Sofia Loren, kur fati të merr prej dore

Nga Arta MARKU

“Kam pasur gjithmonë një tip shqise të gjashtë në zgjedhjen e personave me të cilët do të ndaja dimensionin më intim dhe privat. Dhe është shumë e vështirë të gabohem: kur rastis, largohem qetësisht, në majë të gishtave. Nuk dua t’i bëj keq askujt, s’më pëlqen të vuaj e as të bëj të vuajnë. Përgjithësisht jam introverse, pëlqej qetësinë dhe vetminë. Jeta mondane më lodh. Nuk u jap afrimitet të huajve dhe as shumë rëndësi njohjeve. Besoj tek intuita ime. E kam menjëherë të qartë se kë kam përpara, kur është i sinqertë dhe ç’qëllime ka…”

***

DJE, SOT, NESËR titullohet libri prej nga e kam shkëputur pjesëzën e mësipërme. E nëse është e vërtetë se titulli i një libri përmbledh gjithë përmbajtjen e vet, ky është rasti. DJE, SOT, NESËR është pikërisht libri i të SHKUARËS, të SOTMES dhe i të NESËRMES së protagonistes. Kurse protagonistja nuk është një personazh i trilluar romani, nuk është një krijesë laboratori, është personazh i vërtetë. Është rasti kur rrëfimtarja zbulon vetveten. Është SOFIA LOREN që vetërrëfehet, që ka ç’rrëfen, që për më tepër, di të rrëfejë.

***

Kur e mora në dorë së pari librin e aktores së madhe italiane mendova se e njihja jetën e saj. Nuk kisha shumë për të mësuar nga libri. Biografia e saj ka qenë subjekt i një filmi. Ajo vetë ka luajtur rolin e vetes dhe të nënës. Pjesa më interesante e jetës së saj duhej të ishte ajo e para, që ngjan me përrallën e Hirushes.

Por, sa më sipër rezultoi pjesërisht e vërtetë: po, pjesa e parë e jetës së Sofia Lorenit ishte përralla e vërtetë, ama autobiografia ishte befasuese e gjitha. Perde pafund lëshuar mbi aktoren, gruan, bashkëshorten, nënën, bijën, motrën, miken, kolegen, ngrihen njëra pas tjetrës duke lënë të dallohet një siluetë e qartë, sa e përkryer aq edhe interesante.

Lexoja dhe kuptoja se kjo grua pati dashurinë e fatit. Qysh në krye të herës i dha bukurinë rrezëllitëse, linjat e trupit të përkryera, talentin dhe në fund, nuk ngurroi ta pajiste me një inteligjencë për t’u pasur zili. Kështu më rezulton nga libri. Aktorja nuk duket si dikush që është mësuar të recitojë tekstet e të tjerëve. Përkundrazi, Sofia Loren rrëfen befasisht bukur, interpreton, analizon, gjykon nga pozitat e një gruaje të urtë, psikologjikisht dhe filozofikisht…

***

Qysh në fillim SOFIA LOREN na njeh me personazhet që shenjojnë jetën e saj:

E para është Romilda, e ëma. Pastaj është Rikardo Shikolone. Romilda është e dashuruar marrëzisht me Shikolonen dhe është gati të bëjë çdo gjë që të bëhet gruaja e tij, por më kot. Sa për Sofian ai është thjesht babai biologjik e asgjë më shumë. Vite më pas, kur ai është në shtratin e vdekjes, Sofia përpiqet të derdhë lot dëshpërimi për të, por e ka krejt të pamundur. Pastaj janë Vilanët, familja e nënës së Sofies: gjyshi, gjyshja, dy dajat dhe teze Dora.

Romilda ka lindur Sofian jashtë martesës. Më kot është përpjekur t’i mbushë mendjen Rikardo Shikolones që të martohet me të. Është përpjekur ta marrë më të mirë nënën e tij  duke i vënë vajzës emrin e saj, por sërish asnjë rezultat. Romilda vijon të këmbëngulë për t’i kthyer mendjen Rikardos. Pas disa vitesh kthehet sërish në shtëpi me një fëmijë tjetër prej tij në krahë…

Kështu fillon fëmijëria e Sofia Shikolones që do të pagëzohej më pas me emrin e artit LOREN. E rritur mes varfërisë dhe luftës, për më tepër nuk ishte aspak e bukur. Siç e thotë dhe vetë, e thërrisnin Kruajtësja e dhëmbëve. Derisa papritmas rosaku i shëmtuar  u bë një mjellmë magjepsëse.

