Some like it hot, ose të përvëlohesh me dëshirë
Dritare.net
Mbrëmë, shoku im Eno, më ftoi për darkë. Donte të më njihte me kuzhinën malajziane. Duke qenë se nuk jam adhuruese e kuzhinës aziatike, isha mjaftuar me nja dy restorante të kuzhinës kineze e japoneze. Malajzinë e njihja vetëm nga rrëfimet e shokut tim, i cili ka studiuar atje. Më pëlqeu fakti se kryeqyteti ofron larmi kuzhinash e shijesh, duke na çuar deri në Azinë Juglindore.
Nuk dija ç’të prisja. Në mendje më vinin dokumentarë për Lindjen e largme, me bimë të çuditshme që nuk kultivohen këtej nga ne, si dhe pjata të mbushura me karkalecë e buburrecë të fërguar.
Në fakt nuk m’u ofrua asgjë nga këto. Nëse do ta përmblidhja me një fjali eksperiencën tek “malajziani” do të thosha: “Unë e kisha tepruar me fantazinë, kurse shefi me specin djegës”. Por ky është një opinion që duhet ta merrni me rezerva, duke qenë se unë nuk i preferoj ushqimet shumë pikante e djegëse.
Eno më shpjegoi se kuzhinën malajziane nuk mund ta kuptosh pa specin djegës. Nëse i kërkon shefit malajzian që pjatës tënde mos i hedhë spec djegës, do të habitej dhe do të ishte njëlloj sikur një shefi shqiptar t’i kërkohej të gatuante pa kripë. Sepse në Malajzi, ushqimet e marrin shijen nga erëzat. Kripa pothuaj nuk ndihet fare.
Si fillim në tavoline na serviren 3 tasa me salca, por jo bukë. Malajzianët nuk e përdorin bukën si ne. Më pas sollën gotat për 2 birrat që porositëm, por duke qenë se malajzianët nuk e pinë alkoolin, nuk kanë as gota të përshtatshme për të. Kështu që birrat i pimë në ca gota të vogla me fron. E nisëm porosinë me nga një “Tomyam Ayam”, supë pule dhe perimesh, goxha pikante, por e shijshme.
Më pas unë hëngra Nasi Goreng Ayam, oriz i fërguar me pulë dhe perime të prera imët në formë kubiku, ndërsa shoku im porositi Mi Goreng Sea Food, makarona me prodhime deti. Kuptohet që prej kuriozitetit m’u desh t’i provoja edhe ato. Përbërësit, të paktën ata që unë diktova, ishin të ngjashëm me ato që provojmë edhe në restorantet tradicionale, por si makaronat, ashtu edhe orizi, kishin shije krejt tjetër që do e kishin marrë nga ndonjë salcë a erzë e panjohur për mua. Më pëlqyen. Veçanërisht Nasi Goreng Ayam, të cilit i hodha sipër ca nga qepet e skuqura e të thara që shërbeheshin veçmas në një tas të vogël porcelani. Thërrmijat e qepëve kishin pak ëmbëlsi dhe aromë. Do ua sugjeroja këtë kombinim.
Porcionet ishin të bollshme dhe u ngopëm. Në fund provova çajin Tarik (Teh Tarik) me qumësht të kondensuar, diçka tipike malajziane.
Dhe në vend të ëmbëlsirës, bananet e skuqura, në formë petullash. Aty mësova se malajzianët nuk e hanë kurrë të pagatuar këtë frut.
Me kaq u mbyll nata malajziane, me ushqime pikante e djegëse, ndërsa rrugët e Tiranës ende digjnin nga zhegu i ditës që kishim lënë pas. Por sipas latinëve “De gustibus non est disputandum”, shijet nuk vihen në diskutim, kështu që ne zgjodhëm të përvëloheshim edhe në restorant./dritare.net