Shko në Prevallën e bjeshkëve dhe nuk do të zhgënjehesh!

Nga Mrika Dujaka

Prevalla është qendër skijimi dhe fshat turistik, 28 km larg Prizrenit dhe rreth 12 km larg Brezovicës. Prevalla është një destinacion popullor për alpinistët dhe skiatorët

Fshati kufizohet me një pyll të madh. Gjatë verës, është një destinacion i përshtatshëm për rekreacion dhe pushim, ndërsa gjatë dimrit për sportet dimërore sezonale. Ajo shtrihet 1800 m mbi nivelin e detit. Prevalla ndodhet në jug të Kosovës në Malet e Sharrit, në rrugën e cila shkon nga Prizreni nëpërmjet Prevallës në drejtim të Shtërpcës. Prevalla gjendet në kuadër të Parkut Kombëtar Prevalla është një ndër vendet më piktoreske që ka Kosova. Ky vend malor gjendet 28 kilometra larg Prizrenit. Edhe pse Kosovën këto ditë e kishte përfshirë një mjegull e madhe, Prevalla i kishte shpëtuar kësaj mjegulle, atje kishte rreze dielli gjatë gjithë ditës dhe nuk shihej askund mjegulla.

Prevalla ka bjeshkë dhe male të bukura si dhe një lum me shkëmbinj të mëdhenj ku turistët kanë mundësi të shohin bukuri natyrore nga me të ndryshmet. Atje kishte mbetur ende borë dhe një pjesë e vizitorëve e shfrytëzonin për të skijuar. Por në këtë vend nuk është investuar në infrastrukturën e skijimit, edhe pse ka pozita mjaft të mira për këtë gjë. Rruga nga Prizreni e deri në Prevallë është e asfaltuar mirë, por është edhe e veçantë pasi që në të dy anët e rrugës ka bjeshkë të bukura dhe shkëmbinj të mëdhenj që i japin asaj pjesë një pamje përrallore.

Ky fshat turistik tashmë ka qindra shtëpi malore, hotele dhe motele. Çmimet e banimit për turistë janë të ndryshme varësisht nga hoteli/moteli, por sillen nga 20 deri në 50 euro për person pa llogaritur këtu ushqimin. Ky vend ka qindra hektarë me pyje, por në disa vende shihet se ka prerje ilegale të pyjeve gjë që është shumë e dëmshme për këtë vend piktoresk.

Në malet e Prevallës ka kafshë të ndryshme të egra, dhe gjurmët e tyre mund të shiheshin në borë. Ndërsa pas gjurmëve shkonin një ekip prej gjashtë gjuetarëve, të cilët gjuajnë rregullisht në këto male. Vizitorët shprehen të kënaqur me bukuritë natyrore të Prevallës, por edhe me çmimet e akomodimit, ata thonë se ia vlen që të vizitohet ky vend, ku ofrohen mundësi të shumta të relaksimit në natyrë.

“Është një vend i mrekullueshëm, ka male të bukura dhe bjeshkë shumë të mëdha, e shihni se ende ka borë edhe në këto kodrat, por edhe në bjeshkë lartë. Ky vend të qetëson dhe relakson. Çmimet janë të arsyeshme, nuk janë aq shtrenjtë, unë jam i akomoduar në një motel ku nata kushton 20 euro përfshirë edhe mëngjesin, por pronari më tha që nëse qëndron më shumë se tri ditë, çmimi zbritet deri në 15 euro.”, thotë Bedriu, i cili kishte ardhur nga Prishtina për të kaluar disa ditë në Prevallë bashkë me familjen.

Gjithashtu edhe Jetoni shprehet i kënaqur me mundësitë që ofron Prevalla, ai thotë se ky vend ka nevojë edhe për disa investime në mënyrë që të tërheqë sa më shumë vizitorë.

LEXO DHE :  Ide kreative si të dekoroni hapësirën rreth pemëve!

“Këtu jam qe dy ditë, është hera e parë që e vizitojë këtë vend dhe mund të them që është vend shum fantastikë. Kam marrë edhe saja me vete dhe fëmijët po kënaqën duke rrëshqitur në borë. Këtu nevojitën disa investime nga shteti që të bëhet një qendër e mirë e skijimit, pasi që ka vende shumë të përshtatshme për këtë gjë. Gjithashtu edhe verës do të vijë gjithsesi sepse ia vlen.”,- thotë ai.

Stina e verës sjell më shumë vizitorë. Prevalla është më e vizituar verës sesa dimrit, përjashto këtu festat e fundvitit, ku një numër i konsiderueshëm i njerëzve shkojnë për të festuar festat në këtë vend malor.

Pronarët e moteleve dhe të dyqaneve thonë se gjatë verës çdo ditë ka qindra vizitorë dhe ky vend ka një dinamikë shumë të madhe e rrjedhimisht edhe përfitime për këto biznese që veprojnë atje. Që nga mbarimi i luftës në Prevallë janë ndërtuar shumë objekte dhe vila të ndryshme nga politikanë e biznesmenë, ndër to një pjesë e madhe janë pa leje dhe për këtë arsye ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor pati marrë vendim për rrëzimin e disa objekteve, por pas mbarimit të mandatit të tij, ky proces ka ngecur.

Një sipërfaqe prej 27 hektarësh e fshatit Prevallë kishte nisur para nëntë vitesh të shndërrohej në qendër turistike. Komuna e Prizrenit e nisi projektin e urbanizimit të zonës, por tash, dhjetë vjet më vonë, zyrtarë të lartë të saj ankohen se politikanët erdhën, ndërtuan pa plan dhe shkatërruan projektin për qendrën turistike. Planifikoheshin 360 vila në atë zonë. Një numër prej 35 syresh planifikonte t’i ndërtonte vetë komuna, që pastaj t’i jepte në shfrytëzim, ndërsa 315 vila planifikoheshin të ndërtoheshin nga personat privatë.

Tani atje janë mbi 100 vila të ndërtuara, por 90 prej tyre vlerësohet se u ngritën në mospërputhje me planin urbanistik të paraparë nga Komuna e Prizrenit si dhe me udhëzimin dhe ligjin që rregullon mbrojtjen e mjedisit. Në vend të ndërtimeve prej druri, në fshatin Prevallë janë ndërtuar objekte prej betoni dhe materialeve të tjera të forta. Autoritetet nuk janë në gjendje t’i ndalin hovin këtyre ndërtimeve të egra. Prevalla ishte paraparë të shndërrohej në një fshat turistik, me ndërtime njëkatëshe prej druri, por aty janë ngritur godina disakatëshe prej betoni dhe materialeve të tjera të forta.

Pa marr parasysh këto shkelje urbanistike që janë bërë në shpatet e bukura dhe magjepse të Prevallës, ia vlen ta kaloni një vikend, por pse jo edhe më shumë pasi këtu keni ku të vendoseni në disa motele e të cilat kanë edhe meny të zgjedhur të ushqimit -specialitete të fshatrave të kësaj ane të Bjeshkëve të Sharrit. Ejani në Prevallë se nuk do të zhgënjeheni!/Dritare.net

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.