Shkodër, pas jetimores abuzim seksual dhe te Shëndeti Mendor
Dritare.net
Sipas hetimeve të Prokurorisë, ka rezultuar se ndaj pacientëve me sëmundje të shëndetit mendor në këtë qendër është ushtruar dhunë sistematike.
Gjithashtu, nga hetimi ka rezultuar se tre femra në moshë madhore, paciente në këtë Qendër, kanë qenë shtatzënë dhe kanë abortuar në mënyrë të paligjshme. Ky rezultat ka dalë në bazë të akteve të ekspertimit mjeko-ligjor, të kërkuara nga ana e Prokurorisë së Shkodrës.
Si rrjedhojë e zbardhjes së skandalit, Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e Drejtoreshës së Qendrës së Zhvillimit Social në Shkodër, Juliana Cepi e infermieren e kësaj qendre, Aida Ymeraj, të dyshuara për veprën penale të "Shpërdorimit të Detyrës".
Në bazë të hetimit të deritanishëm, Prokuroria e Shkodrës ka evidentuar si përgjegjës për trajtimin jo në mënyrën e duhur drejtoreshën Cepi dhe infermieren në këtë qendër, Ymeraj.
Në bazë të urdhërit të Prokurorisë, këto dy shtetase janë ndaluar nga ana e Policisë Vendore mesditën e së mërkurës (dt.01.06.2016).
Ndërkohë, po vijohet hetimi për të identifikuar plotësisht rastet e dhunës, si edhe përgjegjësitë e punonjësve të Qendrës, neglizhenca e të cilëve ka sjellë si pasojë shtatëzaninë e femrave me probleme mendore, si edhe ndërhyrjen e paligjshme për abortin e tyre.
Dy javë më parë, një skandal përfshiu Qendrën Rezidenciale të Fëmijëve në Shkodër, ku rezultoi se tre femra të moshës 12 vjeç ishin përdhunuar. Pas zbulimit të skandalit, Prokuroria urdhëroi arrestimin e 6 punonjësve të qendrës, përfshirë dhe drejtoreshën A.Llazani.