Tanin: Kosova dhe Serbia të zbusin qëndrimet për vazhdimin e dialogut
Dritare.net
Deri te seanca erdhi pas kundërshtimit të mprehtë të disa vendeve perëndimore dhe vendimit të Kosovës për të ndërprerë komunikimin me UNMIK-un, në shenjë pakënaqësie me letrat e dërguara nga ana e këtij misioni në Kombet e Bashkuara.
Në raport thuhet se, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres shfaq brengosjen për kundërshtimet e ashpra mes Beogradit dhe Prishtinës dhe sheh kërcënim për sigurinë në terren, sidomos në veri të Kosovës.
Me këtë rast u bëhet thirrje liderëve të dyja palëve që të zbusin qëndrimet për krijimin e kushteve për vazhdimin e dialogut dhe normalizimin e raporteve.
“Është me rëndësi që liderët e të dyja palëve t’i shmangen veprimeve që mund të shtojnë tensionet, të tërhiqen nga vendimet e tilla dhe të gjejnë mënyra për zhvillimin e dialogut nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian, me synim të normalizimit të raporteve.”,- tha Tanin.
Ai ka ftuar liderët e të dyja palëve që ta transformojnë dinamikën kundërshtare në dinamikë të zgjidhjes së problemeve.
“Para kësaj është e rëndësishme të lëvizin nga pozicionet e tanishme dhe të shfaqin gatishmëri për marrëveshje, duke punuar në tejkalimin e pengesave dhe krijimin e kushteve të nevojshme për vazhdimin e dialogut. Prishtina ka vënë kushte për heqjen e taksës. Qasjet progresive janë esenciale për nisjen e negociatave politike. Duhet bërë më shumë për arritjen e marrëveshjes mesa palëve dhe kjo kërkon përkrahje nga një numër i madh i akterëve, duke përfshirë pjesëmarrjen e grave në dialog.”,- tha Tanin.
Ai po ashtu ka shfaqur brengosjen për kalimin e projektligjit për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, derisa zhvillimet e fundit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi tha se kanë komplikuar përpjekjet për kompromis.
Tanin ka theksuar se në raport Guterres ka përmendur edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, që sipas tij erdhi pas përpjekjeve të Beogradit për dobësimin e integrimit ndërkombëtar të Kosovës, duke marrë shembullin e aplikimit të pasuksesshëm në Interpol.
Shefi i UNMIK-ut ka folur edhe për rreth çështjes së të pagjeturve, duke thënë se ka përparim, por duhet të bëhet më shumë në këtë drejtim.
Ndryshe, mbajtja e seancës së Këshillit të Sigurimit mbi Kosovën ishte deri në momentin e fundit në pikëpyetje, pasi disa vende perëndimore e kundërshtuan praktikën e diskutimit të kësaj çështjeje katër herë në vit.
Britania e Madhe kërkoi që Kosova të hiqet përgjithmonë nga rendi i ditës, ndërsa SHBA beson se seancat duhet të mbahen dy herë në vit.
Kundër debatit rreth situatës në Kosovë është edhe Franca, ndërsa Rusia dhe Kina nuk e mbështesin këtë nismë./E.D/dritare.net