Shkencëtarja: Të rinjtë dhe të shëndetshmit duhet të presin deri në 2022 për t’u vaksinuar!
Dritare.net
Janë dhjetëra infektime për herë të dytë me Covid-19 të raportuara në botë. Ndonëse shifrat janë të ulëta, frika është e madhe. Por ka edhe shumë dyshime për këtë çështje, pra nëse mund të riinfektohemi apo jo. Shkencëtarja kryesore pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Soumya Swaminathan thotë se mund të ndodhë që një person të riinfektohet, por rastet janë shumë të rralla. Sa i përket zgjatjes së antitrupave, ajo thotë se, shkojnë deri 4-5 muaj.
Ndërkohë ne jemi në pritje të vaksinës. Dy kandidatet për vaksina, Johnson & Johnson dhe AstraZeneca, i kanë ndërprerë testimet për shkak të shqetësimeve që shfaqën disa pjesëmarrës, informon dritare.net
Swaminathan shpreson se do të dalë një vaksinë efektive deri në 2021-shin, por sasitë do të jenë të kufizuara. Shkencëtarja paralajmëron se të rinjtë dhe të shëndetshmit duhet të presin deri në vitin 2022 për t’u vaksinuar kundër Covid-19. Fillimisht do ta marrë personeli mjekësor, pastaj ata që janë më të rrezikuar dhe në fund të rinjtë.
"Do të ketë shumë udhëzime që do të dalin, por unë mendoj se një i ri i shëndetshëm duhet të presë deri në vitin 2022 për të bërë vaksinën.”- tha ajo.
Sipas shkencëtares nuk duhet të ketë vetëkënaqësi për uljen e nivelit të vdekjeve nga virusi. Ajo shton se, me rritjen e rasteve të reja, edhe vdekshmëria do të rritet.
"Rritja e vdekshmërisë gjithmonë mbetet disa javë prapa rritjes së rasteve. Ne nuk duhet të jemi të vetëkënaqur që niveli i vdekjeve po bien."- shprehet Swaminathan./K.C/dritare.net