Shpëto jetën e një gjeli. Ja çfarë të hash në 31 dhjetor!
Dritare.net
Nga Dritare.net
Vitet e fundit të shumtë janë ata shqiptarë të cilët janë kthyer në vegjetarinë apo veganë. Por, teksa shqiptarët njihen si mish ngrënës, ata të cilët jane ndarë me mishin, ndonjëherë e kanë të vështirë të gjejnë pjatën që duan. Veçanërisht gjatë periudhës së festave, të cilët zor se e gjejnë veten në tavolinën, ku mbizotëron mishi qoftë ai i gjelit të detit apo derrit.
[caption id="attachment_291095" align="alignnone" width="680"] Shpëto jetën këtij gjeli![/caption]
Restoranti i parë vegan, ne Shqipëri dhe i vetmi, Veggies Tirana, ka menduar shumë surpriza të shijshme për të gjithë ata që duan ta mirëpresin vitin 2018, pa produkte shtazore në tavolinën e tyre.
Ina Kadi, administratore e Veggies tregon për Dritare.net menunë e fundvitit, e cila përveç ngjyrave të shumta, është edhe shumë e shëndetshme.
“Menuja karakterizohet nga shije të shumta, të kontineteve të ndryshme. Ne jemi munduar të sjellim kultura të ndryshme dhe secili gjen shijen që i pëlqen më tepër.
Ne jemi kujdesur për çdo detaj sa i takon menusë së fundvitit, edhe emërtimeve të pjatave. Darka fillon me një gotë shampanje.
Vazhdon me antipasta, të cilat janë të larmishme. Falafelin e famshëm izraelit, kemi dy sallata, pite me salcë avokado guakamole, spring rolls ose ndryshe byreçka kinezë, summer roalls ose byreçka vietnameze, tempurat që janë perime të skuqura me një lloj brumi të veçant krokant. Janë kroketat e kungullit në pure patëllxhani, hmumus ose ndryshe salca e qiqrave shumë e përdorur në Lindje. Si edhe tre salca të ndryshme për të shoqëruar secilën nga këto antipasta. Kjo pjatë është menduar për katër persona.
Ndërsa pjatat kryesore, i kemi quajtur pjatat fatsjellëse. Kjo pasi këto ushqime, në vendet përkatëse konsiderohen si fatsjellëse, teksa i konsumon në natën e ndërrimit të viteve.
Noodles aziatike, të cilat janë makarona të gjata e të përdredhura. Këto janë një ogur i mirë, sa i takon jetëgjatësisë.
Miksi i fasuleve, duke qenë se ato janë të vogla, përfaqësojnë mirëqënien, jo vetëm për anën monetare, por më së shumti në atë shëndetësore.
Një tjetër pjatë është sushi, i cili vjen në versionin tonë, atë vegan. Peshqit ne i kemi zëvendësuar me algat, për të sjellë fat.
Miksi i jeshileve, këtu kemi zgjedhur që nga spinaqi e deri te llojet e ndryshme të sallatrave. Nisur nga ngjyra e tyre, konsiderohen si fat sa i takon parave.
Keku në formë rrethi, i përngjan unazës dhe është për marrëdhënie të lumtura e afatgjata.
Më pas kemi fruta, ku kemi përzgjedhur shegën, rrushin dhe fiqtë, si tre prej frutave më simbolike për natën e Vitit të Ri, të cilat përcaktojnë prosperitet dhe fertilitet.
Në traditën shqiptare, natën e ndërrimit të viteve duhet të konsumojmë derrin, pasi përfaqëson tokën dhe lumturinë. Ne zgjodhëm dy perime rrënje të cilat janë shumë të lidhura me derrin. Ato janë tartufi dhe parsnipi, duke i sjellë në versionin vegan, me rizoto.
Ne kemi sygjeruar dy lloje verërash , për pjatat e detit është vera e bardhë, një Pinot Grigio Mandorla, është italiane dhe shumë e shijshme.
Ndërkohë tek vera e kuqe kemi bërë një zgjedhje shumë interesante.
Bëhet fjalë për Uncle Zin, prodhim italian, por i destinuar për tregun amerikan. Ndërkohë ne arritëm që ta sillnim në kryqeytet.
Është një verë shumë aromatike dhe futet tek familja e verërave të ëmbla. Por, sa i takon ushqimit vegjetarian dhe vegan, është shumë e përshtatshme
Sa i takon ëmbëlsirës ne kemi propozuar, kekë vegan me çokollatë. Gjithçka është pa sheqer të shtuar, pa yndyrë apo xhelatinë, pa konservues dhe shumë i shëndetshëm.”
Restoranti i ri Veggies pritet të hapet në Janar, me një koncept ndryshe. Edhe pse e gjitha do të jetë një surprizë, Ina zbulon për Dritare.net një menu shumë të veçantë e cila pritet të vijë me hapjen e restorantit.
“2017-ta ishte një vit shumë i mbarë për ne. Kjo pasi janë shtuar shumë personat të cilët janë kthyer në veganë e vegjetarian. Aq saqë edhe shumë restorante kanë vendosur në menutë pjata vegane. Ne nuk e shohim si konkurencë, përkundrasi, jemi të lumtur që sa vjen edhe përhapet si stil jetesë. Pasi ky ishte dhe qëllimi ynë, fillimisht të shpërndanim konceptin. Ndërkohë, 2018-ta vjen me shumë surpriza. Bëhet fjalë për hapjen e restorantit të ri Veggies, i cili është tërësisht një koncept i ri në treg. Që nga mënyra e shërbimit, struktura e lokalit, e deri të larmishmëria e pjatave.
Një prej tyre është një pjatë e cila ka të pestë elementët e shijes, të ëmblën, të kripurën, të athëtën, të hidhurën dhe umami (shije). Ne kemi kompozuar një pjatë që i bashkon të gjitha këto dhe më besoni që është shumë e veçantë, e të gjithë do të duan ta provojnë.”
Këtë Vit të Ri festojeni ndryshe në tavolinën tuaj, shtoni ngjyrat dhe hiqni kilet. Edhe nëse nuk mund të porosisni në Veggies, mjafton të bëheni kreativë në pjata që kompozoni. Pasi siç edhe Ina Kadi thotë për Dritare.net, çelësi është larmishmëria, nesë kemi shumë gjëra nga pak, atëherë askush nuk ka për ta ndjerë atë mungesën e gjelit të detit apo mishrave të ndryshme. Priteni 2018-ën me sa më shumë shije në tavolinën tuaj. Dhe gëzuar! /Dritare.net