Karakteristike e përgjithshme e pozitës së Pejës është se; ajo shtrihet në skajin veri-perëndimor të luginës së pëlleshme të Dukagjinit, para grykës piktoreske, nën shpatet e Alpeve shqiptare (Albanian Alps).
Ky qytet ngrihet në fushën e rrafshit të Dukagjinit dhe rrëzë bjeshkëve të larta. Peja në pikëpamje gjeomorfologjike përbën një tërësi ekonomike dhe në vete ruan e kultivon traditë të një historie të lashtë. Peja lidhet me qarkullimin rrugor me Prishtinën, Mitrovicën, Gjakovën, Rozhajën e Plavën.
Qyteti është i rrethuar me Bjeshkët, që janë pjesë e masivit dinamika që përfshinë tërë Ballkanin perëndimor. Këto bjeshkë formojnë një kurorë majash të larta siç janë: maja e Kopranikut (2460m), Mali Zhlep (2352 m), Hajlën (2460 m) Mokra (1932m), malet e Lumbardhit gjegjësisht Guri i Verdhë (2522m), maja e Viellakut (2012m), Peklena, maja e Hasanit etj.
Me rrjedhë të shpejtë grykës shkëmbore të Rugovës, lumi “Lumbardhi” fillon të gjarpëron fushës së Pejës, duke kaluar në mes të qytetit dhe duke e ndarë në dy pjesë. Lumbardhi, i cili gjatë rrjedhës formon fusha pjellore, derdhet në lumin më të madh të quajtur “Drini i Bardhë” që buron nga bjeshkët e Zhlepit në fshatin Radac.
Lumbardhi ka një sasi uji prej 300 m-3 në sekond. Por malët e Pejës janë të pasur edhe me liqene si: Liqeni i Niçinatit dhe Liqeni i Ridit. Vetitë klimatike të Dukagjinit, pra edhe të Pejës, karakterizohen me klimë të mesme kontinentale të modifikuara, me komponente të klimës mesdhetare. Pozita gjeografike shumë e volitshme si dhe vetitë e relievit dhe të klimës, kanë ndikuar në banimin e këtyre territoreve qysh nga fillimi i indo-evropizmit të Gadishullit Ballkanik. Dardanet, janë formuar si kombësi sipas E. Qabej, para shek. XII p.e.s.
Kur bëhet fjalë për trevën e Dardanisë, në të cilën përfshihet edhe Peja, Dardanet sipas studiueses F. Papazoolu, trajtohen në suazat e fiseve të Ballkanit qendror në kohën para Romake. Dardanët, përmenden si luftëtar të fortë, xehtar shumë të mirë, blegtorë dhe tregtar të njohur. Dardanet ishin fisi më i madh Ilir që u vendos në krye të mbretërisë dardane, në Ballkanin qendror, kryesisht në Kosovë.
Peja-Qendër regjionale e Dukagjinit verior, identike për nga numri i banorëve me pandanin e vet jugor Peja me 95.723 banorë para fillimit të luftës, ka po ashtu të përfaqësuar mirë grupin terciaro-kuartar të popullatës, me të cilin qëndron para Prizrenit dhe e dyta pas Prishtinës, ndër qendrat kosovare me (32,6%). Dendësia e popullsisë është e madhe me rreth 300 banorë në 1 (një) km-2. nataliteti është 34, kurse mortaliteti 7.Peja është qendër e një regjioni të gjerë me (afro 1.500 km-2), kurse Peja me fshatrat e saja ka 603 km2. Brenda kufijve administrativ të Komunës së Pejës ka 97 vendbanime të organizuara në 28 bashkësi territoriale. Komuna e Pejës kufizohet me: Istogun, Klinën, dhe Deçanin. Kurse me komunën e Plavës, Beranës dhe Rozhajës kufizohet me Malin e ZI. Në anën tjetër, kufizohet me Republikën e Shqipërisë. Territori i Komunës së Pejës përbehet nga dy tërësi gjeografike: njëra me klimë kontinentale të shprehur klimë mesdhetare që përfshin përafërsisht 30% të sipërfaqes së përgjithshme, dhe vargmalet e Alpeve shqiptare në veriperëndim, me një rrjet hidrografi të zhvilluar që ndikon si modifikim i klimës në këtë pjesë.
Mirë se erdhët në qytetin e Pejës, aty ku mund të përjetoni bukuritë e kulturës dhe natyrës, apo në qytetin siç ndryshe edhe njihet qyteti i “Haxhi Zekës” apo qytetin e “Gjelbër dhe Vital”.
