Sulmohet autobusi i shqiptarëve në Serbi/Ministria: Nuk ka siguri, shmangni udhëtimin në këtë shtet
Dritare.net
Një autobus i linjës Prishtinë-Frankfurt është sulmuar mbrëmjen e së shtunës, në Krushevac të Serbisë. Ndërsa po kalonte përmes këtij qyteti, për të vazhduar rrugën për në destinacion, disa persona kanë qëlluar me gurë në drejtim të autobusit, i cili ishte me targa shqiptare. Dëmet ishin vetëm materiale, ndërsa pasagjerët të cilët ishin shqiptarë të Kosovës, janë tronditur nga ky rast.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Kosovës, në një prononcim për gazetën Express tha se sulmet e tilla janë shqetësuese dhe se ky rast dëshmon se nuk ka liri të lëvizjes.
“Ne e dënojmë fuqishëm sulmin ndaj autobusit që udhëtonte nga Kosova përmes Serbisë. Ky sulm tregon përsëri pengesat me të cilat përballen qytetarët e Kosovës gjatë udhëtimit nëpër Serbi. Nuk ka liri të lëvizjes. Ne jemi thellësisht të shqetësuar që sulmet e vazhdueshme si ajo në Konsullatën e Kosovës në Kopenhagë dhe tani ndaj autobusit nuk po ndalen nga Beogradi dhe mbështeten nga mekanizmat e sigurisë serbe. Përderisa Ministri Daçiç si ish zëdhënës i Millosheviçit i bën të gjitha përpjekjet e tij për lajme të rreme dhe propagandë kundër Kosovës, ai duhet të përqendrohet në ndalimin e incidenteve që janë iniciuar nga vetë Beogradi. Ne jemi në kontakt me BE dhe kërkojmë përgjegjësi të plotë dhe garancinë nga Beogradi për sigurinë nëse qytetarët tanë udhëtojnë nëpër Serbi. Gjithashtu përsërisim thirrjen e MPJ së Kosovës që të shmanget udhëtimi nëpër Serbi përderisa nuk ka siguri për Kosovarët dhe incidentet vazhdojnë. Kjo është vazhdimësi e incidenteve dhe jo rast i izoluar”, ka thënë Zyberaj./L.F-dritare.net