Koronavirusi te fëmijët/Këto janë simptomat më të zakonshme!
Dritare.net
Mes mijëra fëmijëve të testuar për COVID-19, problemet me stomakun, humbja e shijes dhe nuhatjes, ethet dhe dhimbja e kokës ishin simptomat më të zakonshme të rezultateve pozitive të testit, sipas një studimi kanadez.
Por një e treta e fëmijëve dhe adoleshentëve me koronavirus nuk kanë simptoma, kanë vënë në dukje studiuesit.
"Për shkak se më shumë se një e treta e pacientëve që rezultojnë pozitivë për virusin Covid-19 nuk shfaqin simptoma, identifikimi i fëmijëve që ka të ngjarë të infektohen është sfidë më vete.
Në të vërtetë, përqindja e infeksioneve asimptomatike te fëmijët mund të jetë shumë më e lartë sesa kemi raportuar, duke pasur parasysh gjasat që shumë prej tyre nuk testohen” , ka thënë Finlay McAlister, profesor në një universitet në Alberta.
Kolla dhe sekrecionet e hundëve ishin gjithashtu të dukshkme në mesin e fëmijëve që rezultuan pozitivë, por studiuesit thanë se të njëjtat ankesa ishin të zakonshme në mesin e fëmijëve që rezultuan negativë dhe nuk mund të konsideroheshin shenja treguese të infeksionit COVID-19.
Për studimin, ata vlerësuan simptomat të më shumë se 2,400 fëmijëve në zonën e Alberta-s, në Kanada, të cilët u testuan për koronavirus në periudhën prill-shtatori 2020, informon dritare.net.
Humbja e nuhatjes dhe shijes ishte shtatë herë më e lartë te fëmijët me COVID-19. Shqetësimet në stomak ishin pesë herë më të mundura dhe po ashtu edhe dhimbja e kokës, sipas studiuesve.
Fëmijët deri në 4 vjeç kanë më shumë mundësi të rezultojnë negativë dhe adoleshentët e moshës 13 deri 17 vjeç kanë më tepër mundësi të rezultojnë pozitivë, sipas ekipit të studimit.
"Duke pasur parasysh përqindjen e lartë të fëmijëve me Covid-19, të cilët mbeten asimptomatikë, nuk ka mundësi që ndonjë strategji e shqyrtimit të simptomave të parandalojë çdo fëmijë të infektuar të shkojë në shkollë", ka thënë një prej profesorëve të studimit.
Prandaj, masat e shëndetit dhe sigurisë në shkollë përtej kontrollit, duke përfshirë distancën fizike, higjienën e duarve, mbajtjen e maskës dhe mundësitë e të mësuarit në natyrë, luajnë një rol thelbësor në parandalimin e përhapjes së infeksionit në këtë mjedis," ka shtuar ekipi i ekspertëve./M.M-dritare.net