Në mbasditen e 15 Marsit 2008, Gent Strazimiri, në atë kohë zëvendësministër i Brendëshëm, pikasi se Mihal Delijorgji po jepte intervistë në një autobuz për TV Klan, serbes nga sheshi i Vorës dhe ju tha dy policëve ta arrestonin, pasi ai ishte “shkaktari” i tragjedisë. Deri atëhere Berisha e kishte pasur bezdi dhe e kishte lënë pa punë. Prej asaj dite, “ylli” i tij flloi të ndrinte.
Fatmir Mediu që mbërriti me urgjencë në shesh, filloi të fliste përçart “janë amerikanët”, “janë amerikanët”, “na i ka sjellë ambasada”, “nuk kemi gjë në dorë”, dhe shikonte i trembur secilin në fytyrë sikur donte t’i thoshin “ke të drejtë”. Lulzim Basha ishte në zyrën e Ministrit të Jashtëm dhe ju desh të sigurohej duke telefonuar Shkëlzenin, nëse bëhej fjalë “për atë gjënë” e tij dhe pastaj t’u thoshte diplomatëve se ka ndodhur një “incident” në një projekt amerikan. Sali Berisha ishte në zyrë, kur foli me gruan dhe i tha se kunati i saj, dmth burri i motrës, “që ka futur Shkëlzeni në punë, atje në Vorë”, ka vdekur prandaj kujdes me lajmet. Dhe ai i përhumbur nga goditja, doli një orë më pas para gazetarëve dhe në vend t’ia lexonte emrin Muhamed Hoxha, ja lexoi, duke bërë sikur ju muar goja, “Mehmet Hoxha”.
Shkëlzeni sipas tabulateve telefonike, që i disponon prokuroria, ka pas 25 minuta pas shpërthimit, një bisedë të gjatë telefonike me Mihal Delijorgjin. Para tij Delijorgji kishte folur me gruan e vet dhe vëllain e gruas, që e kishte drejtor. Pas atyre, me të cilët la “amanetet”, njeriu më i afërt ishte Shkëlzeni, garanti i biznesit të tij. Është pikërisht mizaskena e orëve të para pas tragjedisë, që ka diktuar gjithë trashëgiminë e Gërdecit në politikën shqiptare. Të nesërmen e tragjedisë, Liri Berisha, djali dhe vajza u detyruan të shkojnë në Sharrë, e të varrosin njeriun e familjes së tyre, larg kamerave. Sali Berisha, qëndroi larg varrezave dhe zakoneve familjare, si rrallëndonjëherë, pasi ju desh të deklaronte, se nuk e kishte njohur kurrë baxhanakun e tij. Fatmir Mediu u desh të tërhiqej nga deklaratat se këtë e kanë bërë amerikanët, dhe po përpiqej të mbante nën tension Shkëlzenin, për të mos dëshmuar që Delijorgjin, ja kishte cuar në zyrë, ai me Rrahmanin.
Pastaj prokuria filloi punë, duke mbledhur dokumenta dhe një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes, i dorëzoi një dosje të tij të punës, ku gjendej një faks i ardhur nga Aldo Bumçi për të informuar Shkëlzen Berishën . Dosja është marrë si provë nga prokuroria, por Shkëlzeni s’u thirr kurrë të pyetej. Kaq duhej, që fare papritur, Aldo Bumçi që vlerësohej si “budalla i neveritshëm” nga Berisha dhe për këtë punë ishte shkarkuar dhe nga Ministër i Drejtësisë, të bëhej befas i rëndësishëm dhe të rikthehej në qeveri, boll që të mohonte faksin. Viktor Gumi, i cili besohet se është autor i shënimit sipër faksit, u ftua të ishte në politikë në PD, duke e bërë deputet.
