Nga Fjorda Llukmani Më paska munguar goxha tastiera e kompjuterit
tek shkruaj, për t’u lidhur me ju nëpërmjet një dritareje. Prej angazhimeve të shumta në verë, s’kam pasur frymëzim të thur dy rreshta në qetësi të plotë. Gjithsesi jam rikthyer në hapësirën e preferuar online, për t’u treguar si e shoh botën nga dritarja ime. Plazhin për këtë vit e fillova me 7 prill në Drimadhe dhe ishte vapë, njësoj si ditët e zakonshme të korrikut. Për herë të fundit isha këtë fundjavë. Koha ishte perfekte për t’u larë e bërë banje dielli. Në televizione vazhdon të flitet me shifra për prurjet e turizmit këtë vit. Unë nuk merrem me shifra, sepse dhe me tabelën e shumëzimit jam keq, ama di t’ju them që kam takuar pafund të huaj në jug sivjet. Kurse shqiptarët i shikoja të gjithë në Greqi. Ndërkohë që para 5 vjetësh miqtë e mi të huaj, më thoshin se kishin disi frikë ta vizitonin Shqipërinë, sot është komplet ndryshe. Një dyndje italianësh kryesisht, të cilët i gjenda dhe në majat e malit, kur xhiroja për Edicionin Veror. “More po ç’doni këtu?”,- i pyesja si me përçmim për të parë reagimin e tyre. “Oh, por Shqipëria është kaq e bukur, jemi përballë dhe tani e zbuluam. Më beso që nuk ju ndahem derisa të kem fuqi.”,-më thotë një plakë italiane rreth të 60-ve, që kishte 2 vjet që vinte rregullisht për pushime këtu. Data shënon 30 shtator dhe vendosa të bëj një shëtitje buzë detit tim të preferuar, Jonit. Brigjet e Drimadhes
kanë marrë një pamje tjetër në mbyllje të sezonit. Të gjitha hotelet janë mbyllur. Çadrat janë hequr dhe të kap syri gjithë gjirin, pa ta penguar asnjë peshqir i varur apo maja e ndonjë çadre kashte. Ndërkohë që flitet për të zgjatur ditët e turizmit veror në Shqipëri mendoja : “Çfarë t’i zgjasësh diçkaje që e ke dhuratë nga Zoti, siç është dielli?” Unë dhe disa prej jush që ia kanë terezinë pushimeve, kemi bërë pafrikë 6 muaj plazh sivjet. Dhe dita e fundit e shtatorit ishte tipike si në verë. Pse mos t’i shfrytëzojmë ato ditë, që ka më pak njerëz për të pushuar, por zgjedhim gjithmonë korrikun dhe gushtin? Kot ankoheni, jo ka shumë njerëz, jo shërbimi i dobët, jo ushqimi i keq. Nëse nuk ndryshoni mendësinë se pushimet e verës nuk bëhen vetëm në dy muaj të vitit, keq e keni punën. Për shembull në shator një dhomë çift kushton rreth 50 euro. Plazhin e ke të gjithin për vete dhe çmimi është super i vlefshëm në krahasim me kulmin e sezonit. Megjithatë, më zuri syri pak çifte që po shijonin ditët e fundit. Ama ajo që më bëri përshtypje ishin disa pulëbardha, që po qëndronin buzë detit. Gjatë gjithë kohës time këtu, s’më kishte zënë syri asnjë prej tyre. Mbase sepse këto dreq shpendësh kanë frikë nga njerëzit dhe s’u vë faj. U afrova ngadalë sa për të shkrepur një foto. Sapo ndjenë hapat e mi, fluturuan. Isha e lumtur që po e shikoja plazhin si askush tjetër, bosh dhe me gjallesa që banojnë aty përherë. Kësaj here pata mundësinë të shoh më shumë punëtorët që qëndrojnë pas tekave tuaja, kur qëndroni në jug tërë serbet. Fytyrat e tyre dukeshin më të paqta kur punonin pa njerëz vërdallë. E ke parasysh kur je në plazh dhe dikush është duke fshirë, e ti i thua, “Ej hiqe atë fshesën o burr se jemi tu pushu s’dum zhurma!”. Imagjino sa njerëz të tillë ka dëgjuar ai person, që i ankohen e i flasin me përçmim. Për mua ata janë heronjtë e vërtetë të jugut, që punojnë orar pa orar, për të bërë qejf pjesa e popullsisë që i ka mundësitë. Sa për kuriozitet disa prej tyre qëndrojnë dhe gjatë dimrit për t’u kujdesur për ambientet e hoteleve. Njoh njerëz që janë shpërngulur nga Dibra, Librazhdi e në vende të tjera, përveç Tiranës për të punuar në Dhërmi. Gjatë qëndrimit tim në fundjavën e 29-30 shtatorit, hasa një grup prej 25 vetash, të gjithë të rinj, që zgjodhën këtë periudhë për të pushuar me stafin e punës. I kishin rënë pikës me zgjedhjen, pasi ishin të vetmit dhe si shqetësonte askush. Pasi u hoqën dhe karriget e restorantit, buzë pishinës së ‘Drymades Inn’ shoh disa mace. “Unë mërzitem që iki, ato kënaqen që ne largohemi.”,- mendoja me egoizëm. Duke e lënë pas egon e ngushëllova veten se “deti është i të gjithëve” dhe me këtë det të bukur që kemi ne, duhet ta vizitojmë më shpesh për të hapur mendjen e relaksuar trupin./dritare.net