Jo, postimi yt anti-hebrenjve në mediat sociale nuk do sjellë paqen në Lindjen e Mesme!
Dritare.net
Nga Dona Haber
Lajmet e fundit nga Lindja e Mesme kanë hapur plagët e një konflikti mijëra vjeçar atë midis Izraelit dhe Palestinës. Një konflikt që është kompleks, historik, dhe gjeopolitik. Si një shqiptare dhe hebreje ka qenë e vështirë të shikoj miq dhe figura influencuese në rrjete sociale të postojnë mbi ngjarjet e fundit.
Postime të cilat shumica tregojnë narrativën e një pale. Postime të cilat përhapin informacione jo të vërteta. Postime ku Izraeli pikturohet si një shtet i fuqishëm, që është duke shkelur të drejtat e njeriut të civilëve palestinezë. Nuk mund të rri e heshtur dhe të mos ndaj opinionin tim dhe të mund të kontribuojë sadopak me edukimin mbi shtetin modern dhe demokratik të Izraelit.
Ajo çka me çuditi fillimisht ishte guximi i çdo individi për të folur mbi ketë konflikt kaq kompleks. Befas çdokush na doli një ekspert në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe historike në tokën e premtuar. Personalisht matem disa herë para se të postoj diçka në rrjetet sociale, i shikoj nga vjen informacioni e vërtetoj dhe pastaj e postoj. Shpërndarja e informacioneve të pavërteta dhe pikturimi jo human i një pale në një konflikt është e gabuar. Është një vijë shumë e hollë midis të qenit kritik ndaj shtetit të Izraelit dhe të qenit antisemitik.
Jam ndjerë e frikësuar kur kam parë çfarë postohet në rrjetet sociale sepse shumica e postimeve ishin me nuanca antisemitike. Dhe antisemitizmi është urrejtja pa një arsye e popullit hebre dhe si një shqiptare hebreje, kjo më dhemb. Në qoftë se arsyeja që dikush urren Izraelin është fakti se ai person mendon që hebrenjtë janë të fuqishëm dhe kontrollojnë botën atëherë ai person është antisemitik.
Se dyti në qoftë se dikush mendon se shteti i Izraelit nuk duhet të ekzistojë dhe që e gjithë toka nga lumi Jordan deri në bregdet i përket palestinezëve, atëherë ai person duhet të edukohet mbi historinë e popullit hebre dhe tokës së premtuar. Prezenca e popullit hebre në vendin që sot është shteti i Izraelit ka qenë e përhershme. A do të thotë kjo që nuk ka pasur arabë që jetonin në atë tokë në të njëjtën periudhë?! Absolutisht jo. Sigurisht që ka pasur. Të thuash që sot duhet ta shfarosim popullin hebre nga tokat dhe të vendosim palestinezë është katastrofike dhe fantastike. Izraeli ekziston. Izraeli është vendi i vetëm demokratik në Lindjen e Mesme, me të drejta për gratë dhe LGBTQ. Në Izrael jetojnë hebrenjë, të krishterë, mysliman, bahai dhe shumë njerëz të tjerë me etni të ndryshme. Si çdo vend demokratik dhe modern Izraeli ka të drejtë të mbrohet nga çdokush që kërcënon ekzistencën e vendit dhe të nënshtetasve.
Që më sjell te pika e tretë e këtij op-ed që po shkruaj. Izraeli po vetëmbrohet nga Hamas, jo nga qytetarë të thjeshtë mysliman palestinezë. Hamas kërkon të shfarosë shtetin e Izraelit dhe është cilësuar si një organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Hamas operon në rripin e Gazës, që është një vend i mbyllur nga bota dhe palestinezët që jetojnë aty janë nën regjimin e Hamas-it. Fakti që ka pasur jetë të humbura nga të dyja palët, edhe në Izrael edhe në Gaza, është fatkeq dhe tragjik. Humbja e një jete njerëzore është tragjike.
Ndaj duhet të bëjmë kujdes kur flasim mbi ketë konflikt. Kur postojmë mendime dhe “meme” në mediat sociale. Është shumë e lehtë të postosh nga shtëpia kur ti je e sigurt për jetën tënde dhe të familjes tënde. Nuk është e lehtë për ata që janë atje nga të dyja anët. Herën tjetër kur të postojmë diçka duhet të pyesim veten, nga vjen ky informacion? A është i vërtet? A mund të lexoj diçka dhe te edukohem mbi ketë temë përpara se të postoj? A është ky postim konstruktiv? A sjell dialog dhe paqe? Sepse të gjithë duhet të besojmë në të drejtën e popullit hebre dhe atij palestinezë për të ekzistuar dhe jetuar në paqe./dritare.net