Pyetja që mundon tashmë njerëzit e thjeshtë, e shprehur në zhargonin e përditshëm, është sesi do shkoje puna?
Vetë PD kur ndërmorri hapin e djegies së mandateve, nuk ngjan se kishte ndonjë plan B. Perceptimi popullor i Bashës si i pazoti apo ca më keq i blerë nga Rama, e ka shtyrë kryetarin e PD ti shkojë mbrapa vendimit të Berishës.
Vetë Berisha nuk ngjan se i ka lënë vetes ndonje rrugëdalje por thjesht beson se nervat e Ramës do këputen më shpejt sesa ndjekësit e tij ti lerë adrenalina e fillimit.
Në krahun tjetër Rama fillimisht dhe si zakonisht, për shkak të humbjes së lidhjeve që ka me realitetin, ngjau i befasuar. Por pasi kaloi vala e parë, vartësit e tij vazhdojnë të përsërisin se zgjedhjet e rradhës do të jenë në 2021-in. Po i japin zemër edhe ndërkombëtarët. Për të cilët duhet thënë se tallja e tyre nga opozita shqiptare, nuk është se ndikon në karrierën e tyre në Bruksel.
Klima në disfavor të opozitës shqiptare, vjen edhe nga rajoni. Pavarësisht se ka ndonjë mëndje të ndezur që do të bëjë paralelizma me pranverën arabe, kjo e Ballkanit vetëm e tillë nuk është. Në Serbi dhe Mal të Zi është opozita proruse që është në rrugë dhe është dora e Kremlinit që i organizon.
Sa për Shqipërinë nuk ka fakte për akuzat që pushteti ngre ndaj opozitës shqiptare. E cila për hir të së vërtetës është anashkaluar, tallur dhe margjinalizuar deri sa frustrimi i saj arriti pikën ekstreme.
Si do jetë e ardhmja, është një hamendësim. E gjitha do të jetë një betejë e përditëshme mes propagandës së Ramës dhe forcës në terren të opozitës.
Deri më sot Rama ja ka dalë të jetë i suksesshëm me lodhjen e protestuesve, duke i lënë ata në shesh. Krahas kësaj ka luajtur fort me imazhin dhe mjetet e informimit.
Ndersa opozita në vend se të zgjerohet më shumë, po ja del me sukses të merret me vajzën e Azem Hajdarit.
Por jemi vetëm në dy javët e para. Pas kësaj nëse do të ketë një frymë, e përfaqësuar nga ide dhe njerëz, opozita ka shpresë. Por kohen në dispozicion e ka shumë të pakët. Dhe e mira do të jetë që të lerë mënjanë edhe luftën me ndërkombëtarët, pasi është luftë jo produktive.
Në të kundërt, duke ndjekur se kur cakton seancat Gramoz Ruçi, nuk i bën asgjë pozitës. Madje kjo i shkon për hosh Edi Ramës i cili në vetvete nuk ka ndonjë respekt për shtetin dhe institucionet, përfshirë parlamentin./dritare.net