Të jesh gej dhe të konkurrosh me gratë për dashurinë e një burri
Dritare.net
Ai nuk është gej i deklaruar, por as nuk bën jetë të dyfishtë. Ka mbaruar ekonomikun dhe punon në një Call Center. Edhe pse jeton me prindërit, nuk iu ka treguar asgjë për prirjet e tij seksuale.
“Familjes nuk ia kam thënë. Ata e kanë kuptuar në një farë mënyre, por nuk më thonë gjë. Ndërsa kur më pyesin njerëzit në punë, apo që i takoj në ambiente të ndryshme, nuk e pohoj. Nuk dua të deklarohem. Përgjithësisht janë të rrallë njerëzit që duan të më vënë në siklet dhe unë u përgjigjem vetëm me pyetjen, “Ç të keqe ka të jesh gej”. Them se prindërit e kanë të vështirë ta pranojnë, pasi kanë frikën e paragjykimit. Mendojnë për të ardhmen e fëmijës së tyre, se si mund ta jetojnë nëse tjetri i tregon me gisht, nuk i punëson, e në të tillë mënyrë mbeten në rrugë. Prandaj është e rëndësishme që të jesh i zoti i vetes e të jesh në gjendje të sigurosh jetesën.”
Gej lind apo bëhesh?
Kjo është një pyetje që mundon shumë njerëzve, të cilët përpiqen të kuptojnë ata që kanë prirje të tjera seksuale. R. mendon se e ka pasur të lindur, e ka shfaqur që i vogël dhe e ka pranuar apo kuptuar më mirë, kur ishte adoleshent.
“Prirjen e kam shfaqur qëkur isha fëmijë. Nuk më pëlqente të luaja me lojëra djemsh, play station, kondestrajt, futboll, apo ku di unë çfarë lojërash të tjera. Më pëlqente të luaja me gocat, me shtëpi, me kukulla.
Që jam gej ia kam thënë për herë të parë shoqes sime, e cila nuk e besonte, e quante si shaka. Madje filloi të qante nga rrëfimi im.”
Ai tregon se familja asnjëherë nuk e ka ngutur, apo detyruar të ndryshojë jetën e tij. Jeton lirshëm e nuk e tepron me veshjen, gjestet, të folurin apo sjelljen. Jeta e tij është normale, punë, shoqëri, dalje. Ndryshon vetëm preferenca seksuale.
Ndoshta, dashuria bën që në familje të kalohen apo pranohen disa gjëra. Me shoqërinë nuk ndodh kështu. Ajo është aty duke të vëzhguar, kontrolluar, përfolur, ose edhe duke mos i interesuar fare çfarë ndodh me ty.
“Sigurisht që mbetet tabu, por të flitet si koncept, i ka ndihmuar shumë njerëzit si unë. Duke folur për të tilla gjëra, thyhet veshi dhe nuk mbetet më si ajo gjëja e madhe që po ndodh. Shoqëria të pranon për sa kohë je brenda kontekstit njerëzor dhe nuk cenon të drejtat e tyre. Nga ana tjetër, duke parë njerëz që identifikohen, që flasin, që shprehin orientimin e tyre seksual, personat që e kishin ndrydhur prirjen e tyre deri tani, guxojnë të shfaqen. Nuk janë më aq të vetëizoluar, shohin se ka edhe të tjerë si ata e nuk janë të vetmit. Kjo e bën më të lehtë vetëpranimin”.
R. tregon se sot nuk është e vështirë të gjesh njerëz që i përkasin këtij komuniteti. Ai nuk merret fare me rrjetet sociale, që të njihet me njerëz të panjohur. Lidhjet i krijon me njerëz që i njeh në jetën e përditshme, sepse është në gjendje ta njohë një person që ka prirje të tilla.
“Kur isha adoleshent, shkoja te Aleanca LGBT. Aty ndihesha mirë, kuptoja problemet e mia dhe të atyre që ishin si unë. Ndërsa sot gej dhe lesbike i gjen kudo. I gjen në lokale, restorante, rrugë, në çdo ambient që mund të rrish me njerëz. Për më tepër, që shumë njerëz janë biseksualë dhe shumë të pirur të provojnë diçka ndryshe. Kjo mund të duket e çuditshme, por vërtet janë shtuar shumë njerëzit që kanë prirje biseksuale”.
R. thotë se numri i homoseksualëve në vend është i lartë. Janë të paktë ata që e deklarojnë, por të shumtë ata që e praktikojnë.
