Nga Gentjan Ruko
Në pushimet e mia në jug, isha ndeshur me pronarë dhomash plazhi hileqarë dhe karagjozë. Por, kurrë me një grabitqar si “Mihali i Radhimës”. Një burrë i moshuar, i zhveshur nga mesi e sipër, nga mëngjesi, që sillej rrotull një shtëpie njëkatëshe, arkitektura e së cilës ngjante me një quiz gazetash, ndërsa në fasadë spikasnin ca shirita blu, që e përshkonin horizontalisht. Dukej si një nga kapanonet e vjetra, që e kishin ndarë në disa njësi për qira, e që më rezultuan “pjesëza peshkimi”.
Kishin ngritur një skemë.
Familja e tërhiqte prenë nëpërmjet një faqeje Facebook-u për biznes, që dukej se menaxhohej nga e bija.
Më 31 korrik, pasi 3 të tjerë “lëshues dhomash”, nga i njëjti fshat, m’u përgjigjën, njëri pas tjetrit, se nuk kishin vende të lira, e bija e “Mihalit” na hapi dritën e gjelbër. Në Messenger, më shkroi që kishin një dhomë të lirë, me 35 mijë lekë nata, në datat që na interesonin, në fillimin e gushtit, që “dhomat kan nje krevat dopio nje tek dhe nje portativ”; në kryeradhë: “Kondicioner..wifi, tualet, parkim”.
E vura re ndryshimin me Orikumin, rreth 3,5 km më larg, ku bizneset kishin publikuar në internet njoftime për apartamente me qira 1+1, ku përfshihej kondicioneri dhe wifi (me raste edhe televizor), për 25 mijë lekë për natë në korrik dhe për 30 mijë në gusht. Me fjalë të tjera, një qëndrim si në shtëpi në qytezën fqinje.
Në fshatin e Radhimës dukej se kapeshin me thonj pas afërsisë nga deti. Pushuesve që mbërrijnë nga larg me taksi u intereson që plazhi të jetë sa më afër. Prandaj, duke konsideruar edhe që po fillonte sezoni i lartë, nuk e diskutuam problemin e hapësirës, as çmimin, që dukej i lartë për një garsoniere. Njoftuam që do të rrinim 6 net.
E kaluam pragun e shtëpisë së “Mihalit” – nuk e mësova emrin e tij - rreth orës 10 të 1 gushtit, e diel. Fëmijët u ulën në këndin e ngrënies në vazhdim të dhomës, gruaja nisi të hapte valixhet, ndërsa unë dola një moment. Sakaq, e bija ia behu te dera dhe kërkoi paratë. Hera e parë që dikush vinte të na kërkonte lekët ende pa u mbushur me frymë. Gruaja iu përgjigj se do t’ia jepnim paratë pak më vonë, pasi të sistemoheshim.
U kthyem nga plazhi rreth orës 1:30, në një ditë përvëluese. Kondicioneri punoi vetëm 5 minuta. Linja ra. E bija u rishfaq te porta. Këtë herë, për të na fajësuar, se gjoja dyshonte se po përdornim një pajisje që mbingarkonte linjën. Mori përgjigjen se e vetmja pajisje që kishim aktivizuar, ishte kondicioneri i tyre. Pastaj, tha se do të trokiste edhe te qiramarrësit e tjerë, sepse do zbulonte fajtorin.
Energjia u rikthye pas 5 minutave. Vajza ime 9-vjeçare doli nga dushi dhe vuri në punë tharësen e flokëve. Pas pak, elektriciteti u ndërpre përsëri.
Dhoma nën tarracë vlonte. Të zotët ngritën sërish limitatorin. Unë vendosa celularin në karikim. Pas pak minutash, dritat ikën përsëri.
Kjo vazhdoi derisa u nisëm përsëri për plazh, pasdite.
U kuptua që nuk kishte defekt elektrik në fshat, por shkaku ishte rrjeti i brendshëm i shtëpisë së Mihalit.
Rreth orës 19:30, perëndimi afrohej. Ne lamë pas plazhin në Grand Hotel Aita, kaluam rrugën nacionale dhe ecëm në rrugën “Sazani”, pak dhjetëra metra.
Në kopshtin e pasmë të shtëpisë, gjetëm Mihalin, që dukej sikur merrej me një bombol gazi.
Nuk vonoi as 10 minuta dhe trokiti në derë.
Mihali na u drejtua me tone të buta, kur nisi të na fajësonte, si vajza e tij, për gjendjen skandaloze të dritave, që po na i shpifnin pushimet, qysh ditën e parë.
I thamë që jemi ne që duhet të ankohemi, se ata nuk iu përmbajtën kushteve të shkruara dhe se me situatën që na krijuan, po na prishnin pushimet e një viti.
I tregova se ndërprerjet e korrentit në drekë kishin qenë aq të shpeshta, sa mezi kishin lejuar ngarkimin e celularit tim në 37%. Ai na tha se kishte numëruar 4 herë, por ndërhyra, duke saktësuar se kishin qenë 14 dhe ai pranoi. Njohu faktin, por jo fajin e tij. Tha që kishte ngritur një strukturë të bazuar në përdorimin e gazit dhe na urdhëroi që të mos përdornim tharëse flokësh, ndërsa ishte në punë kondicioneri.
Iu përgjigjëm që kjo ishte absurde dhe e paimagjinueshme, se tharësja e flokëve ishte e domosdoshme për flokë të gjatë dhe se një tharëse flokësh nuk mund të punonte me gaz.
Kjo përgjigje nuk i pëlqeu Mihalit. Një burrë me sedër s’mund të pranonte vërejtje, aq më pak akuza, por i priste drutë shkurt.
“Nuk dua fjalë unë! Këto kushte kam. Nëse nuk ju pëlqen, largohuni!”
I thamë që duhej të na tregonte kushtet e tij para se të niseshim dhe që ishim marrë vesh, në fakt, për kushte të tjera.
Por, Mihali nuk donte të dëgjonte nga ai vesh. Taktika e tij, sipas parimit “mbrojtja më e mirë është sulmi”, përparoi: na u ankua se me prenotimin e dhomës nga ne, ai kishte humbur dhjetëra kërkesa. Dilte se i dëmtuari ishte ai, kurse ne fajtorët.
Në fund, bëri sikur po tregohej njerëzor, duke na lejuar të rrinim atë natë, por na kërkoi lekët në moment; i paguam 35 mijë vetëm për 1 gushtin.
Fëmijët mbetën të shokuar. Ishte e papërfytyrueshme. M’u shprehën që e vetmja gjë që donin, ishte t’i ktheja në shtëpi. Kërkonin vetëm të qetësoheshin. Çdo alternativë, nga ana ime, që të zhvendoseshim në një vend tjetër të ndryshëm nga Radhima, mori përgjigje të prerë mohuese. Në mendjen e tyre ishte konturuar një përbindësh, një gogol. Kishin frikë se një Mihal tjetër i priste./dritare.net