Si ta trajtojmë Covid-19 në shtëpi? Protokolli i mjekëve italianë që zvogëlon shtrimet në spital!
Dritare.net
Kemi shumë nevojë për lajme të mira. I tillë është dhe lajmi që do të japim tani. Është konfirmuar ekzistenca e një kure për Covid-19 e cila është e përbërë nga disa rregulla të qarta, të cilat mund të përdoren nga të gjithë mjekët e familjes.
Në fund të nëntorit të kaluar Instituti Mario Negri në Itali krijoi një protokoll për trajtimin në shtëpi të pacientëve me Covid-19, i cili përmbante edhe disa risi në lidhje me rekomandimet e Institutit të Shëndetit të Italisë. Në thelb, që me fillimin e simptomave të para, fillonte menjëherë edhe terapia, pa pritur rezultatin e tamponit dhe për këtë arsye parandalohej shumëzimi i virusit, i cili përparon shumë shpejt në 7-10 ditët e para.
Ilaçet antiinflamatore dhe kortizoni
Në vend të Tachipirina-s u sugjerua përdorimi i Aspirinës dhe në rast dhimbjeje Aulin, duke hequr ilaçet antiinflamatore që përdoren menjëherë në këtë qasje të re të terapisë në shtëpi. Për rastet më serioze dhe gjithmonë nën drejtimin e një mjeku përdorej kortizoni, i cili gjatë valës së parë të pandemisë, pranverën e vitit 2020 ishte pothuajse i ndaluar.
Të dhënat mbi testimin dhe studimin (që do të publikohen)
Metoda e re u miratua nga rreth tridhjetë mjekë familjesh që e testuan atë te pesëqind pacientë. Por është akoma një propozim, megjithatë autoritar, i zhvilluar nga Fredy Suter, kreu i Sëmundjeve Infektive për dymbëdhjetë vjet te Papa Gjon XXIII në Bergamo dhe nga specialistë të tjerë si Norberto Perico dhe Monica Cortinovis dhe i koordinuar nga Instituti i Kërkimit i drejtuar nga Giuseppe Remuzzi, informon dritare.net
Pati një mungesë të dhënash, ato që në mjekësi ndajnë iluzionet nga realiteti. Tani ka. Dhe tani ato prezantohen me sinqeritet. Ky është një studim në fazën e publikimit, i cili krahason rezultatin klinik të nëntëdhjetë pacientëve të prekur nga Covid-19, që u trajtuan në shtëpi me protokollin e ri pa pritur rezultatin e tamponit nazofaringeal, me atë të nëntëdhjetë pacientëve të tjerë me Covid-19 të krahasueshëm nga mosha, seksi dhe sëmundjet shoqëruese dhe që u trajtuan me terapi tjetër.
Rezultatet e terapisë në shtëpi!
Metoda e Mario Negri nuk bën mrekulli, por funksionon. Koha e rimëkëmbjes nga simptomat më të këqija, nga ethet te dhimbja e muskujve dhe nyjave, është afërsisht e njëjtë te të dyja grupet. Mesatarisht 18 ditë për trajtimin e rekomanduar krahasuar me 14 ditë për segmentin tjetër. Shenjat më të lehta të sëmundjes si humbja e nuhatjes dhe lodhja ndihen shumë më pak te nëntëdhjetë pacientët e trajtuar me protokollin në fjalë, 23% kundrejt 73%. Diferenca e madhe është shënuar në pikën më delikate. Vetëm dy nga 90 (2.2%) pacientë në grupin e referuar përfunduan në spital krahasuar me 13 nga 90 (14.4%) në grupin tjetër. Ditët e përgjithshme të kaluara në spital bien në 44 kundrejt 481 dhe kostot kumulative për trajtime të zakonshme, intensive dhe nënintensive janë 28,000 euro nga 296,000, shkruan dritare.net
Roli i mjekëve të familjes
Rëndësia e këtij studimi shkon përtej numrave. Është procesi inflamator i sindromës që të çon në spital. Parandalimi i tij është ekuivalent me zvogëlimin e shtrimeve në spital, duke shmangur kështu tejmbushjen e institucioneve të kujdesit, e cila është tema kryesore e kësaj pandemie. Ekziston një aspekt tjetër që nuk është pjesë e ndonjë statistike, por po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Është përfshirja e mjekëve të familjes, të cilët kthehen në autoritet referimi në këtë garë për shërimin duke shmangur spitalin. Me disa trajtime të thjeshta me ilaçe, ne shërohemi në shtëpi. Në kohëra si këto, nuk është gjë e vogël./Përshtati për dritare.net: Kadrije Çako