Nga Ermal Peçi
Motoja e Mbretërisë së Luigjit XV ishte “Apres moi, le deluge”, “ Pas meje u përmbystë gjithçka”. Dhe vërtetë kur vdiq Luigji XV, në vitin 1774 i mbingarkuar nga shthurjet, gjendja ekonomike e vendit ishte në shpërbërje. Në kontekste politike dhe profile karakteriale shumë të ndryshme, sot Sali Berisha nga shkallët e PD përcolli këtë mesazh për demokratët dhe qytetarët shqiptarë. "Pas meje u përmbystë gjithçka" . Ai sot ndau përfundimisht rrugët me institucionin e Partisë Demokratike.
Që pas njollosjes me bojë të zezë nga institucionet amerikane, duke e shpallur "non grata ", Sali Berisha ka nisur një aksion për të mbizotëruar skenën politike. Duke përfituar nga gjendja emocionale e demokratëve, ai ka filluar t'ju kujtojë demokratëve fitoret e tij triumfuese, veprat madhore qe ka arritur gjatë udhëheqës së tij, sa gjuha simbolike e tij nënkupton që sikur mos të ishte ai, Partia Demokratike do ishte shkatërruar.
Kjo gjuhë simbolike ishte edhe sot në shkallet e PD kur Sali Berisha bënte thirrje për protestë paqësore por nga ana tjetër vareja e çekani thyenin vetratat e xhamit dhe shqyenin dyert e PD, paqja ishte në zërin e tij por dhuna qarkullonte në venat e tij. Dhunë që përshkojë sot çdo funksionar të PD që mendon ndryshe dhe institucionin e saj. Është ironike sesi një njeri që demokratët e kanë njohur për lider të mendojë se shpërthimet e tij janë burim fuqie. E vërteta është pikërisht e kundërta se tërbimi nuk është fuqi, por shenje e pafuqisë. Njerëzit mund të kërcënojnë nga shpërthimet e zemëratës së tyre por në fund humbasin respektin që kanë. Sali Berisha mund ta djegë PD, mund ta shkatërroj siç bëri sot, por lufta e Sali Berishës është përtej oqeanit edhe këtë hall nuk ia zgjidh dot asnjë demokrat qoftë pro apo kundër tij. Për të gjithë këtë situatë, për të gjithë këtë shkatërrim që ndodhi sot në Partinë Demokratike ka vetëm një fajtor. Ai ka emër e mbiemër. Ai është Sali Berisha./dritare.net