Sinqeriteti politik i Ilir Metës nuk e zgjidh dot krizën

Nga Skënder Minxhozi

Ilir Meta nuk priti më shumë se disa orë, që të kapë në ajër apelin e dy parlamentarë të djathtë gjermanë për fillimin e dialogut politik në Shqipëri, duke përfshirë edhe opsionin e shtyrjes së zgjedhjeve lokale. Dekretuesi i datës 30 qershor si ditë votimi për pushtetin lokal në vend, tregoi se nuk ka asnjë respekt për dekretin e tij, por edhe për frymën dhe afatet ligjore mbi të cilat ai u mor. Presidenti nuk e pati fare të vështirë të na thotë publikisht se preferon një negociatë politike, në vend të një leximi korrekt të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë. Duke aluduar indirekt se vijon të shohë si më të përshtatshme listën e precedentëve të shtyrjes së zgjedhjeve apo djegies së afateve ligjore që lidhen me to, më shumë sesa të respektit rigoroz të ligjeve që rregullojnë proceset elektorale në vendin tonë.

Ilir Meta dha provën e rradhës se ka shumë pak respekt për ligjin. Por nuk është ky problemi i vërtetë i krizës së sotme politike. Nëse kreu i shtetit ka synuar të rikthejë në lojë opozitën, duke e bërë publike dëshirën e tij për të shtyrë zgjedhjet, ai ka qëlluar gjithsesi larg objektivit të vërtetë të Bashës. Opozita nuk do zgjedhje, ajo do rrëzimin në tavolinë të pushtetit të zgjedhur me zgjedhje. Ky është problemi real që qëndron pas djegies së mandateve, jo ai i pamundësisë për të hyrë në procesin elektoral.

Kryetari i shtetit ka hedhur mesazhe krejt evazive dhe formale që nga shkurti i këtij viti, kur nisi rropama e madhe e opozitës në qendrat e qyteteve dhe në rrugët kombëtare. Në asnjë rast Ilir Meta nuk ka thënë nëse duhet votuar ose jo sipas afateve të dekretit të emetuar nga ai vetë dhe që pasqyron vullnetin e ligjit në Republikën e Shqipërisë. Dënimi që ai i ka bërë akteve vandale që prodhuan protestat e opozitës, ka qenë tejet i holluar me ujë dhe shumë më formal dhe i pavërtetë sesa deklarimet e forta të perëndimorëve për ngjarjet në Tiranë e jashtë saj.

LEXO DHE :  Vasili: Në Arenën Kombëtare, nuk do të luhet kurrë ndonjë finale e Champions League, ja pse!

Duke shtyrë zgjedhjet, sipas ofertës së Presidentit, vetëm sa shtyjmë në kohë kolapsin që kemi mes nesh këto muaj. Edhe në tetor Lulzim Basha do të kërkojë qeveri tranzitore dhe ikjen e Ramës, kurse ky i fundit do të ngulmojë për të kundërtën. Duke kërkuar ta destabilizojë gradualisht pushtetin e shumicës aktuale me anë të apelit për shtyrje zgjedhjesh, Ilir Meta vetëm sa i bën një shërbim të pjesshëm kauzës opozitare, e për këtë i duhet njohur merita që më në fund tha diçka politikisht të sinqerte, pas muajsh pëshpëritje nën zë. U rreshtua hapur me kauzën e opozitës,pasi ka bërë gjoja për javë e muaj. Nga ana tjetër, klima politike nuk fiton asnjë grimë drejtpeshimi dhe kohezioni pas kësaj oferte të pasinqertë. Por Ilir Meta nuk ka folur si simbol i unitetit të kombit, por si një lojtar politik i rreshtuar. Kjo u duk edhe sot, kur vuri karron para kuajve. Pra, kur na njoftoi se çdo të bëjë fund të dialogut, kur dialogu s’ka filluar ende…/javanews

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.