Spartak Braho: Instituti i Tufës i mbushur me ballistë dhe pinjollë. Duan të përmbysin historinë

Në një intervistë për gazetën “Dita”, deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho është shprehur se, bordi i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit i drejtuar nga Agron Tufa është i përbërë nga ballistë dhe pinjollët e ballistëve. Braho thekson se ka besim se, Rama se do të vendosë që ta shkrijë bordin e Institutit të Agron Tufës, pasi ka kryer shkelje ligjore. Deputeti ka hedhur akuza se, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka si qëllim që të hedh baltë mbi luftën antifashiste të Shqipërisë.

 “Unë i besoj asaj që tha kryeministri Rama. Ai institut ka shkelur ligjin dhe ka dalë mbi ligjin. Kuvendi do të hetojë shkeljet ligjore dhe unë besoj se shkeljet janë flagrante dhe që e justifikojnë shkrirjen e bordit të atij instituti me Tufën në krye. Por, në të vërtetë, mua nuk më intereson ky institut, por ai që do të ngrihet. Pra do të ngrihet Instituti i Studimeve për Kujtesën e Luftës së Dytë Botërore. Për ngritjen e një instituti të tillë është marrë një nismë qysh në qershor 2016, pra tre vjet më parë. Janë 30 deputetë që e kanë firmosur atë nismë,me në krye Olta Xhaçkën, ministren aktuale të Mbrojtjes. Bëjnë pjesë në të Pandeli Majko, Erion Braçe, Blerina Gjylameti, Fatmir Xhafa, Ulsi Manja, Valentina Leskaj, e të tjerë. Lexoni emrat e tyre në faksimile. Nuk i di arsyet pse u ndërpre një nismë e tillë. Por, ne do të kërkojmë ngritjen e një instituti të tillë në 75-vjetorin e çlirimit të atdheut. Është një domosdoshmëri kjo. Nuk më intereson instituti i Tufës, i cili e ka humbur funksionin dhe qëllimin e tij. Lexoni emrat në bordin e atij instituti dhe do të bindeni. 99 për qind janë ballistë dhe pinjollë ballistësh. Ata kërkojnë ta kthejnë përmbys historinë tonë. A do talerojmë një gjë të tillë? Kjo është çështja.Sulmet që i bëhen antifashizmit shqiptar janë me qëllime shumë të këqija. Janë sulme që vijnë nga neofashistët e rinj. Prandaj them se antifashizmi jo vetëm se ka qenë një kauzë shumë përparimtare për kohën 70 e ca vite më parë,por edhe sot e kësaj dite mendoj se mbetet një aspiratë. Përndryshe historia mund të përsëritet, madje më e dhimbshme.

Në luftën tonë antifashistë partizanët shqiptarë janë mbështetur fuqimisht edhe nga anglezët, edhe nga amerikanët, madje dhe nga italianët që kanë luftuar në Shqipëri dhe që më pas u rreshtuan në brigadat partizane. Janë dhjetëra e qindra të rënë prej tyre përkrah partizanëve shqiptarë. Sipas logjikës së Tufës edhe ata duhen shpallur kriminelë sepse luftuan kundër fashizmit. Memorialet e ushtarëve anglezë të rënë në luftën tonë janë te Kodrat e Liqenit, çuditërisht pranë vëllezërve Frashëri, ku u shtua edhe kolaboracionisti Mit’hat kohët e fundit. Çfarë paradoksi! Sipas logjikës së Tufës edhe anglezët e vrarë në Shqipëri si antifashistë duhen shpallur “kriminelë”. Edhe Gjenerali anglez Dejvis që ballistët e dorëzuan te gjermanët duhet shpallur kriminel. Edhe shefi i misionit amerikan, Tom Stefan, i atashuar pranë Shtabit të Përgjithshëm, duhet shpallur kriminel. Por edhe ata qindra ushtarë italianë që pas kapitullimit të Italisë u rreshtuan në radhët e brigadave partizane e ranë dëshmorë për lirinë tonë, duhen shpallur kriminelë. Mes tyre është edhe italiani antifashist mitraljeri Ettore Monavolta që ruajti për 30 vjet portofolin e dajës tim.”,- shprehet Braho./K.C/dritare.net

 

LEXO DHE :  Gjykata lë në burg xhaxhain e vëllezërve Kusi që vranë teknikun e kondicionerit

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.