Kualifikohet në garën e dytë, Lara Colturi mes 30 skiatoreve më të mira në Kupën e Botës!
Dritare.net
Skiatorja Lara Colturi është kualifikuar mes 30 më të mirave në pistën e Sestiere në Itali, në garën e Ski World Cup që po zhvillohet për të dytën ditë. 16 vjeçarja u rendit në vendin e 29 në slalomin e parë të lirë, duke merituar të provojë edhe një tjetër shans për pikë në një garë të dytë po këtë të diel.
Italo-shqiptarja shënoi kohën 1 minutë, 1 sekondë dhe 53 të qindtat duke merituar vendin mes 30 skiatoreve më të mira. Në garë me flamurin shqiptar, Lara do kërkojë të përmirësojë kohën duke marrë pikë për Shqipërinë.
Dy javë më parë në garën e Killington në SHBA (Slalom) Lara ia doli të marrë pikë për Shqipërinë në garën e skive, duke shkruar historinë për vendin tonë në këtë disiplinë. Lara vlerësohet nga specialistët e huaj për talentin e madh në këtë sport, ndërsa si trajnere ka nënën e saj, kampionen Daniela Ceccarelli.