Sekuestrohet kompleksi “Xheko Imperial” ose siç njihet ndryshe në kryeqytet me emrin “Carlsberg”. Hoteli më luksoz në Tiranë dhe që ndodhet prapa godinës së presidencës, prej një muaji është sekuestruar nga përmbaruesi privat Edvin Malotaj. Godina lukzoze, i përket biznesmenit Agron Xheko i cili mësohet se për të ndërtuar objektin ka marrë kredi në disa banka të nivelit të dytë në Shqipëri. Si dorëzanës Agron Xheko ka futur dhe bashkëshorten e tij Zhaneta Xheko, dhe këtë veprim e ka bërë në kredinë prej 5.5 milion euro që ka marrë në një bankë të nivelit të dytë. Tashmë është pikërisht kjo bankë, që prej nëntorit 2015 ka nxjerrë një urdhër ekzekutimi kundër biznesmenit Xheko, pasi ka rezultuar se ky i fundit nuk ka arritur të shlyejë këstet mujore, madje kohët e fundit kishte shkëputur marrëdhëniet me bankën, duke lënë pa paguar një diferencë prej disa milion eurove. Prona shumë milion euroshe, nuk mund të tjetërsohet dhe as të shitet tek persona të tjerë, pasi vendimi i sekuestrimit i 19 janarit 2016 i është dërguar zyrës së hipotekës në Tiranë, e cila ka bërë bllokimin e rreth 23 pasurive, të këtij hoteli që rezultojnë me certifikatë pronësie në hipotekë.