Nuk është faji yt vogëlushe pse ke lindur vajzë!
Dritare.net
Nga Ornelë Deda
(Fjalë e një vajzë të re drejtuar vogëlusheve të vendit të saj. Kur them vogëlushe e kam fjalën për çdo vajzë nga mosha 0 vjeç deri në 20 vjeç. Se padituria këtu i thotë vajzës 12 vjeç: "He plaç, boll shikove kukulla je ba me ik te burri!")
""Nuk është faji yt vogëlushe pse ke lindur vajzë !""
Nuk do të doja që vogëlushet e vendit time të ishin në gjendjen ku janë sot. Nuk do të doja që ato të ndiheshin në faj me ekzistencën e tyre, të ndiejnë frikë se ato kanë lindur vajza.
Nëse e gjithë bota vogëlushe ta drejton gishtin dhe të thotë ja fajtorja, më beso të lutem kur të them se ti nuk ke faj.
Po të përgjërohem më beso.
Ti nuk ke faj!
Nuk është faji yt vogëlushe pse njerëzit në këtë vend kanë gëzuar kur ka lindur djalë e kanë mallkuar kur ka lindur vajzë.
Nuk është faji yt pse prindërit shqiptarë nuk i edukojnë djemtë e tyre me respekt ndaj gjinisë së kundërt.
Nuk është faji yt pse mësuesit në shkollat tona nuk kanë edukuar rininë mbi seksualitetin, duke kaluar faqet e librit se ato janë "gjëra" turpi dhe kanë lënë injorancën të rritet brez pas brezi.
Nuk ke faj ti vogëlushe pse shoqëria i rrit djemtë me idenë se të quhesh burrë mjafton të kesh forcë dhe b**le dhe fati i keq është mbi kurrizin e vajzave të këtij vendi.
Nuk ke faj ti vogëlushe kur nuk e kupton se dikush po të ngacmon, po të shtyp, po të thith gjakun si shushunjë se të mësuan vetëm anën e bukur të kësaj bote. Anën e errët, atë anën që të vjedh pafajsinë, anën e horrave, maskarenjve, pedofilëve dhe përdhunuesve nuk ta mësuan kurrë se menduan fëmijë është pse duhet t'i dijë këto edhe dyfish më shumë fatkeqësi për ty vogëlushe kur as vetë prindërit e tu nuk e dinë se kjo anë gjendet përreth teje çdo ditë, çdo kohë.
Më beso se nuk ke faj ti vogëlushe sa herë të tjerët i thonë vajzave inshallah iu shton Zoti me vëlla ata janë duke mohuar jetën e tënde. A thua se vajza nuk ka punë me Zotin dhe se njerëzve iu dha e drejta të vendosin se kur duhet të lindë vajza dhe kur duhet të lindë djali.
Nuk ke faj ti pse i thanë vajzës ule kokën mos shiko njerëzit në sy, mos fol, mos duaj, mos ndjej as dhimbje as gëzim, mos u vish "tepërt" se pastaj të lëshohen mostrat e normal se ato s'kanë faj se "burra" janë tek fundit, nuk e mbajnë veten.
Nuk ke ti faj vogëlushe sa herë familjet shqiptare që kanë djem lexojnë dhe dëgjojnë lajme përdhunimi, ngacmimi seksual thonë shyqyr që nuk kam vajzë, por kurrë nuk i nxë makthi se djali i tyre mund të jetë ose të bëhet një përdhunues.
Nuk ke faj ti vogëlushe se je mësuar duke dëgjuar se kur një vajzë ngre kokën është k**rvë.
Nuk ke faj ti vogëlushe se të thanë që e vogël duhet ta mësosh këtë gjë se të duhet kur të ikësh tek burri. Të thanë mbaj nderin e familjes tënde e të burrit.
Kurrë nuk të thanë dil e kape botën për jake, tregoja vendin njerëzve që nuk të respektojnë.
Dil bëhu e zonja vetes, ndiq ëndrrat dhe kthehu në shtëpi e lumtur.
Nuk është faji yt vogëlushe pse institucionet e këtij vendi i ka marrë lumi dhe nuk bëjnë asgjë të parandalojnë përbindëshat njerëzorë që të kanosen ty dhe çdo vajze.
Nuk është faji yt vogëlushe pse nënat dhe baballarët e këtij vendi më mirë vdesin se sa të lejojnë vajzën e tyre të njohë një djalë. Mendja e tyre prapanike ka futur në varr për së gjalli shumë vajza.
Nuk ke faj ti vogëlushe që nuk di si ta quash veten pasi çdo kush të drejtohet e bija X-it ose kur martohesh gruaja e Y-it, por asnjëherë nuk t'u drejtuan ty si njeri.
Më beso të lutem se para të gjithë X-ve dhe Y-ve e ndoshta shumë nofka të tjera ti je njeri dhe ke një identitet të tëndin.
Ahhhh ....moj vogëlushe ti nuk ke faj pse ke lindur vajzë. Më beso!
Ty kjo shoqëri nuk të përkrahu, por mos prit më prej saj. Ajo s'të meriton.
Prit vetëm nga vetja, lufto për veten.
Nëse deri dje të thanë se nuk vlen, të vendosën kufijtë dhe të mbytën lumturinë.
Sot dije se vlen, sot duaje veten fillo të përmirësohesh çdo ditë. Të përmirësosh do thotë të gabosh, çdokush gabon dhe ti gabo, por mëso dhe ringrihu mbi themelet e tua më e fortë se kurrë.
Ti vogëlushe je lulja e jetës.
Je ngjyra më e bukur e lindjes dhe perëndimit të diellit.
Je nota më e bukur e muzikës.
Je stina e çdo stine.
Ti vogëlushe je kuptimi i vetë jetës e po të përgjërohem në emër të dashurisë së gjithë universit mos hiq dorë nga vetja!
Të dua vogëlushe!/dritare.net