“Njeriu sheh mirë vetëm me zemër. Thelbësorja është e padukshme për sytë.”
“Sytë janë të verbër. Ju duhet të kërkoni me zemër.” Princi i vogël, Antoine de Saint-Exupéry
Një ditë një vajzë e re pyeti gjyshen e saj të mençur: "Gjyshe, çdonjëri flet për dashurinë, më thuaj të lutem, si mund të shoh dashurinë e vërtetë?"
"Princesha ime," i tha gjyshja, "kur isha me të njëjtën moshë si ti, edhe unë dëshiroja të shihja dashurinë. Në atë kohë, nëna ime më pat thënë se dashuria e vërtetë, mund ë shihet vetëm me zemër. "
"Kur takova gjyshin tënd, krahasova dashurinë me diellin. Unë nuk mund të vështroja diellin e ndritshëm vetëm me sy. Edhe dashurinë e vërtetë askush nuk mund ta shohë vetëm me sy.
Megjithatë, kuptova se dielli, ashtu si edhe dashuria, ndriçon ditën, por edhe gjatë natës hënën dhe yjet. Edhe nëse retë janë në qiell, ose kur gjithçka zhytur në mjegull, dielli do të vazhdojë të qëndrojë atje.
Ai mund të shkrijë dëborë, akull dhe të bëjë natyrën të lulëzojë. Dielli të mbulon me dritë dhe ngrohtësi dhe të lejon të marrësh me mend madhështinë e tij të vërtetë nëpërmjet lindjes dhe perëndimit. "
Vajza mendoi për disa çaste në fjalët e gjyshes dhe me një buzëqeshje rrezatuese shtoi:
"Gjyshe, unë mendoj se kam diellin në zemrën time!"
Nga gjermanishtja Lis Bukuroca
Po morali nga ky tregim?
Gjysha e urtë krahason dashurinë me diellin dhe ngrohtësinë që sjell, por pa harruar se dashuria nuk mund të jetë gjithmonë ngrohtësi dhe shndritje, por mund të shfaqet edhe bora, edhe retë, akull, edhe mjegulla, mirëpo dashuria e vërtet, sillet rreth njeriut të dashur, si dielli me lindjen dhe perëndimin. Ashtu si nuk ka mot vetëm me dielli, as dashuri nuk ka që ka një ecuri lineare, por shoqërohet me rëniet dhe ngritjet, sepse jemi njerëz dhe jo robotë të programuar!
Kur i gëzohemi dashurisë së bijës dhe djalit në të njëjtën mënyrë, kur i marrim seriozisht vuajtjet e tyre në dashuri dhe i qëndrojmë afër me mbështetje, me këshilla, atëherë jemi popull bashkëkohor dhe jetojmë në vitin, të cilit deri tani, kryesisht, vetëm numrin ia kuptojmë, por jo arritjet mendore. Shkurt, kur i gëzohemi dashurisë së bijës dhe të birit, atëherë jemi edhe mendërisht në vitin ku jemi fizikisht.
Popull i lumtur mund të jetë vetëm ai popull, ku dashuria e njerëzve në mes të njerëzve është e lirë, e pa kushte, e pa drejtuar nga jashtë, e pa ndërhyrje dhe e paimponuar. Prindi kurrë nuk mund të njoh fëmijën e vet, sa njeh fëmija veten!
Edhe në dashuri mund të gabohet, por çdo gabim në jetë është një përvojë, një provim dhe një përgatitje për nesër. Humbja e një dashurie nuk është tragjedi, ajo është vetëm korrigjim dhe asgjë më shumë! Kur mbyllim një portë pas vete, hapim tjetrën!
Dashuri të njëmendtë nuk mund të ketë kurrë në mes burrave të lirë dhe grave të shtypura. Dashuri të vërtetë nuk mund të ketë kurrë aty ku mungon liria dhe barazia. Nëse diskriminimi brenda familjes është normë, atëherë rezultati do të shfaqet në shoqëri: nëpër shkolla, universitete dhe administratë. Aty çdo gjë do të improvizohet dhe bëhet sa për sy e faqe! Fundi i fundit, si edhe dashuria në shtëpi! Edhe ligjet edhe morali nuk obligon askënd!
Nënat kanë detyrë të madhe. Ato nuk duhet të edukojnë në dy mënyra, jo të programojnë djem dhe vajza, por duhet të krijojnë njerëz të mirë, që bartin përgjegjësi për veten dhe shoqërinë, edhe atë, pa dallim gjinie! Po e përfundoj me një thënie të shkrimtarit italian, Guido Morselli: “Të dashurohesh në një grua nuk është e vështirë, e vështirë është ta dashurosh!”/ Dritare.net