“You have to be a couple to eat in this city”, thoshte një personazh i “Sex and the City”, duke ju referuar Nju Jorkut. E di që zor se mund të qëndrojë ndonjë analogji mes kryeqendrës botërore dhe Tiranës sonë të dashur, por kur bëhet fjalë për ekzagjerime në sensin negativ, ne ja hedhim edhe Nju Jorkut. Personazhi i serialit, një grua beqare, haste vështirësi kur i duhej të drekonte vetëm, pasi menutë ofronin specialitete për të paktën 2 veta. Mos më thoni që në Tiranë nuk ju ka qëlluar tu shohin shtrembër kur hyni të pashoqëruar. Kamerierit sikur i pritet buzëqeshja nga ndonjë dhimbje akute barku. Megjithëse kamerierë që buzëqeshin në Shqipëri, janë të rrallë, edhe sikur tu shkojnë njëkohësisht, 10 vetë për darkë. A thua se ju zure derën e shtëpisë, pa i njoftuar. Sapo të shohin, nisin me pyetjen: Sa veta jeni? Ndërkohë që unë do të doja të më përshëndesnin, mbase dhe të më pyesnin si kaloi dita? Ja ashtu, një pyetje të thjeshtë, që jo domososhmërisht do i përgjigjesha me një fjali të plotë (për të mos ju ngrënë kohën e tyre të vyer).
Fundjavën që sapo kaloi na u duk se arroganca kapi kulmin. Të premten mbrëma, e kaluam në një Pub, në rrugen Mustafa Matohiti. Për fat u bëmë 3 miq bashkë dhe na e dhanë një tavolinë, por kjo nuk mjaftoi që kamerieri të paktën të shtirej si dashamirës. Kësaj here ai mbeti i pakënaqur nga porosia që bëmë.
2 birra + 1 ujë=me rrudhje buzësh+mërmërima të pakuptueshme. Kur po bëheshim gati të largoheshim, vura re se pak metra më tutje një mikun tim e ngritën nga tavolina duke ja vënë në dyshim fjalët e tij se shumë shpejt do i vinin shokët. Me arrogancë i thanë se po të kishte dashur të ulej atje, duhej të kishte prenotuar. E pra jo vetëm ne patëm probleme me shërbimin.
Mëngjesin tjetër, e kisha harruar pub-in dhe po shkoja në një tjetër bar për një kafe me një mikeshën time. Një lokal i saposjellë në një version të ri, në rrugën Brigata VIII, në qendër të bllokut. Ora 10, bokset buçisnin. Na u desh të bërtisnim tek veshi i njëra tjetrës për të thënë mirëmëngjes. “Në asnjë vend të botës nuk ndodh kjo” - i tha shoqja ime kamerierit, një djalë buçko me sy të qeshur. U ndje në siklet dhe kuptuam se s’ishte në dorën e tij. Anuluam porosinë dhe u larguam. Të paktën kamerieri qëlloi një djalë i sjellshëm dhe jo arrogant.
Të dielën shëtita duke mos ndjerë nevojën të keqtrajtohesha në ndonjë lokal. Kështu iku dhe një fundjavë, duke më bërë të pyes veten:
1. Sa birra duhet të pij që të meritoj një tavolinë?
2. Në ç’lokal pranohen edhe njerëzit e pashoqëruar?
3. Sa miq duhet të mblidhemi që kamerierit t’i kthehet buzëqeshja?
4. Në ç’orar duhet ta pij kafen e mëngjesit pa m’u dashur të dëgjoj muzikë me volum në kupë të qiellit?
Këto nuk janë të vetmet probleme që has unë dhe miqtë e mi, brenda vijës së verdhë të Tiranës, ku pretendojmë se kemi lokale edhe më të mira se ato të Nju Jorkut. Por kam kuptuar diçka. Gjithçka varet nga filozofia e menaxherit (pronarit) të lokalit. E shikon klientin si mik, apo si budallanë e radhës që i zuri derën dhe mund ta trajtojë si t’i teket?!/dritare.net