Stadiumi “Arena Kombëtare”, Erion Veliaj: Një xhevahir për Tiranën
Dritare.net
Ndërtimi i stadiumit “Arena Kombëtare” në kryeqytet brenda 15 muajsh do të jetë gati të hapë portat për të mirëpritur skuadrat dhe tifozët. Punimet, të cilat janë në fazën e montimit të strukturës së çeliktë, u ndoqën nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe nga arkitekti i njohur italian, Marco Casamonti, i cili ka realizuar projektin e stadiumit.
“Jam i kënaqur, do jetë një xhevahir për Tiranën dhe besoj që kritikët do zhgënjehen, kurse dashamirësit do mrekullohen. Për të gjitha palët do të jetë një habi, ndaj duhet të kemi pak më shumë besim tek puna e njerëzve të mirë. Vërtet është talenti i tij dhe i një skuadre arkitektësh me famë botërore, por stafi është shqiptar, punëtorë, inxhinierë e furnitorë shqiptarë dhe i gjithë ky investim në fakt është një investim në ekonominë shqiptare”, theksoi Veliaj.
Ndërtimi i stadiumit “Arena Kombëtare” do t’i japë zgjidhje edhe çështjes së parkimit të automjeteve në qendër. Projekti parashikon ndërtimin e një parkimi nëntokësor me kapacitet 200 vende. “Si Bashki e Tiranës do t’i bashkohemi projektit të stadiumit me parkimin nëntokësor për 200 vende, i cili do të funksionojë 7 ditë të javës. Sigurisht, frekuentimin më të madh do ta ketë gjatë kohës së ndeshjeve, por siç pamë, edhe parkimi mbitokësor i Bashkisë ishte një sukses, zgjidhi një pjesë të madhe të problematikës. Parkimi nëntokësor do të ketë dyfishin e vendeve, me 200 vende parkimi”, u shpreh kreu i bashkisë.
Arkitekti Marco Casamonti, sqaroi se tashmë ka përfunduar gjysma e punimeve, ndërsa vlerësoi seriozitetin dhe angazhimin me të cilën kanë punuar kompanitë shqiptare në këtë investim ambicioz. “Jemi pothuajse në gjysmën e punimeve sepse pjesa më e ndërlikuar në ndërtimin e stadiumit janë punimet nëntokësore, dhe punimet për shembjen e stadiumit të vjetër, mbrojtja e pjesës monumentale, çmontimi i fasadës së arkitektit Bosio, që do ta rimontojmë. Jemi në një fazë, ku po nisim të montojmë strukturën e çeliktë. Sigurisht, çeliku është më i shpejtë, ndaj kemi vendosur të bëjmë gjithë pjesën e lartë të stadiumit me strukturë të çeliktë. Do të përfundojë pas 15 muajsh. Shqipëria duhet të krenohet me këtë, pasi është një sipërmarrje shqiptare që punon shumë mirë dhe kontribuojmë si skuadër projektimi italiane, por kemi gjetur punëtorë të jashtëzakonshëm në Shqipëri”, tha Casamonti.
“Arena Kombëtare” është një nga kandidaturat zyrtare të UEFA-s për zhvillimin e finales së Superkupës së Europës 2019, ndërsa do të shërbejë jo vetëm për ndeshjet e skuadrës tonë Kombëtare, por edhe si një qëndër multifunksionale për qytetarët, shërbime dhe argëtim gjatë gjithë ditëve të javës.