BLOOD, SWEAT & TEARS; the rise & rise of Edi Rama!
Dritare.net
Nga Reil Sokolaj
Praktik, orator, arrogant, karizmatik, prepotent, elokuent, makiavelist i përsosur, i zhdërvjellët dhe mbi të gjitha i vetëdijshëm se çfarë do dhe se çfarë duhet të bëjë për të pasur atë që do. Edi Rama, 23 vite pas herës së parë që u ngjit në një karrige pushteti, mbetet po atje, vetëm se pak më lart, tashmë drejtë së tretës herë kryeministër.
Ben Shapiro, mendimtar politik i djathtë në ShBA thotë se faktet i shpërfillin gjithmonë ndjenjat. Sot ndjenjat e atyre që në të drejtë të tyre donin rrëzimin e Ramës, janë të mundura nga fakti se shumica e Shqiptarëve mendon se ai duhet të mos rrëzohet.
Po pse nuk u rrezua Rama? Ose më saktë, pse fitoi?
Politika është shah dhe shahu është politikë. Pra, për mirë a për keq, gjërat janë siç janë, jo siç duam të jenë.
Një politikan ka dy dimensione vlerësimi. Raporti që ka me qytetarët dhe raporti që ka me pushtetin.
Politikanë si Zogu, Hoxha, Berisha dhe Rama kanë pasur gjithnjë një raport, atë me pushtetin. Ata nuk kanë qenë aty për të luajtur Krishtin, ata kanë qenë aty për shkak te ambicies së tyre personale.
E pra, politikanë të tillë mund të dështojnë në testin për raportin moral që kanë me qytetarin, sepse një raport i tillë nuk ekziston për ta, por nga ana tjetër janë mjeshtër të lojës së pushtetit.
Dhe ashtu siç në një lojë shahu ne sakrifikojmë një ushtar për të fituar një torrë, një kalë për të fituar dy oficerë dhe një torrë për të fituar mbretin e kundërshtarit edhe njerëzit e pushtetit, sakrifikojnë shumëçka për të fituar të vetmen gjë që i josh nga kjo lojë.
Pra edhe kjo fitore e Ramës duhet të shihet nëpërmjet lupës së raportit të individit me pushtetin. Kjo jo vetëm sepse pretendenti për t’ia marrë karrigen, pra Basha, nuk ka një raport moral me qytetarin Shqiptar, por edhe sepse ky i fundit është thjeshte pretendent për pushtet, ama jo njeri pushteti.
Të fitosh një palë zgjedhje, pavarësisht dinamikës së vendit, pavarësisht nivelit të demokracisë dhe ekonomisë, në fund ka një rregull të përbashkët gjithkund, nga ShBA në Britani, nga Franca në Rusi; fiton ai që di të ndërthurë në rrjetën e vet shumicën dërrmuese të interesave të njerëzve.
Rama kishte me vete një parti të organizuar e strukturuar, shumicën e elitës financiare të vendit, kupolën e influencës informale nëpër rrethet e Shqipërisë, 61 bashki të lëna bosh nga 2019, administratën, simpatizantët ideologjikë të PS, mospëlqyesit e PD & LSI, ndarjen territoriale, suportin emocional të shumicës së kryeqytetasve, estetikën e instaluar në qendrat urbane, 400 mijë vaksina, 1 miliard € suport nga BE & Turqia për rindërtimin nga tërmeti dhe një Tom Dosh alla King in the North që veni, vidi, vici ( latinisht “ erdhi, pa fitoi “ ) si burrë malësor me influencë dhe paré dhe iku si respektues klasik i një marrëveshje zotërinjsh.
Në krahun përballë Rama gjeti për herë të tretë binomin Basha Berisha dhe për të dytën herë çiftin Meta. Basha u afirmua zot shtëpie në PD ndërsa Berisha e respektoi pozicionin e konsoliduar të benjaminit të tij politik, por a mjafton kaq pak kur në lojë është kaq shumë?
Tre ishin gabimet strategjike në PD që konfirmuan nuhatjen superiore të Ramës për pushtet ndaj Bashës:
a) Luajtja e kartës morale
Të kesh qenë ministri më i besuar i Berishës në ngjarjen që i kushtoi Berishës pushtetin si 21 Janari; të jesh në koalicion me Monikën e Metës; të listosh Mediun e Gërdecit dhe Nard Ndokën e memeve bashkë me Vangjel Dulen e Greqisë & Shpëtim Idrizin e Çamërisë të zhvesh çdo lloj të drejte për të luajtur politikë me moralin.
b) Rrëshqitjet metaLIKE
Presidenti i lësëisë ishte gabimi më e rëndë që opozita bëri ndaj vetes. Me partizanllëkun e tij agresiv Meta ishtu diku mes teprisë dhe mungesës, teprisë së ndërhyrjeve dhe mungesës së seriozitetit me të cilin e ngarkon detyra që ka.
c) Agresiviteti dhe euforia
Vrasja e Elbasanit risolli në mendjen e atyre që nuk e duan PDn prej Berishës të gjitha herët kur acarimi politik ka kushtuar jetë njerëzore. E fundit ishte 21 Janari dhe lidhet ngushtë me PD. Kërcënimet e Xhelalit më shumë se gafë, i ngjanin asaj hapjes nga papërgjegjshmëria së muhabeteve që dëgjon në shtëpi një fëmijë i vogël , pra Xhelali reflektoi me zë atë që mendohej në heshtje në qarqet e brendshme të PD.
d) Fragmentarizimi i votave të PD për shkak të garimit të Topallit e Patozit veçmas PD.
E megjithatë, kjo nuk ishte thjeshtë humbje e opozitës. Ishte fitore personale e Ramës. Fitore e cila është sidomos sa rezultat i strategjive të tij zgjuarsisht makiaveliste aq edhe produkt i pragmatizmit të Shqiptarëve. Shpresa nuk mund të vijë nga ata që e kanë ndrydhur dje edhe sot, kështu që me që shpresë nuk ka, Shqiptarët zgjodhën me përllogari të ftohtë të ishin me atë që është nga 2013 e sot dhe jo me atë që ishte nga 2005 ne 2013.
Makiaveli thotë se ai që ka fituar nuk ka pse të turpërohet nga mënyra nëpërmjet së cilës ka fituar. Sot Edi Rama ka shansin që duke shijuar të qënit i pari i pas 1990 që merr 3 herë rresht besimin e Shqiptarëve për të drejtuar vendin, ta bëjë mandatin e tij të fundit më të dobishëm për vendin se sa për ambiciet e tij tashmë të përmbushura.
Për Jordan Peterson në një vend ku shumica nuk merr përgjegjësi, ata pak që marrin dhe e bëjnë me vendosmëri i hapin vetes shumë dyer. Rama ka marrë përsipër ta nxjerrë vendin nga tranzicioni 31 vjeçar duke premtuar t’i lërë vendit trashëgimi një infrastrukture aero-portuale masive, një rrjet energjitik inovativ lider në Ballkan, turizëm 12 mujor dhe një magnet për industrinë teknologjike. Koha do flasë më drejtë se premtimet e Ramës, por nga ana tjetër ky njeri me ambicie, me mëkate, në dilemë konstante mes formës dhe përmbajtjes, pasionant në skenë, i ftohtë si akull përtej saj, plot surpriza, kryeneç në vullnet, sot qëndron përballë shqiptarëve, borxhli ndaj tyre si asnjë politikan tjetër prej 30 vitesh dhe po aq i vërtetë sa thënia shekullore e Churchillit;
"Gjithkush ka ditën e vet, por disa ditë zgjasin më shumë se tjerat."/dritare.net