Taulant Balla, si hero i Edi Ramës

Nga Dritan Hila

Dje në lumin e parë të lajmeve për ngjarjet në Bruksel, ishte edhe një video që hidhte deputeti i PS dhe praktikisht numri dy i saj, Taulant Balla. Videoja shoqërohej me një tekst, ku godiste shprehja se “Duhet më shumë forcë për të goditur terrorizmin. Janë të pabesë”. Në fakt nëse Taulanti ju ka zënë besë deri më sot, duhet të bëjë kthesë. Por nuk është ky thelbi.
Nga analiza e bërë nga lundruesit e rrjetit, rezultoi që nuk përputheshin koha, itineraret dhe vendndodhja e politikanit shqiptar. Ndërsa sot, një ekskluzive e Arta Tozaj për dritare.net, zbulon se në kohën e shpërthimeve, pikërisht në Komisionion e Jashtëm të Parlamentit Evropian, po votohej rezoluta për Shqipërinë. Dhe i bie që Balla nuk ka qenë as duke u sorollatur nëpër metro dhe as në aeroport, por të shpresojmë se ka qene prezent në votim dhe jo duke fjetur akoma në hotel. Dhe këtu del problem i i seriozitetit të politikanit dhe përfaqësuesit tone pranë BE.
Nëse Taulant Balla do ishte një ndër shumë anonimët që ngrohin karriget e parlamentit shqiptar, kjo nuk do të përbënte problem të madh. Edhe ta vendosësh numrin dy të partisë, për të sfiduar intelektualët apo njerëzit normalë të partisë tënde, kjo është puna e atyre që e durojnë. Nëse të haet muhabeti më të, dhe ke kënaqësi të shkëmbesh mendime, kjo është çështje nivelesh dhe përzgjedhje shokësh. Por t’a dërgosh përfaqësues në forumet kryesore të Bashkimit Evropian, aty ku do të anëtarësohesh, ngjall dyshime të mëdha për përgjegjshmërinë ndaj vendit dhe vlerësim ndaj Evropës dhe principeve të saj. Dhe ky nuk është më problemi i Edi Ramës, por yni. Sepse mund ta adhurosh apo përdorësh, dhe kjo është puna e Ramës dhe kënaqësi e Ballës. Por ta kesh hero tëndin dhe model sesi përfytyron politikanin, ta nisësh të bëjë diplomatin dhe nuk di të bëjë as kronikanin, ky është një problem i madh i shqiptarëve./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.