha. Dhe bien rehat.
Që koha ka ikur, që jo të gjithë ia dolëm, që edhe ata që ia dolën, nuk dihet pse, tamam, ia dolën. Se në fund të fundit, t'ia dalësh, është lojë fjalësh. Nuk është sa, nuk është si, nuk është ëndërr, është mall. Për kohën e ëndrrave të mëdha.
Te Kozeta je gjithmonë dikur, dje, se aty koha ka ngrirë në shkëlqimin e syve të saj pa asnjë rrudhë, në dorëzimin tonë për të kuptuar, kush është Kozeta. Se rrugës për të gjetur përgjigjen na dolën pyetje të tjera.
Por një ditë, kur të kthehesh prapë të Kozeta, kot, pa dashje, duke ngatërruar derën, mos ki merak, s'ta ka zënë askush vendin.
Është gjithmonë një kënd për ty, një tavëll për cigare, një kalvados, po ke atak paniku, një mace, një bebe me gjasme, dhe një raft ku ke edhe ti gjurmën tënde. Të një kohe kur s'kishte hall e problem, të mos ia dinte zgjidhjen Kozeta.
Tani është vonë, ose shpejt për t'u kthyer te Kozeta.
Po të paktën kemi qenë te treni që të çon në Durrës, makina që rrëzohej në Ardenicë, gjumi buzë lumit në Osum, shtëpitë me batanije në dritare, ku të gjithë interpretonim, atë që do bëheshim një ditë dhe ulërimat në mesnatë, ndërsa regjimi ishte përmbysur: Rroftë shoku Shane Korbeci!
Nuk e di pse pikërisht "shoku Shane", po di me siguri se qe çmimi i antikonformizmit që na vulosi fatet, neve që mblidheshim te Kozeta.
Tani nuk ka më çmime, ka vetëm fatura, po prapë ajo shtëpia, kafe, bibliotekë, kinema, party, "bed and breakfast e muhabet " , është e vetmja shtëpi në Tiranë, që është siç ka qenë, #tekozeta./R.Xh/dritare.net