“Kanë dalë shumë, sidomos njerëz që janë në moshë, që kanë familje e që në komunizëm, janë detyruar ta mbajnë të fshehtë. Sot janë njerëz me pushtet, që kanë para dhe që përdorin të rinjtë, që nuk i kanë ato. Janë persona që bëjnë jetë të dyfishtë.”
Ata që nuk tërhiqen nga seksi i njëjtë, nuk e kuptojnë se çfarë ndodh me gejtë apo lebiket. Për R. kjo tërheqje është e brendshme, thjesht e ndjen dhe nuk e shpjegon dot pse je gej. Sipas tij, nuk ke si ta shpjegosh.
“Lidhja me femër më duket e pështirë. Nuk më pëlqen fare. Madje femrat e bukura, i shoh si konkurrente, sepse rivalizoj me to për meshkuj. Më duket sikur ajo do t’i marrë ata, pavarësisht se unë kam një pikë të fortë. E di shumë herë më mirë se çfarë kërkon një mashkull. Ia di pikat e dobëta, dëshirat seksuale, mënyrën e eksitimit. I di sepse jam vetë mashkull, ndërsa një femër nuk ka se si ta dijë. Kështu që unë kam aftësi më të madhe për ta bërë për vete seksualisht një mashkull.”
Kjo nuk do të thotë se ai nuk ka qenë me femra. Në kohën e adoleshencës, kur ai po njihte seksualitetin e vet, pati edhe marrëdhënien e parë me një femër. Por, prej atëherë hoqi dorë dhe vendosi përfundimisht se orientimi i tij ishte drejt meshkujve.
“Më kishin thënë që një vajzë më kishte qejf. Ishte shoqja ime. Në fillim më çuditi kjo gjë. Edhe pse nuk ndjeja asgjë, thashë ta provoja lidhjen me të. Por, edhe puthjet i bëja me zor. Ishte një marrëdhënie e çuditshme, prandaj hoqa dorë.”
Nga ana tjetër, ai ka provuar edhe dashurinë dhe është lënduar prej saj. Personi me të cilin u dashurua, nuk i qëndroi besnik dhe e tradhtoi.
“Në fillim më kërkoi të puthte një çun. Unë kujtova se po bënte shaka dhe pranova. Por, nuk më erdhi aspak mirë kur e pashë të puthej me dikë tjetër. Më pas erdhi tradhtia. Ndërsa unë e prisja të kalonim kohë bashkë, ai gënjente se nuk mundej të vinte, ndërkohë që shkonte me njerëz të tjerë. Në fakt është tipike e gejve. Nuk janë besnikë, e kanë shumë të vështirë të qëndrojnë të tillë. Prandaj, nuk është vështirë të gjesh partner seksual, por është e vështirë të gjesh partner për jetën.”
Nuk ka të dhëna të sakta, për njerëzit që janë homoseksualë në Shqipëri. Sipas, një analize të “Google Trand”, në vitin 2015, termi gej është kërkuar më shumë nga qytetarët e Durrësit, e pastaj nga ata të Vlorës.
Por, dihet që intensiteti më i madh i njerëzve me orientime të ndryshme seksuale është në Tiranë, pasi aty është e vështirë të identifikohesh. E ata që nuk arrijnë të bëjnë një jetë të lirë këtu, zgjedhin si rrugë largimin. R. nuk do ta bëjë kurrë këtë.
“Nuk mendoj të largohem nga Shqipëria, as që kam në plan. Jam shumë mirë këtu ku jam dhe kam të ardhura të mira. Nuk kam ndërmend as të martohem me një femër. Mund të krijoj fare lehtë një lidhje, të kem një partner e të vazhdoj jetën duke e ndarë mes tij dhe familjes sime, prindërve. Shumë mirë mund të marr edhe një apartament me qira për të ndarë jetën me partnerin tim.”
R. është gjithashtu një njeri që i do fort fëmijët. Duke qenë se s’do të martohet me femër, ai ka gjetur një rrugë tjetër për këtë.
“Falë teknologjisë dhe shkencës, kjo gjë tashmë nuk është e pamundur. Duke marrë një nënë me qira, unë mund të kem një fëmijë timin. Nëse kjo nuk do të realizohet, ndoshta edhe mund të adoptoj.”/Dritare.net
*Zyra e Komisionarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në bashkëpunim me OKB-në në Shqipëri, po zbatojnë projektin “Të Lirë dhe Të Barabartë”, të cilit i bashkohet edhe Dritare.net. Nëpërmjet të cilit synohet rritja e ndërgjegjësimit kundrejt dhunës homofobike, transfobike dhe diskriminimit.