Enkelejd Alibeaj, një nëpunës i thjeshtë në kryeministri, i shkolluar në Libi, i lindur më 11 Shtator dhe që besonte tek Berisha si fondamentalist, fare papritur u bë i rëndësishëm, pasi ishte autor i emaileve që udhëzonin Ministrinë e Mbrojtjes, si ta bënte vendimin 550, që t’i jepte kompanisë së Delijorgjit punën që kishte kërkuar. Pastaj i doli risku dhe Fahri Balliut. Nga letrat rezultoi, se ai ishte bërë 20 përqind ortak me Delijorgjin në kompaninë që do të ndërtonte fabrikën. Emri i vajzës së tij në ato letra, duhej që të përdorej për të shembur ndërtesat e batalionit pa leje dhe për të thyer barrierat burokratike. Ai mori si shpërblim një “Audi Q7” dhe një mobilim luksoz të shtëpisë së re. Berisha, i cili kishte kohë që nuk e pranonte në zyrë, u bë papritur i dashur me të dhe e ftoi në zyrë familjarisht. Pastaj filloi periudha e provave publike dhe shumë politikanë të dështuar në PD, filluan të përdorin Gërdecin, si një mënyrë për të bërë karrierë politike në PD.
U përdorën për të sulmuar kryeprokroren që po hetonte, presidentin, medien kritike që po zbulonte skandalin dhe po çonte gjurmët e gjakut në shtëpinë e Sali Berishës. Prej vitit 2008, të gjithë këta personazhe mediokër, të pafytyrë, dhe të neveritshëm për politikën shqiptare, arritën të mbeten në politikë, dhe të bëhen e ardhmja e Partisë Demokratike. Të tjerët që patën rezerva për Gërdecin dhe nuk u përfshin në beteja për të mbrojtur një krim të Familjes, u larguan menjëherë siç ishte Rusmali, ose u eleminuan pak nga pak, siç ndodhi me gardën e vjetër të PD. Tetë vjetë më vonë, më 15 Mars, një delegacion zyrtar i Partisë Demokratike ka vizituar zyrtarisht Departamentin Amerikan të Shtetit dhe ka në përbërje të delegacionit tre njerëz që kanë bërë karrierë për shkak të Gërdecit dhe betejës kundër të vërtetës atje. Ata janë simbol i kriminalizimit të poltikës nga bota ordinere dhe politika e lartë.
Njëri me dy mbiemra njëri me dy fytyra e tjetra pa fytyrë fare janë aty si dëshmi e asaj, se çfarë lë trashëgimi një politikë e inkriminuar. Shumë zëra në Shqipëri, disa nga zakoni për t’u dukur interesantë dhe të tjerë nga përpjekja për të thënë që ”edhe Amerika si ne është e korruptuar”, po përpiqen të bëjnë teori konspiracioni rreth kësaj çështje. Por në fakt ndryshimi është i thellë, dhe i pakrahasueshëm. Nëse në çështjen Diveroli, që nuk ka lidhje me Gërdecin, por vetëm me Shkëlzenin, autorët në SHBA, u dënuan dhe bënë burg, edhe pse nuk kishin kryer ndonjë krim si këta tanët, në Shqipëri nuk janë thirrur akoma, as në prokurori. Diferenca është, që betejën kundër korrupsionit në SHBA e bën drejtësia dhe shtypi amerikan dhe personat e inkriminuar nuk janë më pjesë e historisë politike apo institucioneve në SHBA. Nga mosdënimi i krimit dhe mos veprimi i drejtësisë, ne nuk kemi vetëm 26 të vrarë në Gërdec, por një histori të tërë politike të Partisë Demorkatike, të sharruar përmes, duke e detyruar të pozicionohet pro ose kundër atij krimi. Ne sot nuk kemi vetëm 26 të vdekur, por një parti politike, që mbahet në këmbë nga njerëz që i kanë dalë zot atij krimi.
Nëse do imitonim SHBA, ata sot mund të kishin dalë nga burgu, por nuk do hynin më në politikë. Fatkeqësia jonë është se ata janë në politikë dhe Berisha po ja imponon SHBA si interlokutorët e vetëm të Partisë Demokratike, ose si garantë të pandëshkueshmërisë së familjes së tij. Kjo e bën të rëndë historinë e drejtësisë shqiptare. Ne deri më sot, nuk kemi mundur dot të dënojmë vrasjet politike si ato të 21 Janarit. Ne deri më sot nuk kemi mundur dot të dënojmë ndonjë zyrtar të lartë për korrupsion edhe pse ka histori të pabesueshme miliardash nga familja Berisha e deri më sot. Pra ne nuk kemi mundur të dënojmë politikanë, as për vrasje dhe as për vjedhje. Por Gërdeci është dhe më keq. Është vrasje, për të vjedhur. Dhe kjo e bën të rëndë gjithë politikën, që ka tetë vite që investohet, vetëm për të mbuluar atë krim./gazetatema.net