***

Mësuesi i fiskulturës shkon t’i kërkojë dorën Sofies te e ëma. Por Romilda ka ëndrra të tjera. Ajo është vetë një grua e bukur. Pak vite të shkuara ka qenë një vajzë e mahnitshme dhe kishte dashur të futej në botën e kinemasë. Me gjasë e meritonte, së paku nga bukuria po. Por prindërit nuk e kishin lejuar. Ia mohuan të drejtën për të shkuar në Amerikë pas një konkursi që kishte fituar. As që bëhej fjalë. Por Romilda ëndërronte. Vijon ende të ëndërrojë. E tash që e shihte Sofien të shndërruar në një perëndeshë bukurie, ëndrrat i marrin vrull. Si gjithë nënat edhe ajo, me siguri pavetëdijshëm, do të bënte ç’është e mundur të projektonte veten tek e bija, të përpiqej të realizonte ëndrrat e saj nëpërmjet vajzës. Nuk do të hynte dot Romilda në Çineçita nga dera kryesore. Por, do të hynte gjithsesi duke shoqëruar Sofien e saj që pak gjasa kishte t’i linte shpërfillës producentët dhe regjisorët. Dhe kishte të drejtë. Sofia, nga ana e saj, ishte dakord. Pse të mos bëhej aktore?

LEXO DHE :  Të njoh me Panajanë e agroturizmit vlonjat!

Hapat e Sofia Lorenit në botën e filmit janë të pandalshëm. Në fillim fare pak e pastaj, diçka më shumë. Bëhet protagoniste fotoromanesh në krye të herës. Por rruga saj e vërtetë është tjetër gjë.

***

Historia e martesës së Sofia Lorenit me Karlo Pontin është një roman më vete. Probleme pafund sikur duan ta çorodisin atë dashuri të qetë që gjithsesi do të rezistojë. Ata duan të martohen por ligji nuk i lejon për shkak të martesës së tij të mëparshme. Divorci nuk pranohet edhe pse vetë Karlo Ponti edhe e shoqja e tij e ligjshme duan të jenë të lirë nga njëri- tjetri. Shoqëria italiane indinjohet për aktoren e madhe që jeton në një lidhje jashtëmartesore. Madje puna shkon deri aty sa një grua e denoncon në polici pikërisht për cënim të moralit kristian. Nëse Sofia Loren do të jetojë në Itali, e pret burgu. Nadj i duhet që të mos kthehet. Por kjo është e rëndë për të. Jo vetëm që Italia është vendi i saj por aty jeton e ëma.

Gjithsesi një ditë çështja zgjidhet. Ligji e lejon divorcin më në fund.

***

Në rrëfimin e Sofia Lorenit gjejmë komente të atykëtushme edhe për aktorë të mëdhenj, regjisorë, skenaristë a shkrimtarë. Vlerësime të jashtëzakonshme i takojnë Moravias, me të cilin e bëri bashkë Çoçarja e famshme me gjithë trofetë që rrodhën prej saj. Nuk janë aq pozitive gjykimet për Marlon Brandon: “pavarësisht sharmit, – thotë Sofia për të, – ishte një burrë që dukej parehatia vetë”. Omar Sharifi ishte një tip plot jetë dhe gjithë ide, sipas Sofies. Kurse keqardhja mbështjell figurën e Gabriel Garsia Markezit. Paskësh pasur një rast për ta njohur, shumë vite të shkuara. Paskëshin qenë në të njëjtin shesh xhirimi. Ajo në qendër si protagoniste e ai skutave si regjisor i tretë. Ai nuk kish mundur t’i afrohej, siç do të kish dashur. Vite më pas, Sofia dëshmon keqardhjen për atë që mund të kish qenë fillimi i një shoqërie të mirë. Po Odri Hepbërn? Është shumë e bukur historia e një darke në shtëpinë e saj dhe pjatat pothuaj bosh që u servir ajo të ftuarve, krejt ndryshe është darka në shtëpinë e Çarli Çaplinit, siç në përgjithësi të gjitha orët të kaluara e komikun e madh, magjepsëse.

***

Ndërsa filmat mezi i linin kohë njëri- tjetrit, ndërsa rolet nuk kishin fund, paralelisht zhvillohej jeta private e Sofia Lorenit. Çfarë ëndërronte me thellësinë e shpirtit ishte të bëhej nënë. Por nuk e kishte të lehtë. Dy herët e para shtatzënitë iu ndërprenë në mes. Mjeku që e ndiqte ishte kaq shpërfillës. Dhe ajo nuk ngurron ta përshkruajë me hollësi mjekun cinik dhe aspak human. Ama herën e tretë që mësoi se brenda saj kishte filluar të rritej embrioni i një fëmije, kërkoi dhe gjeti mjekun ideal.

Ka edhe diçka për t’u përmendur: pasioni i Sofia Lorenit për kuzhinën, gatimin. Gatuante edhe në shesh të xhirimit. Madje një herë aroma e salcës së saj joshi edhe Al Paçinon. Mbi të gjitha i drejtohej gatimit sa herë kishte nevojë psikologjikisht, dhe ashtu, e mbështjellë nga aromat, shpëtonte….

DJE, SOT, NESËR është një libër interesant, për informacionin që ofron, për interpretimin e këtij informacioni, për përrallën që zbulon… dhe, si një kurorëzim është shkruar me shumë emocion./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.