Qyteti ka histori të jashtëzakonshme me trashëgimi të pasur kulturore dhe bukuri të rralla natyrore, dhe
është qytet që gjithmonë ofron risi plotësisht origjinale. Qyteti turistik i Pejës në suaza të
përzierjes së bukurisë të së kaluarës me të gjitha lehtësitë që udhëtari modern i kërkon ofron
shumë atraksione turistike. Nëse kërkoni akomodim ideal, ushqime të shijshme autentike dhe tradicionale për degustator, objekte të trashëgimisë kulturore, objekteve sportive moderne dhe programe të ndryshme atraktive për shëtitje në natyrë, ju keni zgjedhur destinacionin e duhur për pushim, sport dhe argëtim. Peja është një nga destinacionet më të popullarizuara turistike të Kosovës por edhe në rajon.
Qëllimi i kësaj faqe është informimi i publikut të gjerë e sidomos turistëve dhe atyre që nuk e njohin Pejën, me pasuritë e saja natyrore, por edhe i atyre që kalojnë nëpër Pejë të kenë mundësi t’i përmirësojnë njohuritë dhe të krijojnë një pasqyrë më të qartë rreth natyrës piktoreske të Rugovës me grykën e saj madhështore, nga Lumi i Bardhë e deri në majën e Gurit të Kuq dhe në Hajlë.
Ta përshkruash Pejën dhe Rugovës përmes një manuali do të thotë shumë me tepër se sa thjeshtë t’i ftosh turistët dhe të apasionuarit drejtë bukurive dhe veçantive të natyrës së kësaj zonë.
Mjafton vetëm një kalim përgjatë Grykës së Rugovës për ta ndjerë jo vetëm bukurinë e pashoqe të saj, por edhe për të kuptuar se kjo hapësirë fsheh ende thesare të pazbuluara nga kërkuesit e tyre.
Ndër të tjera, dallgët e Lumbardhit nga burimi në Rugovë, rrëzë Kodrës së Plakut e deri në
derdhjen në Drinin e Bardhë i freskojnë perlat e trashëgimisë kulturore e historike të Pejës si:
xhamitë, teqet, mesxhidet, varrezat, tyrbet, kishat, kullat e shekujve XVII-XIX, sarajet e Pejës,
mullinjtë, urat, shadërvanet, krojet publike (çeshmet), kainaket, hamamin (banja publike) etj.
Është Peja me Rugovën e cila krahas bukurive dhe të papriturave të panumërta si kanionet,
liqenet, ujëvarat dhe shpellat e mrekullueshme, ka qenë edhe skena e një të kaluare të mbushur me
mite, legjenda dhe një trashëgimi historike.
Sot për të vizituar Pejën mund të orientoheni shumë lehtë sepse Peja me ofertë shumë më të
begatshme turistike, ka ndërtuar një infrastrukturë të avancuar turistike të pajisur me sinjalizime
përkatëse turistike për orientim më të lehtë drejtë zonave turistike si në qytet ashtu edhe në
fshatrat e regjionit të Rugovës. Sot Peja është bërë destinacion botërorë turistik përmes
prezantimit të potencialeve turistike të zonave malore të saj në projektin e shtegut ndërkufitar
"Majat e Ballkanit“ ,që përfshin trekëndëshin që lidhë pikat kufitare, Kosovë, Shqipëri dhe Mali i Zi, duke e ftuar çmimin e parë botëror për Menaxhimin e Destinacionit të turizmit të
qëndrueshëm “Turizmi i së Nesërmes” në garën finale ndërkombëtare në Samitin Global të
mbajtur në Abu Dabi me 9 prill 2013, çmimin prestigjioz të cilin e ndanë WTTC "World Travel and Tourism Concil."
Dhe, nëse keni vendosur disa ditë të jetë suaj t’ ia falni këtij qyteti të vjetër shqiptar në veri të Rrafshit Dukagjinit, besojmë se nuk do të pendoheni përkundrazi keni çka t ‘iu thoni miqve kur të ktheheni se keni vizituar një qytet të bukur që shtrihet rrëzë Alpeve Shqiptare , aty ku fillon Gryka e njohur e Rugovës, ku ju presin me bujarinë e tyre pejanët të cilët janë të njohur si mikpritës të pashoq në këtë pjesë të Kosovës që me shekuj është shpinë për shpinë me pjesën tjetër të Mëmëdheut, madje edhe përtej Drinit, sipas Agollit të madh...
Peja po ju pret, po ju çka po pritni se?
Mos u hamendi, sivjet i ndani disa ditë për t’i kaluar në bukuritë të këtij qyteti joshës që shtrihet në të dyja anët e Lumbardhit që rrjedh rrëmbimshëm nga malet dhe e ndanë këtë qytet të vjetër në dysh por që verës i sjell edhe freski si asnjë qytet tjetër i këtij rrafshi.../Dritare.net